Kosova kusht “gradual“ për integrimin e Serbisë

Jun 24, 2011 | 9:57

BRUKSEL – Insistimi i disa shteteve anëtare të BE-së që Kosova t’i vihet si kusht Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së ka nisur ta shqetësojë Beogradin, por edhe disa qarqe në institucionet e BE-së, të cilat mendojnë se ky nuk duhet të jetë kusht tani. Britania e Madhe më parë dhe Gjermania tani përmenden mes shteteve anëtare të BE-së, të cilat kërkojnë që Serbia së pari të dëshmojë “sjellje konstruktive“ ndaj Kosovës e vetëm pastaj të mund të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Por këtë kusht Serbia mund ta përmbushë pa problem, sepse në këtë moment kjo nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër, disa rezultate konkrete që mund të dalin nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës mund të mjaftojnë që Serbisë t’i jepet statusi i kandidatit. Por Kosova, sipas disa diplomatëve të BE-së që folën për “Kohën Ditore”, “do të bëhet si kusht gradual për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së“. Kjo, sipas këtyre diplomatëve, “do të thotë se në secilën fazë të integrimit të Serbisë në BE do të kërkohen disa hapa drejt njohjes së realitetit të ri në Kosovë“.

Britania e Madhe, e njohur si mbështetësja më e madhe e Kosovës në BE, në të njëjtën kohë fuqishëm mbështet dhënien e statusit të kandidatit Serbisë e në anën tjetër britanikët kanë ngadalësuar shpesh përparimin e Kroacisë drejt përmbylljes së negociatave. Britania është ndër vendet që mendojnë se do të ishte mirë që Traktati i anëtarësimit të Kroacisë të shtyhet për t’u nënshkruar në dhjetor në mënyrë që të njëjtën ditë t’i jepet statusi i kandidatit Serbisë.

“Qëndrimi i Britanisë së Madhe është se sa më afër të jetë Serbia në integrimet në BE, aq më shpejt do të pranojë shtetin e Kosovës“, thotë një diplomat i lartë i një vendi tjetër të BE-së rreth qëndrimit britanik që duket paksa i çuditshëm si “pro-Kosovës“ e në të njëjtën kohë “pro-Serbisë“.

Në anën tjetër, Gjermania nuk ka ndonjë qëndrim simpatie rreth Kosovës, por më shumë mbron parimet se Kosova tash është shtet, i mirë apo jo, dhe se Gjermania e ka njohur, prandaj nuk dëshiron që të pranohet Serbia në BE pa i qartësuar marrëdhëniet me fqinjët.

 

© Panorama.al

Te lidhura