
Kosova ka nderuar dje deputeten legjendare Nekibe Kelmendi, e njohur ndryshe si gruaja e hekurt e këtij vendi, e cila u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare, pas disa muajsh e sëmurë rëndë.Ajo ishte pjesë e lëvizjes paqësore mbarëqytetare kosovare kundër pushtimit nga Serbia. Bashkëshorti dhe dy djemtë e saj u vranë nga serbët një ditë pasi forcat NATO-s nisën bombardimet mbi Serbi. Në vitin 1999, ditën e parë pas fillimit të bombardimeve, Forcat Serbe i vranë bashkëshortin, avokatin e njohur dhe aktivistin e të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi dhe dy djemtë, Kushtrim e Kastriot Kelmendi. Edhe pasi humbi familjen e saj, Kelmendi, politikania me vullnet të hekurt, siç e përkufizuan deputetët e Kosovës, nuk është dorëzuar kurrë. Kelmendi ka qenë deputete në të gjithë legjislaturat e Kosovës deri kur u nda nga jeta. Ajo njihej si një nga aktivistet më energjike për të drejtat e njeriut, ka qenë bashkëthemeluese e “Lidhjes Demokratike të Kosovës” dhe kishte një linjë të përbashkët politike me presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova. Nekibe Kelmendi ka punuar si anëtare e grupit të ekspertëve në Grupin Politik Strategjik të Grupit të Unitetit për negociata për Kosovën, ndërkaq ishte edhe nënkryetare e Komisionit Kushtetues te Kosovës. Kelmendi ishte veprimtare e shquar e organizatave të grave dhe bashkëthemeluese e Lobit të Grave për Europën Juglindore. Nga 1 janari 2000 deri në nëntor të 2001-shit ishte bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Ishte Ministre e Drejtësisë 1 janar 2008 deri më 31 mars 2010. Pas kësaj vazhdoi profesionin e avokatisë. Edhe në çastet e fundit të jetës, mendja e saj punonte për Kosovën. Amaneti i fundit, i cili u përcoll nga e bija, Kosovare Kelmendi ishte: “Bija ime, gjeje mënyrën si të duash, i bëj të fala gjithë Kosovës”, “Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithëpopullore për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, tha presidentja Atifete Jahjaga, në Akademinë Përkujtimore për zonjën Kelmendi. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tha se Lidhja Demokratike humbi njërën prej veprimtareve më të spikatura të saj. “Ne po nderojmë sot gruan e fortë të Kosovës, Nekibe Kelmendin, gruan që këtij vendi i dhuroi fëmijët e dashur të saj, bashkëshortin e saj, gruan që tërë jetën u shqua për dinjitet dhe stoicizëm”, vlerësoi Mustafa. Kuvendi i Kosovës e nderoi me një seancë komemorative deputeten Kelmendi. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se Nekibe Kelmendi shquhej për profesionalizëm, qëndrim parimor dhe vullnet të hekurt. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi se “Zonja Kelmendi si nënë dhe bashkëshorte, përjetoi tmerret e dhunës dhe të genocidit të regjimit serb, por edhe në këtë gjendje, ajo gjeti forcën që të vazhdojë përkushtimet e saj për të mirën e shtetit të Kosovës”. Kelmendi u varros dje pasdite në varrezat e Prishtinës.
Shqipëria ngushëllon humbjen e Kelmendit
Politikanët shqiptarë kanë nderuar kujtimin e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Nekibe Kelmendi, e cila u nda nga jeta mbrëmjen e së dielës. Presidenti Bamir Topi ka ngushëlluar familjarët e saj. “Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të intelektuales e deputetes Nekibe Kelmendi, e cila me dinjitet e krenari jetoi dhe punoi edhe pas humbjes së bashkëshortit dhe dy djemve, që u vranë barbarisht nga Forcat Serbe në vitin 1999. Më lejoni që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta!”, thuhet mes të tjerash në ngushëllimin e Topit. Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka ngushëlluar vdekjen e zonjës Kelmendi me anë të një mesazhi dërguar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. “Sot, Kosova e shqiptarët kanë humbur një nga mbrojtëset më inspiruese të qëndresës kundër barbarisë serbe, zonjën Nekibe Kelmendi. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, dua t’u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë deputetëve të Kosovës”, shkruhej mes të tjerash. Ndërsa Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së radhës të grupit parlamentar të PD-së, mbajti një minutë heshtje në shenjë nderimi për kujtimin dhe veprën e politikanes nga Kosova, Nekibe Kelmendi. Kryeministri Berisha vlerësoi lart figurën dhe kontributin e saj për një Kosovë të lirë e të pavarur, faktor paqeje e stabiliteti në rajon.











