Delegacione nga e gjithë bota, në Prishtinë. Ndërkombëtarët tërhiqen nga mbikëqyrja.
Kuvendi, seancë solemne, flasin edhe miqtë nga jashtë.
Grupi Drejtues Ndër-kombëtar ka vendosur një gur themeli të rëndësishëm për pavarësinë e Kosovës, duke hequr dorë nga mbikëqyrja e saj. Që sot qeveria e Kosovës vendos plotësisht vetë. Ekspertët e politikës e vendimmarrjeve që kanë vëzhguar në detaje çdo hap që ka hedhur republika më e re në Europë për të respektuar obligimet e saj si një shtet i vërtetë, besojnë se reformat që kërkonte paketa e Ahtisarit janë arritur në mënyrë substanciale. Por do të mbeten ende në Kosovë NATO, për të ndihmuar në çështjet ushtarake, si dhe EUlEX për të ndihmuar në çështjet ligjore. Katër vjet e gjysmë pasi deklaroi pavarësinë nga Serbia, më në fund, 25 anëtarët e GDN që kanë monitoruar pavarësinë e Kosovës (20 vende të BE, plus Kroacia, Norvegjia, Zvicra, Turqia e SHBA), kanë rënë dakord se plani i Ahtisarit mbi të cilin u mbështet pavarësia e Kosovës, është përmbushur. Zyra e GDN e drejtuar nga Piter Feith, e cila kishte të drejtën për të përmbysur vendimet e qeverisë kosovare, u mbyll dje. Delegacione nga e gjithë bota mbërritën dje në Prishtinën e zbukuruar me flamuj shtetërorë. Delegacionet nga shumë vende të botës kanë mbërritur në Kosovë me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Të gjithë u pritën me nderime shtetërore nga Garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. U ndanë edhe dhurata: pajisje për mbushjen e aparateve me rreze diellore, e cila është shpikur nga shqiptari Kushtrim Xhakli. Dhurata ishte simbolike për këtë ditë, që ata të pavarësohen nga energjia elektrike. Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne në nder të shpalljes së fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në hapjen e seancës duke uruar përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, e vlerësoi atë si një ditë të shënuar që u takon qytetarëve të Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë. Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi duke vlerësuar arritjet, pranoi se ka ende sfida të rëndësishme të cilat presin të zgjidhen. “Çështja e Veriut do të jetë një përgjegjësi shtesë për mua. Unë kam prezantuar në Uashington dhe në Bruksel një plan për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës”, theksoi Thaçi. Në Kuvend Presidentja Atifete Jahjaga tha se “Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti”.
Në seancën solemne folën edhe Marti Ahtisari, Frank Uizner, Volfgang Ishinger etj. Aktivitetet shtetërore vazhdojnë edhe sot.
Udha e Kosovës drejt pavarësisë
Nga spastrimi etnik i serbëve në vitet ‘90, ndërhyrja e NATO-s, negociatat e gjata dhe pavarësia e plotë.
Katër vitet e mbikëqyrjes deri te fundi i Planit të Ahtisarit.
