
KQZ pranon propozimin e PD, vendimi duhej marrë para 15 marsit.
Kërkesa për në Kushtetuese, vetëm më 3 janar 2013.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje me 6 vota pro kërkesën e Aleancës Kundër Importit të Plehrave për zhvillimin e referendumit për shfuqizimin e një pjese të ligjit të mbetjeve.
Por, anëtarët e KQZ-së janë ndarë në votim për datën se kur KQZ-ja duhet t’i përcjellë kërkesën për referendum Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Presidentit. Sipas vendimit të marrë dje vetëm me 4 vota pro nga të zgjedhurit e shumicës dhe 2 kundër të opozitës, u vendos që KQZ-ja të dërgojë kërkesën e shoqërisë civile për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese më datë 3 janar të vitit 2013. Propozimi për caktimin e kësaj date erdhi nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti, i cili interpretoi dy nene, 129 dhe 119 të Kodit Zgjedhor dhe nenin 152 të Kushtetutës, sipas të cilave kërkesa e grupit nismëtar për zhvillimin e referendumit ishte jashtë afatit. Sipas Kosovrastit, afati fundor i përcaktuar në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor është data 15 mars, dhe si e tillë kërkesa e Aleancës Kundër Importit të Plehrave, edhe pse u miratua dje, do të mund të dërgohej për interpretim në Gjykatën Kushtetuese janarin e vitit të ardhshëm. Ky interpretim ligjor ka befasuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesit politikë dhe anëtarët e shoqërisë civile, të pranishëm në sallën e mbledhjeve të KQZ-së.
Kushtetuta
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike deklaroi se sipas Kushtetutës referendumet mund të zhvillohen një herë në vit dhe në një datë të vetme. Sipas tij, nenet 129 dhe 119 të Kodit Zgjedhor dhe të Kushtetutës caktojnë datën 15 mars si afatin e fundit kur procedura e verifikimit të firmave nga KQZ dhe vendimmarrja e saj duhet të jenë të mbyllura, në mënyrë që të procedohet me shqyrtimin ligjor në Gjykatën Kushtetuese dhe me dërgimin për caktimin e një date nga ana e Presidentit të Republikës. “Në Kushtetutë, në nenin 152, pika 3 thuhet se gjatë vitit referendumet zhvillohen vetëm me një ditë dhe qëllimisht në nenin 119, pika 6 dhe nenin 129 pika 1, ky element reflektohet me një datë dhe ligjvënësi ka vendosur 15 marsin, që i thotë që të gjithë ata që janë të interesuar që mund të kenë më shumë se një kërkesë për zhvillimin e referendumit, thuhet kërkesat unë i pres deri në 15 mars të mbyllura të gjitha procedurat, dhe pastaj fillon procedura me Gjykatën Kushtetuese dhe me Presidentin e Republikës”, deklaroi Kosovrasti. Një propozim i tillë është mbështetur edhe nga administrata e KQZ-së, dhe sipas sekretares së Përgjithshme, Anjola Hasnjoku, data kur KQZ duhet t’i dërgojë kërkesën Gjykatës Kushtetuese, sipas interpretimit, rezulton se duhet të jetë 3 janari i vitit 2013. Por, ky propozim u kundërshtua nga përfaqësuesi juridik i PS-së, Eridjan Salianji, i cili deklaroi se KQZ-ja nuk duhet të bllokojë dërgimin e kërkesës për referendum në Gjykatën Kushtetuese, pasi në këtë mënyrë rrezohej principi i kërkesës, dhe referendumi rrezikon të zvarritet deri në fund të 2013-s, për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Artan Lazaj, deklaroi dje se tentativa e juristit të Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti, për të zvarritur procedurat e referendumit ishte hartuar me hollësi në bashkëpunim me kryetarin, Arben Ristani.
Pjese nga debati ne KQZ
Arben Ristani: Ne kemi thënë që 70 % të kampionit që ne çuam për verifikim ishin të falsifikuar, prandaj është e papranueshme që të thuhet se procese të tilla ne e dimë si po kalojmë në Shqipëri. Na vjen keq që nuk pajtoheni dhe të thoni që shumica e firmave janë hedhur nga e njëjta dorë.
Eridjan Salianji: Koha që na u mor nga mbledhja e mëparshme shpresojmë që ju si kryetar ta keni përdorur për të marrë një vendim përfundimtar mbledhjen e sotme dhe të na thoni nëse nga ai numër firmash janë apo jo 50 mijë firma të vlefshme.
