Kosova, pa fonde nga FMN-ja në 2011

Jun 2, 2011 | 9:10

Kosova nuk do të marrë fonde nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për vitin 2011. “Reuters” ka cituar zyrtarë qeveritarë në kushtet anonimiteti se “marrëveshja e re mes qeverisë dhe FMN-së nënkupton një lloj monitorimi të rreptë të politikave fiskale, por pa pasur mundësi të ketë akses në fonde për këtë vit”. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me FMN-në për mbikëqyrje të rreptë të politikave fiskale deri në fund të vitit në Kosovë. Thaçi tha se negociatat me FMN nuk kanë qenë të lehta, por “kjo marrëveshje nuk do të prekë vendimin për rritjen e pagave dhe ndërtimin e autostradës”. Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se me FMN-në janë pajtuar që në shtator dhe, në fund të dhjetorit, në Kosovë vijnë ekipe të FMN-së, të cilat do të shohin deri ku është përmbushur marrëveshja, në mënyrë që pastaj të mundësohet shfrytëzimi i milionave. FMN-ja ka konstatuar se ka ende hapësira ku mund të mblidhen taksat e ndryshme, me të cilat do të mund të mbushej buxheti.

© Panorama.al

Te lidhura