Në zgjedhjet e lokale të mbajtura dje për pushtetin lokal kanë votuar gjysma e qytetarëve me të drejtë vote, nga rreth 3.1 milionë me të drejtë vote. Megjithëse orari zyrtar për të votuar ishte nga ora 07:00 deri në 19:00, në shumë qendra të votimit në Tiranë u votua edhe rreth 60 minuta më shumë, për shkak të numrit të madh të qytetarëve që ishin në radhë. Ndërkohë, ishte edhe një qendër tjetër, e konstatuar nga KQZ-ja në orën 23.30 të mbrëmjes, në shkollën “Avni Rustemi” në Njësinë Bashkiake Nr. 10, ku votimi vazhdonte akoma edhe me një numër shumë të vogël votuesish. Për sa i përket pjesëmarrjes në qarkun e Kukësit është shënuar numri më i madh i zgjedhësve, ku i janë drejtuar kutive të votimit 66.9 për qind e qytetarëve. Pas Kukësit vjen qarku i Dibrës me 58.8 për qind të votuesve dhe Shkodra me 58.6 për qind e votuesve. Në qarkun e Tiranës, ku veç qytetit përfshihet Kamza, Kavaja dhe një numër i madh komunash, kanë marrë pjesë në zgjedhje 38.1 për qind e votuesve. Tirana është edhe qarku me pjesëmarrjen më të vogël. Gjatë ditës së djeshme u zhvilluan katër mbledhje, ku anëtarët e komisionit u informuan mbi problemet në zona të caktuara. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, u shpreh se një problem ishte me bojën e gishtit, e cila sipas saj fshihej pasi dilje nga qendra e votimit. “Bojës matrikuluese KQZ nuk i dha vëmendjen e duhur dhe, nga eksperienca, përvoja, por edhe nga çështja praktike që unë e provova vetë ditën e votimit, e bëra prezent faktin në mbledhjen e KQZ. Pasi votova, pasi kreva gjithë procedurën për 3-4 min, dola nga qendra e votimit me një letër të lagur të zakonshme dhe e verifikova këtë fakt që denoncoi PS. Më rezultoi e vërtetë, boja matrikuluese u fshi”. Ndërsa kreu i komisionit, Arben Ristani, hodhi poshtë këtë pretendim duke thënë se boja matrikuluese është prodhuar nga një kompani gjermane e cila është bërë dhe më parë, dhe se është cilësore. “Unë vetë kam votuar herët në mëngjes dhe mund ta shihni edhe ju që boja në gisht ende nuk më ka ikur”- tha Ristani. Nga 384 njësi vendore në Shllak të Shkodrës nuk është zhvilluar votimi për shkak se komisionerët e PS-së janë larguar së bashku me vulën dhe në komunën Pishaj në Elbasan është zhvilluar votimi vetëm për këshillin komunal, pasi në fletën e votimit kandidati i PS-së kishte germat nistore të “Aleancës për qytetarin” dhe ai i PD-së me germat nistore të “Aleancës për të ardhmen”.
Pjesemarrja ne votime
QARKU Gjithsej Femra
BERAT 47.7 52.4
DIBER 58.8 48.7
DURRES 48.7 35.1
ELBASAN 55.2 41.9
FIER 42.9 43.5
GJIROKASTER 55.3 44.7
KORÇE 52.0 45.6
KUKES 66.9 46.1
LEZHE 44.9 46.7
SHKODER 58.6 48.8
TIRANE 38.1 49.1
VLORE 42.1 42.1
Total rang vendi 50.9 45.4











