KQZ numëron Shalën, fiton PS

Aug 23, 2011 | 11:12

Pas gati 3 muaj e gjysmë nga data e zgjedhjeve lokale, KQZ-ja ka mundur të mbyllë procesin e votimit në 384 njësitë vendore në të gjithë vendin.Komuna e fundit ku nuk kishte ende një fitues të këtyre zgjedhjeve ishte Shala në qarkun e Shkodrës. Edhe për këtë komunë u desh ndërhyrja e KQZ-së, e cila urdhëroi që kutitë të numëroheshin në Tiranë, çka shmangu një tjetër vonesë. Në përfundim të procesit të numërimit në ambientet e KQZ-së, që zgjati rreth 4 orë, rezultoi fitues kandidati i PS-së, Palë Vuksani, i cili ka marrë 644 vota, ndërsa kandidati i PD-së Dedë Tonaj ka marrë 642 vota. Pas mbylljes së votimit, mesnatën e të dielës, kutitë e pesë qendrave u dërguan në qytetin e Shkodrës, ku ishte vendosur edhe KZAZ-ja që do të ndiqte nga afër procesin e numërimit. Por, në këtë moment, sipas përfaqësuesve të KQZ-së që kanë ndjekur situatën, PS dhe PBDNJ kanë kërkuar që të futen brenda ambienteve të KZAZ-së edhe deputetët e opozitës, çka nuk u pranua nga demokratët. Rreth orës 4 të mëngjesit, ka dhënë dorëheqjen sekretari i KZAZ-së, përfaqësues i PD-së, me argumentin se ndihej nën presion. Në të njëjtën kohë, PD-ja dhe LSI-ja nuk dërguan emrat e anëtarëve të grupit të numërimit, çka bëri që puna të ndalohej. Në orën 10:30, KQZ-ja u mblodh duke vendosur që e gjithë baza materiale të vinte në Tiranë. Përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji, kundërshtoi vendimin duke thënë se “Situata mund të zgjidhet shumë mirë atje, duke çuar PD-ja sekretarin dhe anëtarët e grupeve të numërimit”. Por, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, theksoi se bllokimi i situatës vjen nga e njëjta forcë politike, që nuk lejoi të bëheshin zgjedhje në 31 korrik, duke nënkuptuar PS-në. Rreth orës 15.00, një helikopter i ardhur nga kryeqyteti dhe nën masa të rrepta sigurie nga ana e policisë së Shkodrës ka dërguar në Tiranë të gjithë bazën materiale të komunës Shalë, e cila iu nënshtrua numërimit nga dy grupe të ngritura prej KQZ-së.

106 dite
Nga dita e përcaktuar me dekret të Presidentit për të mbajtur zgjedhjet lokale, kanë kaluar 106 ditë dhe procesi ende nuk është  përmbyllur

Replikat në KQZ

Ristani: Ka qenë një politikë në vazhdimësi për të prishur zgjedhjet në këtë komunë nga 2 deputetë që i prishën edhe në 31 korrik.
Salianji: Përgjigju ku është sekretari i KZAZ.
Ristani: Mos fol pa leje, të ka rënë dielli në kokë nga pushimet.
Salianji: Ty të ka rënë raporti i OSBE kokës e nuk di çfarë flet tani.
Ristani: S’ta jap më fjalën se je i paedukatë.
Salianji: Mos më fol mua për edukatë, o gangster. Kanë bërë 30 faqe për edukatën tënde.

 

ADI SHKEMBI/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura