Dje, për herë të parë, tregtarët serbë përballuan koston e politikës zyrtare të qeverisë së tyre.Një ditë më parë, qeveria e Kosovës aplikoi reciprocitetin në marrëdhëniet politike dhe tregtare mes dy vendeve. E thënë më thjesht, dogana e Kosovës nuk lejoi që të futen në territorin e saj kamionët, që kishin mallra të shoqëruara me vula serbe. Kjo pasi edhe serbët, që nga dita e pavarësisë së Kosovës nuk lejojnë që tregtarët kosovarë të hyjnë në Serbi me mallra që mbajnë vulën e Kosovës.
Në fakt, vendimi është bazuar edhe në faktin se kanë dështuar arritjet e marrëveshjeve për njohjen e vulave doganore të Kosovës dhe për këmbimin e lirë të mallrave, në procesin e dialogut me Serbinë, në Bruksel. “Qeveria e Kosovës e plotësoi kërkesën e komunitetit të biznesit për aplikimin e masave reciproke ndaj produkteve të Serbisë dhe vendosjen e taksave doganore prej 10 për qind për mallrat e Bosnjës dhe Hercegovinës, thotë Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, për “Europa e Lirë”. Shahini tregon se që nga viti 2008, kur Serbia dhe Bosnjë Hercegovina nuk e respektuan marrëveshjen CEFTA, e deri në fund të vitit 2010, prodhuesit kosovarë kanë humbur 40 milionë euro, ndërsa importi i produkteve serbe në tregun kosovar ka qenë shumë i lartë. “Nga viti 2007, kur edhe është në funksionalizim CEFTA, e deri në fund të vitit 2010, janë 1 miliard euro import nga Serbia.” Problemet më Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Europën Qendrore, kanë lindur në dhjetor të vitit 2008, kur Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë bllokuar mallrat e Kosovës. Kjo ka ndodhur pasi në shkurt të po këtij viti, Kosova ka shpallur pavarësinë e saj dhe, rrjedhimisht, vulat e UNMIK-ut janë zëvendësuar me ato të Republikës së Kosovës. Këto vula nuk i njeh as Serbia, as Bosnja. Doganat e Kosovës tashmë kanë filluar të zbatojnë një vendim të tillë reciprok. Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion, tregon se deri në mesditë Kosova ka kthyer mbrapa 20 kamionë serbë. “Që prej fillimit të zbatimit të këtij vendimi, ne kemi kthyer prapa 20 ngarkesa dhe nuk kemi pasur asnjë problem deri më tani. Një pjesë janë kthyer dhe një pjesë po qëndrojnë, për shkak se importuesit po thonë se kanë paguar një lloj takse në Serbi. Por, sidoqoftë, vendimi i qeverisë është i prerë dhe ky vendim do të zbatohet deri në fund”. Sipas tij, kompanitë serbe do të mundohen që të gjejnë rrugë alternative për futjen e prodhimeve të tyre në tregun kosovar. Si rrugë alternative për qarkullimin e mallrave, Shahini përmend Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Tadiç: Ky është provokim
Edhe pse bllokimi i mallrave serbe në Kosovë ishte një përgjigje ndaj veprimeve serbe, presidenti Boris Tadiç ka theksuar se ky veprim do të ndikojë në vazhdimin e negociatave mes dy vendeve. Presidenti i Serbisë tha dje se Beogradi nuk do të përgjigjet me masa të njëjta ndaj vendimit të qeverisë së Prishtinës për të vënë embargo në produktet e Serbisë. “Ky është provokim për Serbinë. Nuk do të reagojmë me kundërmasa, siç nuk reagojmë as ndaj provokimeve tjera, sepse na duhet situatë e qëndrueshme në rajon”, ka thënë Tadiç. Ai shtoi se vendimi i Prishtinës do të ndikojë në dialog.











