KQZ shpall Bashën fitues me 93 vota

Jun 26, 2011 | 11:42

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje aktin përfundimtar për garën e Tiranës, ku shpalli fitues kandidatin e PD-së, Lulzim Basha.Me një vendimmarrje 4 me 2, KQZ miratoi tabelën përfundimtare pas hapjes së 1793 kutive të votimit për një javë, e detyruar nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor. “KQZ vendosi të miratojë tabelën përmbledhëse të rezultatit për Kryetar për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, sipas tabelës së aneksit nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi dhe të shpallë fitues z. Lulzim Xhelal Basha, propozuar nga Koalicioni Aleanca për Qytetarin”, thuhet në vendim. Gjithsesi, kjo vendimmarrje do të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor nga Partia Socialiste me argumentin se ka mosrakordim shifrash në të paktën 300 qendra votimi. Shifrat përfundimtare të miratuara nga KQZ tregojnë se kandidati Basha mori në total 125042 vota kundrejt 124949 votave që mori rivali i tij, Edi Rama. Kandidati modest i Partisë Komuniste mori 1398 vota. Kështu, në total në Tiranë ka pasur 251389 vota të vlefshme ndërsa numri i zgjedhësve që kanë votuar është 256507 qytetarë. Shifrat e tjera tregojnë se ka pasur gjithsej 257377 fletë të gjetura në kutitë e votimit, çka edhe Partia Socialiste e përdor si argument kryesor, duke thënë se ka 870 fletë më shumë se zgjedhës që morën pjesë. Por këtij pretendimi iu përgjigj kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i cili u shpreh se bëhej fjalë për një mosrakordim shifrash që ka ardhur si rezultat i gabimeve njerëzore, ku dha si shembull një qendër votimi për të cilën grupi i numërimit kishte harruar të shënonte në tabelën e rezultateve 503 votuesit. “Në një qendër votimi, 503 vota vijnë ngaqë në një tabelë të caktuar numëruesit kanë harruar të vendosin një shifër, nuk kanë shënuar totalin. Janë 367 të tjera të shpërndara diku-diku, që nuk rakordojnë në tabelë. Sikur u mbyll rezultati paraprak dhe në vazhdim, nuk ka abuzim, s’ka të bëjë me KQZ-në”, tha Ristani. Nga ana tjetër, rezulton se ka pasur 5362 vota të pavlefshme në këtë proces, si dhe 1680 vota të cilat kanë qenë të dëmtuara. “Asnjë prej subjekteve pjesëmarrëse në hetimin administrativ nuk paraqiti kërkesa specifike për të marrë prova të tjera dokumentare”, thuhet në relacionin e KQZ-së.

Tabela e rezultatit

Numri i zgjedhësve që kanë votuar            256507
Fletë votimi të papërdorura                226205
Fletë votimi të dëmtuara                    1680
Fletë votimi të gjetura në kuti                257377
Vota të pavlefshme                        5362
Vota të vlefshme                    251389

Shpërndarja e votave të vlefshme

Edi Rama                                           124949
Hysni Milloshi                                  1398
Lulzim Basha                                         125042
Gjithsej vota të vlefshme                251389

