Kosovë, ASHAK kërkon regjistrim të ri të popullsisë

Jul 1, 2011 | 18:34

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) nuk e konsideron të vlershëm rezultatin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë dhe sugjeron të gjenden mënyra për mbajtjen e një regjistrimi të ri dhe të përgatitur si duhet.

Duke rikujtuar se qysh me shpalljen e afatit të regjistrimit të popullsisë kishte kërkuar shtyrjen e afatit të regjistrimit, për shkak të përgatitjeve të pamjaftueshme, ASHAK vlerëson se shpallja e rezultateve preliminare të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, për fat të keq, e vërtetoi shqetësimin e Kryesisë së Akademisë, se procesi jo vetëm që do të dështonte, por do të linte pasoja të shumëfishta shoqërore, politike dhe profesionale.

“Shkaqet e dështimit të regjistrimit tashmë janë të njohura si për profesionistët e përfshirë ose të papërfshirë në proces, ashtu edhe për opinionin e gjerë, kështu që nuk mendojmë se është e nevojshme të përsëriten me këtë rast”, thuhet në reagim.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës nuk e konsideron të vlefshëm rezultatin e procesit të regjistrimit të popullsisë dhe kërkon mbajtjen e një regjistrimi të ri.

Sipas të dhënave preliminare të Entit të Statistikave të Kosovës numri i banorëve të Kosovës, duke përjashtuar Leposaviqin, Zubin Potokun, Zveçanin dhe pjesën veriore të Mitrovicës, është 1.733.872.

Rezultatet e regjistrimit të popullsisë përfshijnë 34 komuna të Kosovës, në të cilat është bërë regjistrimi gjatë muajit prill të këtij viti, përderisa në komunat veriore të vendit nuk ka pasur bashkëpunim për këtë proces.

Sipas këtyre rezultateve, numri i banorëve në kryeqytetin e Kosovës Prishtinë është 198.214 banorë.

Të dhënat për numrin e banorëve në bazë të nacionalitetit, zyrtarët e statistikave kanë thënë se do të bëhen publike pas analizave që do të bëhen në të ardhmen.

Popullsia në Kosovë për herë të fundit është realizuar në vitin 1981, ku numri i përgjithshëm i banorëve ishte rreth 1.6 milionë. (Express)

© Panorama.al

Te lidhura