Gjatë shpalljes së vendimit për heqjen e mbikëqyrjes
U desh një rrugëtim i gjatë që Kosova të arrinte të qeveriste plotësisht veten, negociata të gjata, një plan me mospajtime nga të dyja palët dhe shumë reforma e sfida. Por sot, pas dekadash lufte për të drejtat e saj, 13 vitesh “protektorati” nga NATO, katër vitesh e gjysmë pavarësie të mbikëqyrur, Kosova është një vend plotësisht i pavarur. Nuk ka arritur ende të jetë anëtare e OKB-së, por ka marrë mbi 90 njohje nga vende të rëndësishme nga të gjitha kontinentet. Nga organizatat ndërkombëtare, Kosova bën pjesë në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Sfidat do të vazhdojnë, për të arritur numrin e njohjeve që të kthehet në një anëtare më të drejta të plota në OKB, si dhe integrimi i pjesës veriore, të cilën Beogradi po e mban “me thonj” me strukturat paralele, të cilat bën sikur nuk i njeh. Konflikti i Kosovës me Serbinë, edhe pse mospajtimet zgjasnin prej dekadash, ka arritur kulmin në vitin 1999 gjatë regjimit të Slobodan Milosheviçit. Lufta e Kosovës në vitin 1999 detyroi ndërhyrjen e forcave të NATO-s për t’i dhënë fund gjenocidit dhe spastrimeve etnike të ushtrisë serbe ndaj popullit të Kosovës, me një fushatë 78-ditore bombardimesh që i nxori ushtarët serbë jashtë Kosovës si dhe nxiti Këshillin e Sigurimit të OKB-së të miratojë një rezolutë (Rezoluta 1244), mbi një marrëveshje mes ish-Jugosllavisë dhe NATO-s. Ky ishte hapi i parë drejt procesit për statusin e Kosovës, që nisi në vitin 2005. Por, negociatat për të përcaktuar një status për Kosovën, që do të ishte i pranishëm nga të dyja vendet, dështuan. Në vitin 2007 u formulua një plan nga i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. Plani i tij u pranua nga qeverisja lokale në Kosovë e po ashtu nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, por u kundërshtua fort nga Serbia e Rusia. Rreth një vit më vonë, e mbështetur nga SHBA dhe disa vende europiane, më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, bazuar në planin e Ahtisarit. Pavarësia kishte nga pas përkufizimin “e mbikëqyrur”. Kur kushtet e vendosura në planin “Ahtisari” u plotësuan në pikat kyçe, GDN vendosi ta lejojë qeverinë e Kosovës që të ketë kompetenca të plota.
Ahtisari, i ftuar nderi në Kosovë: Rrugëtimi ynë përfundoi me sukses
Ahtisari gjatë mbërritjes në Aeroportin e Prishtinës
Njeriu që përpiloi planin për pavarësinë e Kosovës më shumë se katër vjet më parë, Marti Ahtisari, nuk mund të mungonte në një nga ditët më të rëndësishme të vendit. Plani i tij si ndërmjetësues paqeje i zgjidhjes për konfliktin Kosovë-Serbi, i cili ofroi pavarësi nga Serbia me mbikëqyrje ndërkombëtare, ishte thelbësor për arritjen e pavarësisë së plotë të vendit pas më shumë se katër vjetësh me reforma e sfida. Marti Ahtisari u prit dje në Prishtinë me nderimet më të mëdha. Ai ishte i ftuar nderi i Kosovës me rastin e shënimit të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ai u prit nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nobelisti i Paqes mbajti një fjalim përpara Kuvendit të Kosovës, i cili u drejtohej jo vetëm ligjvënësve, por edhe mbarë popullit, duke kujtuar fillimisht fazat e vështira me negociatat me Serbinë dhe zbatimin e planit të tij për Kosovën, të cilin ai e quajti të suksesshëm. “Jam sot këtu për të përfunduar një rrugëtim. Suksesi në Kosovë e Serbi nuk gjendet në duartrokitje, por në përkushtimin ndaj një plani. Arritjet e Kosovës janë suksesi ynë i përbashkët. OKB dhe BE e kanë monitoruar Kosovën më shumë se çdo shtet tjetër, por mbikëqyrësit më të denjë të pavarësisë janë vetëm qytetarët e Kosovës. Kosova tani do të mbikëqyret vetëm përmes raport-progresit të KE-së”, tha ai.
Uizner e Ishinger Të ftuar në Kosovë ishin edhe dy nga tre ambasadorët e Trojkës, gjermani Vofgang Ishinger dhe amerikani Frank Uizner. Përfaqësuesi rus mungonte. “Përgëzimet e mia. Jam i gëzuar që pavarësia e Kosovës ka qenë e rëndësishme për SHBA, pasi nëse nuk do të kishte paqe në këtë vend, nuk do të kishte paqe në Ballkan dhe as në Europë”, tha Uizner. Ndërsa sipas Ishingerit, “ky Kuvend ka bërë një punë të shkëlqyer duke jetësuar planin ‘Ahtisari’ në kornizën kushtetuese të Kosovës. U bëj thirrje të gjitha vendeve, brenda dhe jashtë BE-së, që ka ardhur koha të njohin Kosovën si shtet”, u shpreh ai.