Argumentet në KQZ

Arben Ristani: Në rast se nuk jemi pro, nuk duhet ta votojmë, në rast se jemi pro, duhet të diskutojmë për pikat e aktit, për vërejtjet dhe nëse duhet ta miratojmë apo jo aktin. Pavarësisht dëshirave politike, ne po merremi me aktin dhe duhet të bëjmë propozime për pika konkrete. Unë do të prisja sugjerimet tuaja dhe se çfarë vërejtjesh keni me pikat e aktit.
Artan Laze: Procesi në pjesën më të madhe, negativ. Ka pasur probleme me kodin e pestë. Kodi i pestë nuk përputhej. KQZ do të konstatonte pavlefshmëri të procesit.
Oerd Bylykbashi: Ky proces ka ruajtur integritetin në mënyrë maksimale dhe të gjitha këto pretendime janë të pabaza e në kundërshtim me ligjin, por edhe të qëllimshme e keqdashëse. Pretendimet e PS-së kanë tentuar të përbaltin integritetin e procesit, por dhe të krijojnë keqbesim e konfuzion tek ata që e ndjekin.
Artan Laze: Bëra disa vërejtje për bazën ligjore. Në diskutim nuk kishte asgjë politike.
Hysen Osmani: Materiali ka integritet dhe problemet mund të numërohen me gishtat e dorës. Thuhet se ka 870 vota tepër. 570 vota janë gjetur në kuti të gabuara. Kjo diferencë është e lejueshme.
Dëshira Subashi: Mënyra se si është organizuar nuk më duket e përshtatshme si një akt që nxjerr një administratë zyrtare. Akti administrativ nuk mund të marrë përsipër titullin e zbatimit të një vendimi. Kolegji Zgjedhor ka prishur vendimet e KQZ, duke i lënë disa detyra. Aktit i mungon baza ligjore e thelbit që ne diskutojmë sot. Neni 122, pika 6 dhe neni 123 i Kodit Zgjedhor, propozoj që t’i shtohen këto baza ligjore aktit të veçantë. Nuk dua të aludoj dhe të bëj një përcaktim se kjo nuk ka ndodhur. Ky akt ka nevojë për të arsyetuar problematikën që prodhoi hetimi. Nga këto mospërputhje propozoj rinumërim të rezultatit zgjedhor për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në bazë të nenit 139 të Kodit Zgjedhor.
Artan Ristani: Mbi ç’bazë e bëni këtë? Të Kujt neni?
Dëshira Subashi: Gjeje vetë. (Të qeshura në sallë)
Arben Ristani: Në një qendër votimi, 503 vota vijnë ngaqë në një tabelë të caktuar numëruesit kanë harruar të vendosin një shifër, nuk kanë shënuar totalin. Janë 367 të tjera të shpërndara diku-diku që nuk rakordojnë në tabelë. Sikur u mbyll rezultati paraprak dhe në vazhdim, nuk ka abuzim, s’ka të bëjë me KQZ-në. Në total janë 870 vota.

PD: Basha, 95 vota

Partia Demokratike pretendon se kandidati i saj Lulzim Basha është para me një diferencë prej 95 votash dhe jo 93, siç u tabulua në rezultat. Sipas përfaqësuesit të PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, është bërë një gabim në mbledhjen e rezultatit në disa qendra votimi, konkretisht në Njësinë Nr. 10, ku kandidati Rama është me një votë më shumë në 2 qendra votimi. Sipas tij, nëse i hiqen këto vota, atëherë kandidati i PD-së shkon në 95 vota para. Gjithsesi, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, u shpreh se një pretendim të tillë
PD duhet ta shprehë në një proces ankimor, nëse do të ketë një të tillë.

Ristani: Kutitë e dëmtuara, asnjë ndikim në rezultat

Kryetari i KQZ, Arben Ristani, bëri dje me dije rezultatin e hetimit administrativ për të gjitha kutitë e votimit, të cilat rezultuan me probleme gjatë numërimit të votave të gabuara. Sipas tij, në përfundim të këtij hetimi, nuk u konstatua asnjë problematikë e cila mund të çojë në pavlefshmëri. Në lidhje me fletët e gjetura jo në zarfe, Ristani tha se ndodheshin aty për shkak të mungesës së trajnimeve. “Përfundimi është i qartë jashtë çdo lloj dyshimi: këto fletë votimi nuk ishin hedhur më pas. Ato janë mbajtur jashtë zarfeve respektivë nga GNV-të, me arsyetimin se nuk i përkisnin kutisë përkatëse të votimit dhe, për pasojë, nuk mund të administroheshin si pjesa tjetër e fletëve të votimit që i përkasin kësaj kutie”, tha ai. Në lidhje me kutitë e çara gjatë transportit, u shpreh se hetimi nxori që ato nuk kishin asnjë ndërhyrje nga jashtë, siç mund të pretendohej. “Pas përfundimit të hetimit të thelluar administrativ u procedua me zbatimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor, rezultati i të cilit është i pasqyruar në tabelat përkatëse bashkëlidhur këtij vendimi. Gjithashtu, gjatë zbatimit të kësaj procedure, grupet e numërimit të KQZ-së konstatuan në dy raste fletë votimi, të cilat ishin hedhur në kutinë e gabuar, por nuk i përkisnin qendrës së votimit në të cilën u gjendën, por një qendre tjetër votimi”, tha Ristani. Nga verifikimi paraprak, KQZ konstatoi se tri fletë votimi të gjendura në kutinë e QV-së nr. 1741/1 i përkisnin QV-së nr. 1734, çka u vërtetua nga verifikimi i vulës së QV-së në pjesën e pasme të tyre. Gjithashtu, rezultoi se dy fletë votimi të gjendura në kutinë e QV-së nr. 18611, nga verifikimi i vulës së QV-së në pjesën e pasme të tyre, i përkisnin QV-së nr. 1858. “Asnjë prej subjekteve pjesëmarrëse në hetimin administrativ nuk solli indice apo prova në dobi të ndonjë skenari tjetër alternativ apo të kundërt, i cili të lidhej me procesin e votimit apo me momente të tjera përpara numërimit. Fakti që këto kuti janë numëruar nga i njëjti grup numërimi e në të njëjtën tavolinë numërimi është provë e mjaftueshme për të vërtetuar hipotezën (dyshimin) se këto vota janë ngatërruar gjatë numërimit”, tha Ristani.

Hetimi

KQZ shprehu dje në relacionin e saj se ndërpreu hetimin e mëtejshëm në lidhje me pretendimet se mund të ketë pasur krim zgjedhor. “Dyshime të tilla nuk u paraqitën prej asnjërës palë në proces. Kodi i procedurave administrative dhe Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë nuk e lejojnë një konsum të paarsyeshëm resursesh dhe energjish për të provuar apo përgënjeshtruar hipoteza të pafundme teorike”, thuhet në relacion.

Kutitë e çara

Gjatë zbatimit të kësaj procedure, KQZ konstatoi se 8 kuti në momentin e transportit të tyre për në KQZ ishin të çara. Fletët e pavlefshme e votimit, brenda në zarfin e fletëve të votimit të pavlefshme, korrespondonin me numrin e votave të pavlefshme, të shënuar në tabelën e rezultatit të grupit të numërimit të KZAZ-së. Në kutinë për Këshillin e Njësisë Bashkiake të QV-së nr. 1696, në fund të kutisë, poshtë të gjitha zarfeve kishte fletë votimi jashtë zarfeve. Integriteti i materialit zgjedhor brenda në këto kuti ishte i pacenuar dhe konkluzionet e hetimit administrativ provuan se dëmtimet e tyre nuk kishin ndikuar në materialin zgjedhor.

Kodi i Pestë

Sipas hetimit, KQZ konstatoi dhe provoi se në të gjitha këto raste nuk bëhej fjalë për mungesë fizike të kodit të pestë të sigurisë. Hapësira në fjalë ishte e mbyllur dhe e izoluar sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor me kod sigurie të pacenuar. Numri identifikues i këtij kodi, përveçse në tabelën e rezultatit Model 56-11 që hartohet dhe firmoset nga GNV-ja e KZAZ-së përkatëse, shënohet sipas Kodit Zgjedhor edhe në procesverbalin e mbylljes së kutisë së votimit nga KQV dhe në Librin e protokollit të mbledhjeve të KQV-së. Ky numër identifikues shënohet gjithashtu edhe në procesverbalin Model PV-KZAZ-13, procesverbal i dorëzimit të kutive të votimit nga KZAZ-ja në KQZ.

Votat, jashtë zarfeve

Sipas Ristanit, gjetja e këtyre fletëve jashtë zarfit, por brenda kutisë së votimit, nuk i bën dot këto vota të pavlefshme. Së dyti, këto vota u gjetën në kuti, siguria dhe integriteti i të cilave nuk mund të vihej dhe nuk u vu në dyshim nga asnjëra prej palëve pjesëmarrëse. Kodet e sigurisë ishin të dokumentuara jashtë çdo dyshimi dhe aksesi në kuti mund të bëhej vetëm duke i thyer këto kode sigurie. Së treti, fakti që këto fletë nuk u gjetën brenda zarfit me votat e pavlefshme apo zarfit me votat e kontestuara provon vetëm efektin që ka sjellë mungesa e udhëzimeve dhe rregullave të posaçme. Përfundimi është i qartë jashtë çdo lloj dyshimi: këto fletë votimi nuk ishin hedhur më pas.

Fletët e qendrave të tjera

Nga verifikimi paraprak, KQZ konstatoi se tri fletë votimi të gjendura në kutinë e QV-së nr. 1741/1 i përkisnin QV-së nr. 1734, çka u vërtetua nga verifikimi i vulës së QV-së në pjesën e pasme të tyre. KQZ vlerëson se fakti që kutitë respektive të qendrës së votimit të cilës i përkisnin fletët e votimit dhe kutitë në të cilat ato fletë votimi u gjendën, janë numëruar nga i njëjti grup numërimi dhe se kjo është me rëndësi vendimtare për gjykimin e rastit. E thënë në mënyrë figurative, ky fakt provon jashtë çdo lloj dyshimi se kutia e QV nr. 1741/1 dhe kutia e QV nr. 1734 janë “takuar” me njëra-tjetrën në tavolinën e grupit të numërimit nr. 1 të VNV e ZAZ-së nr. 46.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura