
Ende pa rinisur dialog Kosovë – Serbi, zyrtarë të Bashkimit Evropian po paralajmërojnë një format të ri të takimeve mes shqiptarëve dhe serbëve. Ata po e presin përfundimin e zgjedhjeve serbe dhe themelimin e Qeverisë së re atje për të nisur raundet e reja mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak ka përmendur një “format të ri” bisedimesh mes dy palëve pasi dialogu i deritashëm nuk ka dhënë shumë rezultate.
“Pas formimit të Qeverisë në Serbi do të pasojë një format i ri i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë ai për “Vecernje Novosti”. Por, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se bisedimet me Serbinë kanë përfunduar më 2007 që kanë rezultuar me shpalljen e pavarësisë.
Ai ka thënë me Serbinë nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh për asnjë pjesë të Kosovës, derisa ka konfirmuar se dialogu teknik duhet të vazhdojnë me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja shteteve. Udhëheqësi i diplomacisë kosovare ka thënë se Qeveria e Kosovës i sheh të gjitha zgjidhjet e problemeve në Kosovë, përfshirë edhe Veriun, te zbatimi i Pakos së Ahtisaarit.
“Qëndrimi i Prishtinës zyrtare është i qartë – ai është që ta jetësojmë Pakon e Ahtisaarit dhe për një dialog të brendshëm në mes të Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj në Veri”, ka thënë Hoxhaj për Express, të shtunën.
Megjithëkëtë, kryediplomati sllovak që mbanë edhe postin e Drejtorit menaxhues në Shërbimin Europian të Veprimit me Jashtë për Rusi, Fqinjësi me Lindjen dhe Ballkanin Perëndimor nuk ka dhënë detaje të reja për “formatin e ri” të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas Lajcakut, në dialogun e nisur vitin e kaluar mes dy vendeve duhet të ketë ndryshime në mënyrë që bisedimet të jenë efektive. Por, kryediplomati kosovar mendon se nuk ka nevojë për format të ri të bisedimeve, por jetësim të marrëveshjeve të arritura me ndihmën e Brukselit.
“Çdo dialog mes Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar në vitin 2007. Nëse flasim për dialogun teknik është përpjekje që t`i zgjidh problemet dhe çështjet e natyrës praktike në mes dy vendeve që udhëhiqet nga zonja Tahiri dhe z. Stefanovic. Pavarësia e Kosovës është akt i pakthyeshëm. Njohjet e Kosovës kanë një gjeografi globale dhe në asnjë formë nuk ka nevojë për dialog të në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, Qeveria dhe institucionet tjera do të punojnë për integrimin e Veriut, sipas modelit që kanë ndjekur edhe me komunat tjera të banuara me shumicë serbe në pjesë tjera të Kosovës.
“Kryeministri Thaçi është deklaruar para disa kohësh dhe ne jemi të interesuar që ta integrojmë komunitetin serbë sikurse i kemi integruar rreth njëqind mijë serbë që jetojnë në Kosovë në gjashtë komunat brenda territorit të Kosovës, ta integrojmë edhe atë pjesë”, ka thënë ai.
© Panorama.al