Obama uron Kosovën: Arritje historike! “Ka ende sfida. Liderët e Kosovës tani kanë përgjegjësi të plotë” Kosova ka marrë dje urimet e Presidentit më të fuqishëm në botë për avancimin e saj në statusin “pavarësi e plotë”. Barak Obama, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, në një komunikatë për mediat pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, tha se mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës i ka ardhur fundi dhe se e mbështet fuqishëm këtë vendim. Ai e cilësoi shkëputjen e Kosovës nga mbikëqyrja e 25 vendeve si arritje historike. “Në emër të popullit amerikan, uroj qeverinë, Parlamentin dhe popullin e Kosovës për këtë arritje historike me të cilën Kosova ndërmerr edhe një hap të rëndësishëm drejt vendit që i takon, në një Europë të lirë, të tërësishme dhe paqësore”, ishte mesazhi kryesor i Presidentit Obama. “Pas pothuajse katër vitesh e gjysmë, përmbushja e provizioneve të Planit Gjithëpërfshirës është arritje madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës. Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë karakteristike të popullit të saj, Kosova ka arritur përparim thelbësor në fuqizimin e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumëkombësh, përfshirës dhe demokratik”, është shprehur ai. Ndërkohë Obama ka kujtuar se mbeten ende sfida të tjera përpara. “Ka ende punë për t’u bërë, ndërkohë që liderët e Kosovës tani marrin përsipër përgjegjësinë e plotë për të siguruar se parimet e Deklaratës së Pavarësisë dhe të Kushtetutës zbatohen për çdo qytetar”, theksoi ai. Duke i dhënë një rëndësi të veçantë dialogut diplomatik për të ruajtur një paqe afatgjatë në rajon, Obama kërkoi që “Kosova të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive me fqinjët e saj dhe të punojë në zgjidhjen e çështjeve të hapura, veçanërisht ato në raport me Serbinë. Kjo nënkupton fuqizimin e pavarësisë së Kosovës, sovranitetit dhe tërësisë së saj territoriale dhe do të shërbejë për të promovuar stabilitetin, mbi të cilin varen prospektet euro-atlantike në rajon”, ka vlerësuar Presidenti amerikan.
Vestervelle
Ministri gjerman për Punë të Jashtme, Guido Vestervelle, deklaroi nga Berlini se “Fakti që sot merr fund mbikëqyrja e pavarësisë, është një hap i rëndësishëm për Kosovën e një sukses i përpjekjeve ndërkombëtare. Kosova përmbushi kërkesat rrënjësore demokratike. Gjermania do ta mbështesë fuqimisht Kosovën edhe në të ardhmen. Prioritet mbetet procesi i afrimit të Kosovës me BE-në dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës, përfshirë stabilitetin e Veriut të vendit”.
Nishani
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka uruar Kosovën, duke theksuar se e shkuara e hidhur ndahet nga e ardhmja e sigurt plot begati që pret qytetarët e Kosovës. “Ju drejtohem në një moment solemniteti dhe reflektimi, kur e ardhmja dhe e shkuara e Kosovës ndahen dhe bashkohen njëherësh. Republika e Kosovës sapo ka nisur udhëtimin e gjatë si një shtet plotësisht i pavarur e sovran që ka tërësisht në duart e saj të ardhmen e qytetarëve dhe të brezave që do të vijnë”, thuhet në mesazhin e presidentit.
Shpindeleger
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Mihael Shpindeleger, i ftuar dje në Kosovë, tha se çdo gjë është e qartë sa i përket statusit të Kosovës. “Nga perspektiva ime, është krejtësisht e qartë: çështja e statusit është mbyllur dhe mbetet e mbyllur”, tha ai për agjencinë DPA.
“Sot kapitulli i rrugës historike të Kosovës nga pavarësia me të drejtë mbyllet dhe askush nuk duhet të frikësohet për këtë”, tha ai dhe shtoi se “kufijtë në Ballkan janë vendosur”.
Daçiç
Kryeministri serb, Ivica Daçiç, deklaroi se Serbia nuk do e njohë Kosovën as me mbikëqyrje dhe as pa të. “Çështja e Kosovës nuk është zgjidhur derisa me të nuk pajtohet Serbia. Po të mos ishte kështu, nuk do të na bënin aq shumë trysni ta njohim Kosovën”, tha Daçiç. Ai i cilësoi “budallallëqe” deklaratat se, për t’u anëtarësuar në BE, Serbia duhet të njohë më parë Kosovën. “Relaksimi i raporteve e zgjidhja e problemeve që pamundësojnë jetën normale të qytetarëve në Kosovë, është kusht”, theksoi Daçiç.
Feith jep lajmin në shqip: Mbikëqyrja mori fund!
Në ditën e tij të fundit të detyrës në Kosovës, Piter Feith, përfaqësuesi i ndërkombëtarëve e raportuesi për zbatimet që i janë bërë planit të Ahtisarit, tha pas takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar: “Mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës ka përfunduar”. Feith e dha mesazhin e rëndësishëm në gjuhën shqipe, duke mos fshehur dot theksin e gjuhës angleze, e më pas vazhdoi në gjuhën e tij. “Mbikëqyrja e Kosovës është përfunduar. Shpresoj se njohja ime e gjuhës shqipe ka përparuar dhe e keni kuptuar se çfarë thashë”, deklaroi Feith në konferencën për shtyp përkrah Kryeministrit Hashim Thaçi. “Mendoj se GND është kënaqur meqë plani i Ahtisarit është zbatuar. Grupi ka vënë re se qeveria ka ecur përpara, e se gjatë muajve të kaluar ka ndërmarrë një sërë vendimesh të rëndësishme që e kanë nënvizuar nevojën e saj për një Kosovë shumetnike. Këta janë hapa të rëndësishëm dhe mundësojnë që Kosova të ecë përpara drejt rrugëtimit e saj europian dhe në vijimin e reformave që Kosova një ditë të aspirojë në BE”, tha Feith, duke shtuar se “jam i lumtur që po e përfundoj mandatin tim në Kosovë. Ju uroj tërë lumturinë në jetët tuaja”. Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare pranoi dështimin e misionit të tij për çështjen e veriut të Kosovës.
Vetëvendosja: “Pavarësia e plotë, një farsë” Lëvizja Vetëvendosje, forcë parlamentare në Kosovë, ka refuzuar të marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shkëputjen nga mbikëqyrja e pavarësisë, duke e cilësuar atë një farsë. “Nuk duam të bëhemi pjesë e kësaj farse që organizohet me paratë e popullit e kundër popullit. Aty na kanë ftuar që të duartrokasim dhe të buzëqeshim. Na kanë ftuar që të jemi spektatorë të privilegjuar: qytetarët janë spektatorë para ekraneve televizive, kurse deputetët janë spektatorë në sallë”, tha Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes, në një konferencë për mediat. Sipas qëndrimit të kësaj lëvizjeje, “Po hiqet mbikëqyrja e dukshme e jashtme, për t’u bërë mbikëqyrje e brendshme që fshihet brenda vetë ligjeve. U mbyll veçse një zyrë. Asgjë tjetër s’ka ndryshuar. KFOR-i, EULEX-i e madje edhe UNMIK-u janë këtu pa na njohur, pa na dhënë llogari neve, me fuqi ekzekutive mbi ne dhe me imunitet mbi ligjin”, tha Kurti.