Kosova do të përdorë prefiksin e Shqipërisë, pas miratimit në seancën e djeshme në Kuvend të rezolutës që kërkon heqjen dorë nga tri prefikset e mëparshme, ai i Serbisë, i Monakos dhe Sllovenisë. Projektrezoluta u miratua me 47 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenime. Në tekstin e saj thuhet se në rast të mosmarrjes së kodit të vet telefonik, Kosovës i lejohet të shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë +355 dhe heqjen e kodeve telefonike të Serbisë +381, të Monakos +377 dhe të Sllovenisë +386. Republika e Kosovës ende nuk është anëtare e OKB-së dhe Unionit Ndërkombëtar për Telekomunikacion e rrjedhimisht nuk mund të ketë kod të vetin telefonik. Ndryshimi i prefiksit u bë pas analizës që evidentoi humbjet e mëdha financiare, qindramilionëshe, nga shfrytëzimi i kodeve telefonike të Monakos, Serbisë e Sllovenisë.











