Kosovë, muzikantët bashkë në mbrojtje të të drejtave

Aug 17, 2011 | 11:49

Autorët, prodhuesit dhe interpretuesit e muzikës janë bërë bashkë për të themeluar shoqatën e parë në Kosovë, që do të merret me administrimin kolektiv të të drejtave autoriale. Me qëllim që të parandalojnë keqpërdorimin e veprës, të mbledhin dhe shpërndajnë kompensimet nga shfrytëzuesit e veprës së mbrojtur dhe që të luftojnë kopjet e paligjshme, me iniciativën e kompozitorit Florent Boshnjaku ata kanë miratuar me shumicë votash komisionin mbikëqyrës dhe bordin e shoqatës, që është quajtur “Apik”. Sipas “Koha.net”, ka qenë Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, ndër të parët që është anëtarësuar në këtë shoqatë, në cilësinë e autorit dhe të interpretuesit. Me listat prej rreth 200 artistëve që vetë vunë firmat si anëtarë të kësaj shoqate, do të kërkohet nga Ministria e Kulturës licencimi i kësaj shoqate. Edhe pse Ligji për të drejtat e autorit është miratuar në Kuvendin e Kosovës, qysh në vitin 2006 ai asnjëherë nuk ka gjetur zbatim në vend. Ndër aspektet që kanë munguar në zbatimin e tij, ka qenë organizimi i artistëve në grupe për vetadministrimin e të drejtave të tyre.

© Panorama.al

Te lidhura