Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç tha sot se Beogradi nuk do të përgjigjet me masa të njëjta ndaj vendimit të qeverisë së Prishtinës për të vënë embargo për produktet e Serbisë.
“Ky është provokim për Serbinë. Nuk do të reagojmë me kundërmasa, siç nuk reagojmë as ndaj provokimeve tjera, sepse na duhet situatë e qëmdrueshme në rajon”, tha Tadiç.
Ai tha se vendimi i Prishtinës do të ndikojë në dialog.
Problemet më Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, kanë lindur në dhjetor të viti 2008, kur Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë bllokuar mallrat e Kosovës.
Kjo ka ndodhur pasi në shkurt të po këtij viti, Kosova ka shpallur pavarësinë e saj dhe rrjedhimisht vulat e UNMIK-ut janë zëvendësuar me ato të Republikës së Kosovës.
Këto vula nuk i njeh as Serbia, as Bosnja.
Në vendimin e të mërkurës, të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, për parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet tregtare, thuhet se nuk njihen vulat doganore dhe të administratës tatimore të Republikës së Serbisë, dhe ndalohet importi i të gjitha mallrave të përcjella me dokumente që përmbajnë këto vula.
Ndërkohë zyrtarët e doganave të Kosovës thanë sot se, në pikat kufitare më Serbinë, deri në orën 12:00, 20 kamionë nuk janë lejuar të kalojnë në territorin e Kosovës.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, tha se një numër i kamionëve tashmë janë kthyer mbrapsht, ndërsa disa prej tyre po qëndrojnë pranë kufirit.
© Panorama.al











