
Kuvendi voton ndryshimet, Vetëvendosja: Po përsëritet fjalimi i 2008
Kosova shumë shpejt do të marrë të gjitha vendimet në fushën ekonomike, të politikës së jashtme, sigurisë etj. vetë, pasi po shkëput procesin e kontrollit të pavarësisë së saj nga ndërkombëtarët. Pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008 u vu nën kontrollin e aleancave të mëdha ndërkombëtare që do ta kontrollin shtetin e ri me drejtim të brishtë, derisa të kanalizohej në udhën e duhur e demokratike për vetëqeverisje. Kompetencat kanë kaluar dalëngadalë vit pas viti në sektorë të ndryshëm të qeverisjes, deri kur në javët e para të këtij muaji do të përfundojë plotësisht. Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje me 63 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim, paketën me 21 ligje që do t’i japë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Përfundimi i mbikëqyrjes pritet të ndodhë më 10 shtator, sipas paralajmërimeve nga zyrtarë të lartë të Kosovës. Vendi është i prekur nga shumë çështje delikate të cilat duhen zgjidhur, ndërsa shkëputen fijet e ndërkombëtarëve, e që kanë të bëjnë me etnitë e ndryshme nga të cilat përbëhet popullsia. Sipas RTK, debati më i nxehtë u zhvillua për amendamentet e ligjit për liritë fetare, për çka deputetë të caktuar kundërshtuan amendamentet e komisionit “ad hoc”, duke i cilësuar ato si të dëmshme për Kosovën. Deputetët e Kuvendit votuan një për një amendamentet për ndryshimin dhe plotësimin e paketës prej 21 ligjesh që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Kryetari i komisionit për ndryshimet kushtetuese, Arsim Bajrami, e quajti këtë moment historik për Kosovën. “Jemi të gjithë të vetëdijshëm që ky është një moment historik, sepse Kosova po shënon përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe po fiton të drejtën të qeverisë veten”, tha Bajrami. Shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymerit, i bëri më shumë përshtypje fjalia e fundit e Bajramit, për fitimin e të drejtës së Kosovës për ta qeverisur veten. “Është e njëjta fjali që është thënë më 17 shkurt 2008. Po thuhet prapë në shtator të vitit 2012, e do doja ta pyesja qeverinë ndoshta e di, kur do të jetë momenti i ardhshëm për ta qeverisur veten”, tha Ymeri. Kryeministri Hashim Thaçi u bëri thirrje deputetëve të përkrahin amendamentet e komisionit “ad hoc”. “T’i japim mbështetje të plotë propozimit të komisionit që është propozim edhe i qeverisë, edhe garanci që i kemi dhënë komunitetit ndërkombëtar”, tha ai.
© Panorama.alKrasniqi
Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi, ka bërë të ditur se këto amendamente nuk e kanë plotësuar kriterin e votës së dyfishtë, që do të thotë votën e shumicës së deputetëve joshqiptarë, siç është e përcaktuar në nenin 81 të Kushtetutës. “Ne nuk e votuam një amendament që e mbron Kushtetutën”, tha Krasniqi.