Arben Ristani: Ne do të marrim një vendim, pasi të kenë përfunduar të gjitha diskutimet.
Fatos Lubonja: Më lejoni të vë në dukje një gjë të rëndësishme. Ky ligj bën fjalë për prurjen e plehrave në Shqipëri. Atëherë, kur merret një vendim shikohet në të gjitha aspektet. Në këtu vijmë si palë e interesuar dhe nuk duam që të na mbulojnë apo të na kundërshtojnë përfaqësues të forcave politike. Nuk është ky qëllim ynë. Ky referendum që kërkojmë nuk do të bëhet vetëm për fëmijët e mi, por dhe të Kosovrastit, Gjonçajt etj. Ju duhet të tregoni se jeni arbitër midis pretendimit tonë për të mos lejuar futjen e këtyre plehrave në Shqipëri dhe atyre që e kanë bërë këtë ligj për interesat e veta. Nuk duhet të vijnë partitë e të na ndajnë dhe ta kthejmë komisionin në arenë debatesh.
Eridjan Salianji: Nëse do të shtyhet afati i dorëzimit të kërkesës për referendum në Gjykatën Kushtetuese në kohë, çfarë ndodh? Ndodh që e drejta e zgjedhësve për të kërkuar referendum nuk zbatohet dhe do të thotë që bie principi i kërkesës për referendum. Sepse në këtë logjikë, referendumi do të zhvillohet në fund të vitit 2013.
Anjola Hasnjoku: Momenti i përcjelljes në Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç e lexoj unë ligjin në nenin 119, shprehet qarte se kërkesa përcjelljet në vitin pasardhës.
Arben Ristani: Nuk e di çfarë kanë pasur parasysh ligjvënësit kur e kanë shkruar këtë pjesë për referendumet.
Lavdosh Ferruni: Zoti Ristani, ne këtu jemi thjesht përfaqësuesit e mbi 50 mijë firmëtarëve që kërkojnë të bëjnë një referendum dhe që e kanë firmosur atë formular në mes të acarit të janarit, shkurtit dhe marsit dhe mos e zhgënjeni këtë mori njerëzish që të nxirrni skupe, siç po nxirrni sot, sepse ne e kemi dorëzuar kërkesën para 15 marsit. Pra, në qoftë se ju do të donit, mund t’i mbaronit procedurat.
Arben Ristani: Ka një problem tjetër, ta lexoj unë ligjin, sepse po e interpreton gabim. Nuk flet për kërkesë të paraqitur brenda 15 marsit, por ligji thotë që brenda kësaj date duhet të jetë përmbyllur.
3 janar, kërkesa në Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të mund të shqyrtojë kërkesën e Aleancës Kundër Importit të Plehrave vetëm në datën 3 janar të vitit 2013. Edhe pse vendimi u miratua dje, kërkesa e AKIP-së do të qëndrojë “pezull” në KQZ për të respektuar këtë vendim detyrues dhe më pas për të vijuar procedurat për referendumin vitin e ardhshëm.
Kosovrasti befason KQZ-në: Duhet “prenotim” para 15 marsit

Përfaqësuesi i ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti, ka befasuar të pranishmit në mbledhjen e djeshme, teksa iu referua dy neneve të Kodit Zgjedhor të vitit 2003, që kanë të bëjnë me referendumet dhe sipas të cilave kërkesa e grupit nismëtar i referendumit ishte jashtë afateve për t’u dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Propozimi i Kosovrastit ka gjetur të papërgatitur edhe anëtarët, edhe përfaqësuesit ligjorë të KQZ-së. Sipas tij, Kushtetuta ka parashikuar rastet kur në një vit kalendarik të zhvillohen më shumë se një referendum, por ato duhet të zhvillohen në një ditë të vetme. Kosovrasti theksoi se data 15 mars duhet respektuar për shkak se pengon dhe u heq të drejtën kërkesave të tjera që mund të paraqiten për referendum. “Në mënyrë që po të ketë 2 apo tre kërkesa për referendum, t’i vendos ato në një ditë të vetme, që t’i përgjigjen nenin 152, pika 3, prandaj, edhe atje e ka lidhur kërkesën te neni 129/1 dhe t’i thotë KQZ-ja që mbasi të miratosh vendimin, do ta çosh kërkesën në Gjykatë Kushtetuese, por gjithmonë jo sapo të vijë, por duhet ta çosh duke përmbushur kërkesat e nenit 119, dhe ky nen nuk thotë vetëm 5 pikat e para, por ka dhe pikën 6 “, deklaroi Kosovrasti.
