Kosovë, miratohet rezoluta për fundin e mbikëqyrjes

Feb 1, 2012 | 12:55

Kuvendi i Kosovës

Vetëvendosja kundërshton rezolutën e PDK-së, përgjigjet me tjetër draft

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje, në një mbledhje të jashtëzakonshme, rezolutën mbi përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur. Drafti i saj u propozua nga partia në pushtet, PDK-ja, dhe u miratua me 83 vota pro, 13 kundër dhe 1 abstenim nga 108 deputetët e pranishëm. Kështu, Kosova mori përsipër të gjitha obligimet për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë deri në fund të vitit 2012, që ishte vendim i Grupit Ndërkombëtar Drejtues, i bërë publik ditë më parë pas mbledhjes në Vjenë. Kryeministri Hashim Thaçi e ka quajtur këtë një fazë të re për Kosovën me konsensus të plotë politik dhe etnik. Tetë pikat e rezolutës shprehin zotimin e të gjitha institucioneve, përfshirë edhe Kuvendin, për të marrë përgjegjësitë që dalin nga procesi i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Krerët e të gjitha grupeve parlamentare e mbështetën draftrezolutën përveç Vetëvendosjes, e cila e sfidoi atë me një tjetër rezolutë që përforconte në tekstin e saj sovranitetin e Kosovës për të marrë vendime. Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se: “Ne kemi qenë dhe mbetemi për Republikën sovrane të Kosovës, kundër mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe kundër kushtëzimeve ndaj pavarësisë që vijnë nga Plani i Ahtisarit. Rrjedhimisht, jemi për fundin e mbikëqyrjes, e jo për këmbim të kësaj mbikëqyrjeje me formalizimin e strukturave të Serbisë brenda Kosovës dhe për betonimin e mbikëqyrjes së Serbisë përmbi Kosovë”. Vetëvendosja ka kundërshtuar fort pikën e rezolutës që flet mbi zotimin e Kuvendit për të përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë. Sipas VV-së, pas kësaj rezolute fshihet “Ahtisari Plus”, gjashtëpikëshi i Ban Ki Munit dhe katërpikëshi i Presidentit serb, Boris Tadiç. Ndërkohë, në rezolutën e Vetëvendosjes të paraqitur dje në Kuvend, kërkohej që vendimet e kuvendit të respektojnë sovranitetin e plotë shtetëror dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Misioni i Kuper
Lehtësuesi i dialogut Prishtinë-Beograd, Robert Kuper, po diskuton dy apo tri versione të mundshme të fusnotës që do të ketë Kosova në prezantimet rajonale, të cilat do të ishin më të pranueshme për Serbinë. Thuhet se Serbia nuk ka hequr dorë nga disa alternativa të përmbajtjes së fusnotës, që sipas interpretimit të Beogradit nuk do të nënkuptonin drejtpërdrejt që Serbia ka hequr dorë nga rezoluta 1244 e KS të OKB-së.

“Heqja e emërtimit ‘republikë’ shkel Kushtetutën”
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se çdo ndryshim i emërtimit Republika e Kosovës në përfaqësimin e saj rajonal, përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës. Në një intervistë për Radio Kosovën, Krasniqi tha se Kosova nuk duhet të bëjë kompromise tw tjera. “Kosova është shtet i pavarur dhe me emrin e saj, Republika e Kosovës, duhet të përfaqësohet edhe jashtë vendit”, theksoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura