
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akuzoi dje dy partitë e opozitës, PS e PBDNJ, se po pengojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në komunën e Shalës, e fundit për të zgjedhur drejtuesit lokalë. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, në një konferencë për shtyp shprehu shqetësimin për përgatitjet e zgjedhjeve të kësaj të diele në komunën Shalë. “Edhe pse PD dhe LSI prezantuan kandidatët për anëtarë të komisioneve të qendrave të votimit, KZAZ-ja nuk ka kryer emërimet e tyre, ndërkohë që dy subjektet e tjera, PS dhe PBDNJ, nuk i kanë paraqitur fare ata”, tha Olli. Sipas tij, kjo situatë është e papranueshme, pasi kjo komunë po mban peng shpalljen e rezultatit përfundimtar të 8 majit. “Është e papranueshme që subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre në KZAZ të sillen me këtë papërgjegjshmëri, duke e ditur se komuna Shalë po mban peng shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve lokale dhe përfundimin e procesit zgjedhor të 8 majit”, shtoi Olli. Ai ka theksuar gjithashtu se baza materiale nuk ka shkuar ende në qendrat e votimit dhe kjo, sipas tij, është tentativë e pastër për të bllokuar qendrat e votimit. “Nëse ndodh, atëherë nuk do të zhvillohen zgjedhjet. KQZ-ja nuk do të tolerojë moszhvillimin e zgjedhjeve në Shalë, pasi kjo komunë po mban peng përfundimin e procesit zgjedhor të 8 majit”, ka shtuar Olli. I pyetur në lidhje me raportin e OSBE/ODIHR-it, Olli theksoi se një ndër pikat më të forta të raportit është neglizhenca dhe mosrespektimi i ligjit nga subjektet politike. Sipas tij, pesha e fajit i ka kaluar KQZ-së, ndërkohë që janë partitë politike ato që kanë vonuar në mënyrë të papërgjegjshme zgjedhjet. Ai ka shtuar se KQZ do ta japë mendimin dhe opinion e tij në momentin që zgjedhjet vendore të kenë përfunduar.











