Në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, janë optimistë se në raundin e gjashtë të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të arrihen pajtime edhe për disa çështje të tjera, pika praktike, që janë të rëndësishme për të dyja vendet, thonë diplomatët e BE-së në Bruksel.
Të njëjtët pohojnë se pa marrë parasysh debatet e ashpra që janë zhvilluar qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi, rreth marrëveshjeve të arritura më parë, presin që të dyja palët të mbesin besnike ndaj obligimeve për t’i zbatuar ato marrëveshje që janë arritur dhe që kjo atmosferë të mos pengojë në arritjen e marrëveshjeve të reja, ka raportuar Radio Europa e Lirë.
Zyrtarët e BE-së pohojnë së takimi do të zhvillohet gjatë tërë ditës së mërkurë, për të vazhduar eventualisht edhe të enjten në mëngjes.
Mirëpo, zyrtarët në BE, thonë se do të mundohen që marrëveshjet të arrihen gjatë datës 20, në mënyrë që mos të ketë nxitim për datën 21, ku në të njëjtën ndërtesë do të zhvillohet edhe samiti i liderëve të eurozonës, i thirrur me urgjencë për shkak të krizës financiare në Greqi, dhe kërcënimet për një krizë të ngjashme edhe në ndonjë vend tjetër.
Sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, në BE vazhdojnë të përsërisin atë që kanë thënë më parë, se marrëveshjet e arritura i shohin si diçka që është në interesin e të dyja vendeve, dhe ndihmon dukshëm në përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve, qoftë nga Kosova apo nga Serbia.
Burimet e BE’së pohojnë se ky raund i bisedimeve do të jetë i fundit para pushimeve të verës, dhe se dialogu duhet të vazhdojë në muajin shtator, ku në tryezën e diskutimeve do të hidhen edhe pika të reja të rendit të ditës.
Ndërkaq, shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanovic ka deklaruar se Serbia dëshiron të rregullojë marrëdhëniet me Kosovën, por shteti serb kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
I pyetur për deklaratën e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Hans-Dieter Steinbach se Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën para anëtarësimit në Bashkimin Europian, Stefanovic ka thënë se ky është një “mendim individual i ambasadorit në shkuarje”.
Ai ka thënë se në raundin e ri të dialogut me Kosovën mund të priten marrëveshje për dokumentacionin kadastral dhe diplomat universitare, por nuk do të bisedohet për borxhin e serbëve ndaj KEK-ut.
“Çështja e kadastrës dhe diplomave universitare janë afër mbylljes. Tema më të rënda janë telekomi dhe vulat doganore”, ka thënë Stefanovic për televizionin Avala. Ai ka shtuar se qëllimi i Beogradit është përmirësimi i kushteve të jetës për qytetarët e Kosovës.
© Panorama.al