Arben Ristani
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u shpreh dje i habitur nga propozimi i juristit të Partisë Demokratike, i cili propozoi se kërkesa për referendum duhet të zhvillohet vitin e ardhshëm dhe se ishte jashtë afatit të parashikuar në Kushtetutë. “Nuk e di çfarë kanë pasur parasysh ligjvënësit kur e kanë shkruar këtë pjesë për referendumet. Ligji nuk flet për kërkesë të paraqitur brenda 15 marsit, por ligji thotë që brenda kësaj date duhet të jetë përmbyllur”, tha Ristani.Artan Lazaj
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Artan Lazaj, deklaroi dje se interpretimi ligjor për të shtyrë në maksimum kërkesën për zhvillimin e referendumit ishte hartuar në bashkëpunim, nga përfaqësuesi i PD-së dhe nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. “Administrata kishte të gjithë kohën që ta paraqiste këtë opsion në mbledhjen e djeshme dhe kjo më ngre dy pikëpyetje: ose administrata nuk e di ligjin, ose kjo është një lojë e përgatitur me shumë hollësi”, tha ai.Andi Kananaj
Një nga përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave, Andi Kananaj, e ka quajtur dje si të pakuptimtë qëndrimin e KQZ-së për të miratuar një vendim i cili do të dërgohej për shqyrtim një vit më vonë në Gjykatën Kushtetuese. Kananaj tha se një afat i tillë nuk ekziston në vende të tjera dhe se Gjykata e Strasburgut i merr vendimet jo më vonë se 6 muaj. “Çfarë kuptimi ka që të merret sot vendimi dhe të çohet për vendim pas shtatë muajsh? Edhe Strasburgu, 6 muaj e ka afatin”, tha ai.
Rrëzohet referendumi për plehrat
Dështon iniciativa e shoqërisë civile, nuk ka referendum 6 muaj para zgjedhjeve dhe 3 muaj pas tyre

PD gjen argumentin ligjor për shtyrjen te Kodi Zgjedhor i PS.
Referendumi për moslejimin e importit të mbetjeve, edhe pse u miratua dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të zhvillohet vetëm në nëntor – dhjetor të vitit 2013 dhe me gjasa mund të kalojë edhe për në vitin 2014.
Zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare janë shkaku kryesor i shtyrjes së referendumit, sepse sipas Kodin Zgjedhor një nismë e tillë popullore nuk mund të zhvillohet më herët se 6 muaj para datës së zgjedhjeve. Kjo mund të jetë një koincidencë ose një taktikë e zgjedhur nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike në KQZ, nëpërmjet procedurave ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor të vitit 2003, i cili me gjasa është “harruar” të studiohet nga grupi nismëtar dhe nga përfaqësuesit ligjor të PS-së. “Kombinimi” i neneve të Kodit Zgjedhor, të miratuar nga maxhoranca socialiste në vitin 2003, lë shteg për interpretim dhe për shtyrjen e referendumit, për një afat kohor prej 2 vitesh. Në nenin 119 të Kodit Zgjedhor, në pikën e parë të tij thuhet se “asnjë referendum kushtetues ose i përgjithshëm nuk mund të zhvillohet datën e zgjedhjeve për Kuvend ose për organet e qeverisjes vendore”. Në vitin 2013 do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe sipas gjasave, në muajin qershor. Kërkesa e grupit nismëtar për referendum do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese më datë 3 janar 2013. Kushtetuesja, sipas ligjit, ka në dispozicion 60 ditë kohë, pra 2 muaj për të marrë një vendim dhe në këto kushte mbeten vetëm 3 muaj para datës së zgjedhjeve, çka e pengon zhvillim e referendumit. Zgjedhjet parlamentare mund të përfundojnë në muajin shtator, që është dhe afati kohor që realizohet betimi i ligjvënësve, por në Kod është parashikuar që ky referendum nuk mund të zhvillohet edhe tre muaj pasi të ketë marrë detyrën Kuvendi i ri. “Nuk mund të zhvillohet referendum kushtetues ose i përgjithshëm gjatë periudhës nga gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, deri tre muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri”, thuhet në nenin 2 të Kodit Elektoral të vitit 2003.
