Kosova nuk do të jetë kurrë vetëm

Jun 12, 2024 | 11:41
SHPËRNDAJE

Bajram-Begaj-11

NGA BAJRAM BEGAJ

Në përvjetorë të tillë të shenjtë për shqiptarët ne përulemi me nderim para martirëve dhe figurave të shquara që, me jetën dhe veprën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe historinë e kombit shqiptar. 

Sot nderojmë Ibrahim Rugovën, arkitektin e Pavarësisë së përjetshme të Kosovës, simbolin e rezistencës paqësore, elitës intelektuale, që me filozofinë e tij të paqes vendosi çështjen e Kosovës në të gjitha kancelaritë perëndimore.

Sot nderojmë Adem Demaçin, veprimtarin qëndrestar të çështjes kombëtare, i palodhur në betejën e tij për mbi pesë dekada, sfiduesin lapidar të 28 viteve në burgjet e ish-Jugosllavisë.

Sot përulemi përpara Jasharëve, familjes simbol të martirizimit për Kosovën e pavarur, flakadanë të lirisë së saj. Nderojmë kryetrimin Adem Jashari, legjendë e gjallë e atdhedashurisë. Burra të tillë rrallë i lind historia.

Sot është dita të kujtojmë të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që i falën Kosovës së lirë e të pavarur jetën dhe ata që amanetin e bashkëluftëtarëve ua transmetuan brezave të rinj: Liria nuk është dhuratë. Ajo duhet të mbrohet!

Kosova nuk ishte vetëm. Qindra vëllezër të tyre nga Tirana, Tropoja, Kukësi, Kruma, Kavaja, Vlora, Berati, Tepelena, Çamëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe nga e gjithë Diaspora shqiptare iu bashkuan luftës. Në themelet e lirisë së Kosovës, ata u flijuan, si Ushtar Kavaja, Komandant Shpendi, Komandant Tahiri, trima që nuk iu frikësuan vdekjes.

Shqipëria hapi zemrën dhe dyert e shtëpive për të mbrojtur vëllezërit e motrat nga Kosova,të dëbuar me forcë si pasojë e valës së spastrimit etnik e gjenocidit të Millosheviçit.

Kosova nuk ishte vetëm!  Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht partnerët strategjikë, si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe NATO ishin mbështetësit e fuqishëm e të palëkundur të kauzës së saj. Ndërhyrja e tyre ndaloi spastrimin etnik, gjenocidin, dhe i dha të drejtë shpirtit të një populli qëndrestar që kërkonte një të drejtë të mohuar; lirinë.

Ata ishin hartuesit dhe zbatuesit e projektit të shtetformimit të Kosovës.  Dy shtete, një popull, një komb, një gjak, një gjuhë, një shqiponjë dykrenare, një histori, një ëndërr dhe aspiratë Euroatlantike.   Historia e vjetër dhe e re ka dëshmuar se shqiptarët, kudo që ndodhen, përbashkohennën simbolet e tyre identifikuese.  Në sfidat e kohërave, epokave dhe  padrejtësive gjeopolitike, shqiptarët kanë ruajtur të shenjtë dhe të pacenueshme ndjenjën e shqiptarisë.

Shqiptarët kanë nevojë për të ruajtur dhe forcuar kohezionin e tyre kombëtar dhe socio-kulturor edhe sot. Në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitete diplomatike, mediatike,në një fushatë thellësisht keqdashëse për të njollosur luftën e drejtë e parimore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, ne kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi bashkë, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për njëmanifest krenarie kombëtare, që nuk ka pse të na kompleksojë.  Nuk mund të lejojmë të vendoset shenja e barazimit mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet, mbijetesë e liri të shqiptarëve në Kosovë.

Nuk mund të lejojmë që krimi të shfaqet si virtyt, në një kohë kur bota demokratike, miqtë tanë, po bëjnë çmos të eliminojnë pengesat e ndryshme për të thjeshtëzuar bashkëjetesën shqiptaro-serbe sipas modeleve evropiane.  Historia na njeh ne shqiptarët si paqedashës, që e duam dhe e çmojmë fort lirinë. Si të tillë, sot kemi përgjegjësi të madhe për të ruajtur dhe forcuar paqen, sigurinë dhe zhvillimin në një hapësirë që frymon vlerat demokratike evropiane. Aspiratat tona për integrimin Euroatlantik të faktorit shqiptar janë më të forta se kurrë, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për të realizuar këtë objektiv.

Sot ne përballemi ende me përpjekje për të penguar shtetin e ri të Kosovës, që lufton për të konsoliduar identitetin shtetëror, hapësirëndhe vendin e vet në Evropë.   Jemi të vetëdijshëm se kauza e Kosovës nuk ka përfunduar, por jemi të palëkundur në bindjen tonë se realiteti, Republika e Kosovës,e pavarur dhe sovrane, është e padiskutueshme dhe e patjetërsueshme.

Shteti shqiptar e ndjen detyrë dhe mision të mbështesë çdo përpjekje të qeverisë së Kosovës, të institucioneve të saj për të faktorizuar Republikën e Kosovës si shtet që respekton të drejtat dhe liritë e njeriut, i qëndron frymës Euroatlantike, që mban e trashëgon miqësitë që na janë gjendur në ditët tona më të errëta, duke besuar, duke dëgjuar, duke ndjekur e këshilluar nga partnerët strategjikë, SHBA-të dhe BE-ja.  Shqipëria ka punuar dhe do të punojë për të shfrytëzuar të gjitha kapacitet e veta dhe hapësirat institucionale ndërkombëtare ku bënpjesë për të zgjeruar numrin e vendeve për njohjen e shtetit të Kosovës dhe integrimin e saj tij në organizmat ndërkombëtarë, si dhe për të zbuluar të gjithë të vërtetën, ende të panjohur, të krimeve dhe gjenocidit të bërë në Kosovë, të atyre mijëra viktimave të torturuar e të zhdukur, dhunimeve e masakrave të pangjara në historinë moderne të njerëzimit.

Shpreh bindjen se të përulur para sakrificës së dëshmorëve, të përgjegjshëm para historisë dhe guximtarë përpara të ardhmes, Kosova do të ndërtojë një shoqëri ku të mbizotërojë paqja dhe prosperiteti.   Kosova nuk është vetëm. Kosova nuk do të jetë vetëm. Kosova është histori suksesi. Çdo betejë juaja, është beteja jonë! Çdo sukses juaji, është sukses i gjithë shqiptarisë!

Gëzuar Ditën e Çlirimit!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura