
“KQZ ka zbatuar vetëm ligjin dhe se kriter i punës së saj është shteti ligjor”. Kështu u shpreh sot kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani në përgjigje të akuzave të opozitës për vendimmarrjen e këtij institucioni.
“Kriter i vlerësimit të punës së KQZ-së është shteti ligjor dhe jo konferenca e radhës për shtyp e kujtdo partie politike në vend. Në mënyrë konsekuente ne kemi zbatuar ligjin dhe se kriter i vlerësimit është shteti ligjor”,- tha Ristani.
Ristani tha se mandati i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve mbaron në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa shtoi se, për institucionin që ai drejton kanë folur organizmat ndërkombëtarë.
“Puna që bëj është puna që dua dhe pëlqej”, ishte përgjigja e Ristani, i pyetur nga gazetarët nëse do të pranonte të ishte sërish në krye të KQZ-së, në rast të marrjes së një propozimi.
Ristani ishte sot pjesëmarrës në konferencën “Trashëgimia zgjedhore evropiane: 10 vjet të kodit të praktikës së mirë për çështjet zgjedhore”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisioni i Venecias.
© Panorama.al











