Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë sot hapjen e kutive të Tiranës.Dje u shty miratimi i vendimit me kërkesë të Partisë Socialiste për të pasur më shumë kohë për t’u njohur me projektvendimin e KQZ-së. Por, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, u shpreh se ditën e sotme, me miratimin e vendimit do të nisë menjëherë procesi i hapjes së 1472 kutive. Në projektvendimin e KQZ-së që pritet të miratohet sot, i cili edhe mund të ndryshohet, parashikohen hapat proceduriale për zbatimin e Vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të hapur të gjitha kutitë e Tiranës e për të numëruar fletët e hedhura në kutitë gabim, nëse ka të tilla. Sipas projektvendimit, do të ngrihen 8 grupe numërimi për të hapur kutitë. “KQZ për numërimin dhe rivlerësimin e votave, që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, do të ngrejë tetë grupe numërimi, sipas lidhjes bashkëlidhur këtij vendimi”, thuhet në projektvendim që pritet të miratohet sot në orën 10:00 të mëngjesit. Në pikat e tjerë përcaktohet që një grup numërimi do të hapë njëkohësisht të katra kutitë e votimit të një qendre votimi. Nëse do të gjinden vota, ato menjëherë do të shënohen në tabela për rezultat. Secili nga grupet e numërimit të KQZ-së do të hapë katër kutitë e të njëjtës qendër votimi. Votat e gjetura në kutinë e gabuar në secilën kuti do të numërohen dhe rivlerësohen nga grupet e numërimit të KQZ-së dhe do të pasqyrohen në Tabelën Model 58-11, sipas modelit bashkëlidhur këtij vendimi. Në përfundim të procesit të numërimit dhe rivlerësimit për çdo QV, grupi i numërimit të KQZ-së miraton Tabelën Model 58-11″, thotë Vendimi. Ky projektvendim përcakton më tej se partitë politike të interesuara do të kenë vëzhguesit e tyre të pranishëm dhe, nëse ata kanë kontestime, atëherë mund t’i drejtohen KQZ-së dhe t’ia bëjë asaj kontestimin. Më pas, KQZ do të vlerësojë votën, nëse është e vlefshme ose e pavlefshme. “Pranë çdo grupi numërimi subjektet zgjedhore kanë të drejtë të caktojnë nga një vëzhgues. Në rast se vëzhguesi vëren parregullsi gjatë procesit të hapjes së kutive të votimit, ngre dorën dhe rastin ja bën prezent KQZ. Numërimin do të fillojë në datën 18.06.2011, ora 10:00, në sallën e mbledhjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet më tej. Në fund të procesit do të ketë edhe një rakordim të shifrave në tabelat respektive dhe në fond hartohet edhe tabela përmbledhëse për rezultatin në të gjitha njësitë vendore brenda Bashkisë së Tiranës. “Në përfundim të procesit të numërimit dhe rivlerësimit të votave, që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi, në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, KQZ do të miratojë tabelën e përfundimtare të grupit të numërimit dhe mbi bazën e tyre do të hartoje tabelën përmbledhëse të rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë”, përfundon akti i KQZ-së, i cili do të miratohet sot. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor detyron KQZ-në që të hapë të gjitha kutitë e votimit. “Vetëm nëpërmjet këtij hetimi të plotë administrativ dhe verifikimit të lëvizjes së fletëve të votimit, objekt hetimi administrativ, nga një kuti votimi në tjetrën, do të mundësohet zgjidhja e mospërputhjes së të dhënave në tabelën përmbledhëse dhe leximi i të gjitha votave, pavarësisht se për kë janë hedhur: kryetar bashkie, këshill bashkiak, kryetar njësie bashkiake apo këshill. Ky hetim duhet t’i shërbejë zbatimit praktik të parimit të barazisë së votës dhe pasqyrimit të vullnetit të të gjithë zgjedhësve”, thuhet në arsyetimin ligjor të Vendimit të Kolegjit Zgjedhor.
Projekt-Vendimi i KQZ
1. Ekzekutimin e Vendimit Nr. 67 të datës 13.06.2011 të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë.
2. KQZ për numërimin dhe rivlerësimin e votave që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi, në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake do të ngrejë tetë grupe numërimi, sipas lidhjes bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Secili nga grupet e numërimit të KQZ-së do të hapë katër kutitë e të njëjtës qendër votimi. Votat e gjetura në kutinë e gabuar në secilën kuti do të numërohen dhe rivlerësohen nga grupet e numërimit të KQZ-së dhe do të pasqyrohen në Tabelën Model 58-11, sipas modelit bashkëlidhur këtij vendimi. Në përfundim të procesit të numërimit dhe rivlerësimit për çdo QV, Grupi i Numërimit të KQZ-së miraton Tabelën Model 58-11 .
4. Pranë çdo grupi numërimi subjektet zgjedhore kanë të drejtë të caktojnë nga një vëzhgues. Në rast se vëzhguesi vëren parregullsi gjatë procesit të hapjes së kutive të votimit, ngre dorën dhe rastin ia bën prezent KQZ.
5. Numërimi do të fillojë më datën —.06.2011, ora 10:00, në sallën e mbledhjeve të Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
6. Në përfundim të procesit të numërimit dhe rivlerësimit të votave, që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi, në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, KQZ do të miratojë tabelën e përfundimtare të Grupit të Numërimit dhe mbi bazën e tyre do të hartoje tabelën përmbledhëse të rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë.
PS do të monitorojë transportin e kutive
Partia Socialiste do të monitorojë lëvizjen e kutive të votimit nga magazinat ku ruhen në Lundër e deri sa të mbërrijnë në KQZ. Ky shqetësim u ngrit dje në KQZ nga përfaqësuesi juridik i PS-së, Genci Gjonçaj, dhe u mirëprit nga kreu i KQZ-së, Arben Ristani. “Ne kemi kërkuar monitorimin e ambienteve ku ruhen kutitë”, tha Gjonçaj. “Nesër në mëngjes, nëse dëshironi, shkoni dhe monitoroni transportin e kutive”, u shpreh Ristani. Mësohet se një përfaqësues i PS-së do të monitorojë nga afër marrjen e kutive të votimit nga magazina në Lundër e më pas do të shoqërojë atë në ambientet e KQZ-së. Por, edhe më tej socialistët do të vëzhgojnë nga afër kutitë e votimit për të ruajtur integritetin e tyre. Por socialistët kanë kërkuar më shumë, pasi i kanë paraqitur një kërkesë kreut të KQZ-së, Arben Ristani, që një përfaqësues i tyre të monitorojë gjatë gjithë kohës kutitë e votimit në magazinën ku ato mbahen, në Lundër. Këtë shqetësim ngriti po dje përfaqësuesi juridik i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, i cili këmbënguli në plotësimin e kërkesës së opozitës për të pasur njeriun e saj për të ruajtur kutitë e votimit. Shpeshherë opozita ka pasur pretendime në lidhje me integritetin e kutive të votimeve, madje duke hedhur akuza që ato mund të preken dhe të manipulohet rezultati. Por ky pretendim është rënë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili monitoron sigurinë e tyre dhe vendos për integritetin e tyre në bazë të kodeve të sigurisë që ato mbajnë sipër. Mosakordimi i kodeve të sigurisë sjell automatikisht pavlefshmërinë e kutisë së votimit.
KQZ ndan mandatet në disa qarqe
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndau dje mandatet për këshillat bashkiakë dhe komunalë dhe disa qarqet të vendit si në Elbasan, Tiranë, Gjirokastër, Kukës etj. Vlen të theksohen disa rezultate për këto ndarje, kur në komunën e Lazaratit koalicioni i djathtë do të ketë 12 këshilltarë, ndërsa i majti vetëm 1 këshilltar. Në Kavajë PS do të ketë vetëm 7 këshilltarë nga 25 që ka gjithsej Bashkia dhe pjesa tjetër janë këshilltarë të djathtë. Në Bashkinë e Bajram Currit u shty miratimi i mandateve, pasi do të bëhet edhe një hetim mbi tabelat e rezultateve. Në Bashkinë e Tepelenës e majta do të ketë 9 këshilltarë, ndërsa e djathta do të ketë 6 këshilltarë. Në Bashkinë e Memaliajt e majta do të ketë 8 këshilltarë, ndërsa e djathta do të ketë 7 të tillë. Po dje, KQZ ndau mandatet në disa komuna të Elbasanit, si në Labinot-Mal, Shushicë-Elbasan, Bradashesh etj. Po dje, në KQZ u vendos që ditën e hënë të hapen dhe të hetohen dy kuti votimi në komunën Zharrës të Fierit, ku kandidati i PD-së ka fituar vetëm me një votë diferencë. PS kërkon dhe pretendon se në këto dy kuti ka vota të hedhura gabim, të cilat duhet të përfshihen në rezultat, me shpresën se kandidati i PS do të fitojë ndonjë votë.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











