Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesën ankimore të Partisë Socialiste për pavlefshmëri të procesit në Tiranë, duke vendosur mospranimin e shqyrtimit të kërkesës.Me një vendimmarrje 4 me 2, KQZ vendosi që PS duhet t’i drejtohet vetëm Kolegjit Zgjedhor, nëse ka ndonjë pretendim, pasi KQZ nuk ka më asnjë kompetencë. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, në cilësinë e relatorit të çështjes, u shpreh se të dyja pretendimet e PS-së në kërkesën e saj janë jashtë objektit dhe jashtë afateve ligjore. “Kërkesa e parë nuk pranohet për shqyrtim, pasi nuk plotëson kushtin për kompetencën, të cilën nuk e ka KQZ, por Kolegji Zgjedhor. Ndërsa kërkesa e dytë nuk përmbush kushtin për afatin ligjor. Nëse kalon afati 3-ditor, subjektet nuk mund të kërkojnë pavlefshmëri. Nuk mund të kërkohet pavlefshmëri e zgjedhjeve, nëse është shpallur fituesi”, tha Ristani. Në këtë mënyrë, PS-së i mbetet vetëm Kolegji Zgjedhor si hap i fundit për të ankimuar procesin, për të kërkuar pavlefshmëri në 284 qendra votimi në Tiranë. Por, përfaqësuesit juridikë të PS-së në KQZ u shprehën se kërkesa e tyre është brenda kërkesave të Kodit Zgjedhor. “Kolegji shpalli nul rezultatin, ndërkohë nga ana tjetër KQZ shpalli rezultatin e ri. Kërkesa ankimore e PS është e bazuar në ligj dhe ankimimi ynë, plotësisht në afat. KQZ nuk informoi PS për vend-ankimimin. Ne ndodhemi përpara një tabele të re dhe rezultati të ri. Pas miratimit të një tabele të re, nisin afate të reja ligjore”, tha Genci Gjonçaj, avokati i PS. Por, nga ana tjetër, përfaqësuesit e PD-së u shprehën në favor të kryetarit Ristani. “PS kishte të drejtë se nëse e konsideronte veprimin e pavlefshëm, ta kundërshtonte, por ajo nuk e kundërshtoi. PS madje kërkoi që të shpallej fitues kandidati i saj me 10 vota para. Sa i përket shpalljes së pavlefshmërisë së zgjedhjeve, unë mendoj se PS e ka humbur afatin kohor, pasi e rëndësishme është koha kur e bën ankimin, unë mendoj se janë shkelur afat”, tha Kosovrasti. Krejt ndryshe janë shprehur anëtarët e opozitës në KQZ, nënkryetarja Dëshira Subashi dhe anëtari Artan Laze. Të dy u shprehën se kërkesa është brenda afateve ligjore dhe sipas kushteve të Kodit Zgjedhor. “Kërkesa e PS plotëson të gjitha kërkesat e Kolegjit Zgjedhor, si afatet edhe kompetencat. Unë gjykoj se pavlefshmëria e zgjedhjeve është brenda afatit ligjor dhe kjo është bazuar në nenin 161 të Kodit Zgjedhor. Jemi para vendimit të KQZ që shpreh hapur tabelat e Tiranës dhe sipas Kodit Zgjedhor ka përcaktuar se hallka e parë e ankimimit, KQZ, është kompetente për shqyrtimin e ankimimit”, tha Subashi.
284 qendra votimi
pretendon Partia Socialiste se ka mospërputhje të numrit të votuesve me fletët e gjetura në kuti. Në total janë 870 vota më shumë se zgjedhës, për të cilat palët ndajnë mendime të ndryshme
Kolegji Zgjedhor
Kolegji Zgjedhor do të jetë hallka e fundit për Partinë Socialiste për të kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi në Tiranë, çka mund të sjellë rivotim në të gjithë kryeqytetin. Kolegji Zgjedhor ka afat prej 10 ditësh për të dhënë një vendim në momentin e paraqitjes së kërkesës nga ana e ankimuesit, në këtë rast, Partia Socialiste. Ky vendim do të ishte fundi i sagës së zgjedhjeve në Tiranë.
Diskutimet në KQZ
Arben Ristani: Ky Kod parashikon ankimimin në KQZ, por është vendimi i KQZ-së për zbatimin e urdhërimeve të Kolegjit Zgjedhor gjatë procedurës ankimore, për të cilin kompetenca e shqyrtimit i takon ligjërisht Kolegjit Zgjedhor. Në këto kushte, kërkimi i parë i objektit të kërkesës ankimore duhet të rrëzohet nga KQZ-ja, për shkak se nuk plotësohet kushti për kompetencën i përcaktuar në shkronjën “a” të nenit 130 të Kodit Zgjedhor. Lidhur me kërkimin e dytë të objektit të kërkesës ankimore, kërkimin për pavlefshmërinë, verifikimi i elementëve të përcaktuar në nenin 130 të Kodit na çon drejt përgjigjes pozitive për kushtin për legjitimimin dhe për kompetencën, por na çon në mënyrë të pashmangshme drejt përgjigjes negative për kushtin për afatin ligjor.
Genci Gjonçaj (PS): Kolegji shpalli nul rezultatin, ndërkohë, nga ana tjetër KQZ shpalli rezultatin e ri. Kërkesa ankimore e PS është e bazuar në ligj dhe ankimimi ynë, plotësisht në afat. KQZ nuk informoi PS për vend-ankimimin. Ne ndodhemi përpara një tabele të re dhe rezultati të ri. Pas miratimit të një tabele të re, nisin afate të reja ligjore.
Njazi Kosovrastri (PD): PS kishte të drejtë se, nëse e konsideronte veprimin e pavlefshme, ta kundërshtonte, por ajo nuk e kundërshtoi, por madje kërkoi që të shpallej fitues kandidati i tij me 10 vota para. Sa i përket shpalljes së pavlefshmërisë së zgjedhjeve, unë mendoj se PS e ka humbur afatin kohor, pasi e rëndësishme është koha kur e bën ankimimin, unë mendoj se janë shkelur afat.
Dëshira Subashi: Kërkesa e PS plotëson të gjitha kërkesat e Kolegjit Zgjedhor, si afatet edhe kompetencat. Unë gjykoj se pavlefshmëria e zgjedhjeve është brenda afatit ligjor dhe kjo është bazuar në nenin 161 të Kodit Zgjedhor. Jemi para vendimit të KQZ që shpreh hapur tabelat e Tiranës dhe sipas Kodit Zgjedhor ka përcaktuar se hallka e parë e ankimimit të KQZ është kompetente për shqyrtimin e ankimimit.











