ODIHR rrëzon numërimin elektronik

May 13, 2012 | 11:39

Komisioni i Reformës Zgjedhore

PS dhe PD në prani të ekspertëve të ODIHR-it nuk bien dakord për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

ODIHR: Numërimi elektronik i parakohshëm, të zbatohet pjesërisht.

Komisioni i posaçëm Parlamentar i Reformës Zgjedhore u bllokua dje pasdite, shkak për këtë bllokim është bërë fati i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve.
PS dhe PD nuk bien dakord për formulën e kompozimit të komisionit dhe nisjen e mandatit të ri të anëtarëve të tij. Socialistët kërkonin që anëtari i shtatë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të ishte propozim i Presidentit të Republikës, ose i një prej institucioneve të pavarura të Drejtësisë. Gjithashtu, PS kërkonte që mandati i anëtarëve të rinj të KQZ-së të niste menjëherë dhe jo në dhjetor kur mbaron mandati i anëtarëve aktualë. Por, PD kërkon që të mos ndryshojë KQZ-ja aktuale deri në dhjetor, deri në mbarim të mandatit të tij. Në Komisionin e Reformës Zgjedhore palët nuk ranë dakord edhe për të drejtën që duhet të kenë dy anëtarë të KQZ-së, që sa herë bëjnë një kërkesë gjatë procesit të ankimimit, kërkesa e tyre të miratohet menjëherë pa u hedhur në votim. Vetëm dy ditë para mbarimit të mandatit të Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, duket se reforma do të mbetet në vend. Lëvizjet e fundit në funksion të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, do të rrezikojnë ngrirjen e reformës zgjedhore deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Elektronika
Ekspertët e ODIHR-it i kanë rekomanduar Komisionit të Reformës Zgjedhore të mos aplikojnë numërimin elektronik të votave në të gjithë vendin për zgjedhjet e ardhshme. Pasi kanë studiuar zonat zgjedhore, infrastrukturën zgjedhore dhe traditën e zgjedhjeve në Shqipëri, ekspertët e ODIHR-it e konsiderojnë të parakohshëm numërimin elektronik të votave. Edhe pse në konferencën dyditore të zhvilluar nga OSBE-ja dy muaj më parë, u paraqitën disa variante entuziaste të numërimit elektronik të votave dhe palët e pranuan në parim atë, ODIHR vlerëson se për të aplikuar këtë sistem, duhet testuar në pjesë të ndryshme të vendit për të bërë më pas korrigjimet e nevojshme dhe përdorur në fund këtë sistem në të gjithë vendin. Gjithashtu, ODIHR tërheq vëmendjen për të hartuar një kuadër ligjor të detajuar, strikt, të saktë dhe garant ndaj abuzimeve dhe mbrojtjes së të dhënave personale të votuesve, që do të përdoren gjatë identifikimit të zgjedhësve përmes kartës së identitetit.

Pikat ku palët ndahen
KQZ

. KQZ, cili do të propozojë anëtarin e shtatë, Presidenti, institucionet e pavarura të Drejtësisë, apo …?

. Kur do të fillojë mandati i KQZ-së, menjëherë sapo të zgjidhet, apo në dhjetor, kur mbaron edhe mandati i KQZ-së aktuale.

E drejta e anëtarit të KQZ-së të kërkojnë çdo material, pa e hedhur në votë, gjatë kohës së ankimimeve.

Numërimi elektronik

. ODIHR: Është i parakohshëm dhe jo i sigurt në të gjithë Shqipërinë. Të aplikohet pjesë-pjesë, vetëm në disa zona.

. Të hartohet një kuadër ligjor strikt dhe i qartë për ruajtjen e të dhënave personale të zgjedhësve.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura