PRISHTINE- Marrëveshjet me shkrim për liri të lëvizjes, regjistrat civilë dhe pranimin e diplomave universitare kanë mbërritur në Prishtinë dhe në Beograd.
Ato janë dërguar nga lehtësuesi i dialogut, Robert Cooper në adresë të Zëvendëskryeministres Edita Tahiri dhe shefit të delegacionit serb, Borislav Stefanovic.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës ende nuk kanë vendosur se kur do t’i publikojnë këto dokumente.
“Marrëveshjet kanë ardhur zyrtarisht nga Cooper në emër të BE’së. Për procedimin e tyre, Qeveria do të vendosë së shpejti”, ka thënë Visar Xani, zëdhënës i Zëvendëskryeministres Tahiri.
Megjithatë, gazeta Express ka arritur t’i sigurojë këto dokumente nga diplomatë europianë.
Dokumenti të cilin Cooper e quan “Konkluzionet e Kryesuesit”, përmban 11 pika për Lëvizjen e Lirë, për të cilat palët janë pajtuar në Bruksel.
Në pikën e parë thuhet se qytetarët e të dyjave palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës.
BE’ja që është organizatë që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të refuzimit të pesë anëtarëve të saj, kur flitet për qytetarët e të dyja vendeve në dokument, përdoret fjala angleze “residents”, që e ka kuptimin banorë me vendbanim të përhershëm.
Në pikën 2, thuhet se secila palë do të zbatojë një sistem të kalimit të kufirit të qytetarëve të palës tjetër me letërnjoftime. Krahas fjalës kufi (border), përdoret edhe shprehja kufi administrativ (boundary).
© Panorama.al











