Shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë drejt Kinës me pasaportë të vendit të tyre. Ky shtet anëtar i KS të OKB-së, që nuk e ka njohur pavarësinë, po lejon shtetasit e Kosovës të hyjnë në territorin e vet, duke u dhënë viza, sikurse bëjnë edhe disa shtete europiane. Sipas “Koha Ditore”, zëvendësministri Petrit Selimi shpreson se ky është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Pekinit. Nga Kina e largët po vijnë lajme të mira për kosovarët. Ky shtet anëtar permanent i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pavarësisht qëndrimit refuzues ndaj pavarësisë së Kosovës, duket se ka vendosur të lehtësojë udhëtimin e kosovarëve, duke u lëshuar viza. Kina, e cila ka rritjen më dinamike ekonomike në dekadat e fundit dhe që është ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës për nga importi, jo zyrtarisht ka filluar ta zbusë qëndrimin, duke pranuar pasaportat kosovare si dokumente të vlefshme . Sipas “Express”, numri i kosovarëve që po udhëtojnë drejt Kinës është në rritje e sipër. Federata e Pingpongut me gjasë është e para që ka “thyer akullin”, duke marrë pjesë në evenimente sportive në Kinë.











