Kosovë-Serbi, arrihet pakti i parë

Jul 4, 2011 | 12:01

Rezultati i parë i dialogut të fundit mes Serbisë dhe Kosovës ishte arritja e tri marrëveshjeve të përkohshme.Edhe pse të përkohshme, ato mund të quhen historike, pasi deri tani palët nuk kishin rënë dakord në asnjë pikë, qoftë teknike e aq më tepër në diskutimet e mëparshme politike. Zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe kryetarja e delegacionit për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, tha dje në Aeroportin e Prishtinës se marrëveshjet e arritura Prishtinë-Beograd, janë hapi i parë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, (edhe pse kjo deklaratë ishte kundërshtuar më parë nga kryenegociatori i BE-së, Robert Kuper), ndërkohë që shtoi se nga 1 nëntori nuk do të ketë më struktura paralele në Veri dhe qytetarët do të lëvizin lirshëm. Deklarata e saj u bë pas kthimit nga Brukseli, ku të shtunën pasdite u zhvillua raundi i pestë i dialogut mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë, të ndërmjetësuar nga këshilltari politik i kryediplomates së BE-së, Katerin Ashton. Marrëveshjet e arritura të shtunën nuk janë nënshkruar nga palët, por janë konfirmuar nga Këshilli i BE-së përmes një deklarate për media, ku janë përshkruar edhe disa detaje. BE njoftoi se “marrëveshjet do të hyjnë në fuqi sa më shpejt që të bëhet fizibiliteti operacional. Të dyja palët janë zotuar fuqishëm se do t’u përmbahen marrëveshjeve”. Kreu i delegacionit serb, Borko Stefanoviç, ka thënë se marrëveshjet e arritura vlejnë për një periudhë pesëvjeçare. Tahiri nuk ka folur për këtë, por ka thënë se marrëveshja është e përkohshme.
Tri marrëveshjet
Regjistrat civilë– “Një komision i përbashkët, i themeluar dhe i udhëhequr nga EULEX-i, do të vazhdojë të identifikojë zbrazësitë në regjistrat civilë të para vitit 1999. Pas kërkesës, EULEX do të ofrojë informata specifike për regjistrin civil nga Kosova”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Liria e lëvizjes– “Kjo përfshin personat të cilët do të jenë në gjendje të udhëtojnë përtej kufirit me anë të letërnjoftimeve. Kjo marrëveshje përfshinë edhe policën e sigurimeve për automjete, si dhe targat e automjeteve”.
Diplomat– “Palët janë pajtuar në parim të pranojnë diplomat universitare dhe shkollore. Kjo do të bëhet përmes certifikimit nga një institucion ndërkombëtar ose institucion akademik i pranueshëm nga të dyja palët. Detajet do të dakordohen në takimin e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

MPJ:Marrëveshjet të zbatohen shpejt

Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi dje për marrëveshjet e para të arritur mes Kosovës e Serbisë duke kërkuar që ato të zbatohen sa më shpejt. “MPJ përshëndet arritjen e marrëveshjeve të para në bisedimet teknike Kosovë-Serbi, bazuar në parimet e reciprocitetit mes dy shteteve të pavarura e sovrane dhe vullnetit të mirë për të bashkëpunuar në zgjidhjen e çështjeve praktike mes tyre. Marrëveshjet për lëvizjen e lirë, njohjen reciproke të diplomave dhe regjistrat civilë, janë në përputhje me frymën e bashkëpunimit dhe integrimit europian te rajonit dhe i afrojnë këto dy vende e gjithë rajonin më afër me BE-në. Shprehim besimin që marrëveshjet e arritura do të fillojnë të zbatohen sa më shpejt. MPJ përshëndet angazhimin e përbashkët të BE-së dhe SHBA-së, që mundësuan arritjen e marrëveshjeve të dobishme për qytetarët e të dy vendeve”, thuhet në reagim.

Tahiri: Marrëveshjet afrojnë njohjen e pavarësisë

Zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe kryetarja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, e ka quajtur arritjen e marrëveshjeve një hap të parë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Këtë deklaratën e ka hedhur poshtë edhe vetë Robert Kuper, i cili është edhe kryesues i dialogut. “Kemi vendosur marrëdhënie shumë më të ngushta me BE-në dhe presim që dialogu teknik të prodhoj efekte konkrete drejt afrimit me BE-në. Kërkesat tona të parashtruara zyrtarisht janë liberalizimi i vizave, hyrja në marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe përshpejtimi i statusit të kandidatit. Ky pra është i gjithë konteksti i angazhimit. Këto janë objektivat tona. Unë do të kuptoj edhe perceptimet e ndryshme ndaj rezultateve. Të jeni të bindur, Kosova ka forcuar pavarësinë, sepse fundi i fundit për herë të parë dy shtetet arrin marrëveshje që deri tani nuk i kanë pasur”, ka thënë ajo.

Stefanoviç: Marrëveshjet, në dobi të serbëve

Shefi i ekipit serb në negociatat me Prishtinën, Borisllav Stefanoviç, tha se me zgjidhjet e pranuara në diskutimet me Kosovën është shmangur në mënyrë implicite apo eksplicite njohja e pavarësisë së Kosovës. Stefanoviçi ka theksuar se zgjidhjet deri te të cilat është arritur në negociatat e Brukselit, do t’iu mundësojnë serbëve liri të lëvizjes në Kosovë dhe do t’iu lehtësojë situatën e rëndë, duke saktësuar se zgjidhjet janë të orientuara para së gjithash për të ndihmuar serbët në Jug të lumit Ibër. Kreu i delegacionit serb ka theksuar se “e ashtuquajtura pasaportë e Kosovës nuk do të pranohet kurrë, dhe Serbia nuk do të pushojë së kryeri funksionet e veta”. Në këtë rast ai iu referua dhënies së letërnjoftimeve dhe targave serbe, si dhe administrimin e regjistrave civilë. Ai shtoi se marrja e statusit të kandidatit dhe procesi i përafrimit me BE-në është e ndarë nga procesi i negociatave me Prishtinën, por ka ndikim.

© Panorama.al

Te lidhura