BRUKSEL- Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë të udhëhequra nga Edita Tahiri, si e dërguar e posaçme e kryeministrit Hashim Thaçi, dhe Borko Stefanoviq, si i dërguar i posaçëm i presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, sot në mëngjes nisen një raund të ri të dialogut në Bruksel.
Në BE, siç pohon një zyrtar i lartë i BE-së, presin me optimizëm këtë dialog dhe besojnë se në të do të arrihen marrëveshjet e para prej kur ky dialog ka nisur që më 8 mars të këtij viti.
Modalitetet e sakta të marrëveshjeve dhe mënyrës së zbatimit të tyre nuk dihen, por nga të tri palët, nga Kosova, Serbia dhe BE-ja, thuhet se tashmë janë pothuajse gati 6 fusha, në të cilat mund të arrihet marrëveshje.
Por, në BE nuk janë të sigurt se për të gjitha 6 pikat do të arrihet pajtimi sot në Bruksel, ndërsa më së shumti besojnë se pajtimi do të arrihet në fushën e lirisë së lëvizjes.
Po ashtu, thuhet se gati për marrëveshje janë edhe pikat që kanë të bëjnë me regjistrin civil, kadastrat, telekomin, energjinë dhe njohjen e diplomave universitare. Por kur flitet në lirinë e lëvizjes mendohet vetëm në lëvizjen e njerëzve e jo edhe në atë të mallrave.
Sidoqoftë, në BE besojnë se për të gjitha 6 pikat pajtimi do të arrihet para fillimit të pushimeve verore.
Sa u përket modaliteteve të marrëveshjeve dhe zbatimit të tyre, ato do të jenë më shumë formë e pajtimeve dhe ato gjëra, për të cilat palët do të bien dakord, do të përfshihen në “Konkluzionet e kryesuesit“ të takimit (në emër të BE-së, Robert Cooper) ndërsa palët do t’i mbështesin ato konkluzione pa pasur nevojë të nënshkruajnë marrëveshje.
Kjo është bërë edhe për të evituar situatën, në të cilën nga Serbia apo BE-ja do të kërkohej që të vënë nënshkrim në një dokument ku do të figuronte Kosova si palë nënshkruese, diçka që as BE-ja as Serbia nuk mund ta pranojnë në këtë moment. Në anën tjetër, as Kosova nuk do të donte të nënshkruante ndonjë dokument me prapashtesën e UNMIK-ut apo të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. (Koha Ditore)
© Panorama.al