Rrëzimi
Kërkesa e paraqitur nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave, sipas vendimit të KQZ-së, praktikisht është e “rrëzuar”, pasi afati që do të duhet të presë për realizim është rreth 2 vite. Ajo që e vështirëson më shumë zhvillimin e referendumit është dhe neni 119 dhe pika gjashtë e tij, që fut në “lojë” Kushtetutën dhe datën 15 mars të çdo viti, si afatin fundor për të miratuar kërkesën për referendum. “Ne përputhje me pikën 3 të nenit 152 të Kushtetutës, kërkesat për referendum, që nuk kanë kaluar nëpër të gjitha procedurat e këtij kreu, brenda datës 15 mars të çdo viti, pavarësisht se kur janë paraqitur, shtyhen deri në vitin pasardhës”, thuhet në nenin 119. Ndërkohë që dhe Presidenti i Republikës ka një afat kohor prej 45 ditësh për të caktuar datën e referendumit, por gjithnjë vetëm pasi të ketë marrë pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese.
NENET E KODIT DHE KUSHTETUTES
NENI 152
1. Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum, sipas nenit 150, paragrafët 1 e 2, nenit 151, paragrafët 2 e 3 edhe sipas nenit 177,
paragrafët 4 e 5 brenda 60 ditëve.
2. Rëndësia e çështjeve të veçanta, të parashikuara në nenin 150, paragrafët 1 e 2, nuk është objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese.
3. Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës, brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata
Kushtetuese duhet të shprehej. Gjatë vitit, referendumet zhvillohen vetëm në një ditë.Neni 119
Kufizime në ushtrimin e të drejtës së referendumit
1. Asnjë referendum kushtetues ose i përgjithshëm nuk mund të zhvillohet datën e zgjedhjeve për Kuvend ose për organet e qeverisjes vendore.
6. Në përputhje me pikën 3 të nenit 152 të Kushtetutës, kërkesat për referendum, që nuk kanë kaluar nëpër të gjitha procedurat e këtij kreu, brenda datës 15 mars të çdo viti, pavarësisht se kur janë paraqitur, shtyhen deri në vitin pasardhës.Neni 129
Shqyrtimi i kërkesës nga Gjykata Kushtetuese
1. Pas verifikimit të rregullsisë së kërkesave, KQZ-ja ia përcjell kërkesat për referendum te përgjithshëm Presidentit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenin 119 të këtij Kodi. KQZ-ja njofton njëkohësisht kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin për kërkesat e pranuara.
Ristani tërhiqet nga padia
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, u tërhoq dje nga kërkesa për të paditur në Prokurori falsifikatorët e firmave të dorëzuara për zhvillimin e referendumit. Pas debateve që kanë zgjatur për rreth një orë, të 5 anëtarët e KQZ-së u shprehen më votë për të mos kallëzuar penalisht falsifikimin e firmave të zbuluara në 62 mijë nënshkrimet e dorëzuara për referendumin.
Ferruni: Vendmi i KQZ absurd, do ndjekim çdo rrugë ligjore
Reagimi i përfaqësuesit të Aleancës Kundër Importit

Përfaqësuesi i Aleancës Kundër Importit të Plehrave, Lavdosh Ferruni, reagoi dje pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’ia dërguar Gjykatës Kushtetuese për interpretim më 3 janar kërkesën për referendumin e plehrave. Ai tha në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes se vendimi i KQZ-së është kundër interesave të vendit. Ferruni e ka cilësuar si absurd vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që miratoi kërkesën, por të cilën do ta arkivojë për rreth një vit. Aktivistët e shoqërisë civile, pas vendimit, u shprehen se do të ndjekin në vazhdim në rrugë ligjore të gjithë procesin që shoqëroi vendimmarrjen e KQZ-së. Për Aleancën Kundër Importit të Plehrave, KQZ, me anë të procedurave ligjore, bllokoi vullnetin e 50 mijë qytetarëve, të cilët dorëzuan në KQZ përveç nënshkrimeve, edhe kartën e identitetit. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me këtë vendim mban në sirtar referendumin deri në vitin 2013. Por, në këtë kohë nuk mund të zhvillohet, për shkak të zgjedhjeve”- deklaroi Ferruni. Ai bëri me dije se aleanca do të dalë brenda pak ditëve me të tjera alternativa.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











