Korrupsioni me Maturën, lirohen katër mësueset

Jul 5, 2012 | 14:26
Shkolla “Ibrahim Rugova”

Gjykata e Tiranës liroi dje nga paraburgimi katër mësueset e shkollës së mesme të përgjithshme “Ibrahim Rugova” të Kamzës, të akuzuara për “korrupsion” me provimet e Maturës.
Togat e zeza pranuan kërkesën e organit të akuzës për caktimin e masës së sigurisë “detyrim për paraqitje” për të dyshuarat Nevila Fiku, Arjana Metaliaj, Klodjana Kryemadhi dhe Fatbardha Mahmutaj. Ato u prangosën të shtunën pas dyshimeve se kishin përfituar shuma parash, në këmbim të ndihmës së disa nxënësve gjatë provimit të Maturës Shtetërore. Njëra pas tjetrës, mësueset u paraqitën dje para Gjykatës, ku u përballën edhe me akuzat e ngritura ndaj tyre nga Prokuroria. Gjatë leximit të aktakuzës, prokurori është shprehur se në dosje gjenden përgjime telefonike të të dyshuarve gjatë zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore dhe përgjime ambientale të bisedave që ato kanë bërë. Sipas Prokurorisë, organi i akuzës zotëron përgjime ambientale të të dyshuarave edhe pas shoqërimit të tyre, ku ato kanë shkëmbyer biseda për veprën për të cilën dyshohen. Vetëm njëra nga të dyshuarat është shprehur para gjykatës duke e mohuar akuzën. Tre të tjerat nuk kanë folur dhe “ia kanë besuar” avokates mbrojtjen e tyre. Në përfundim, përfaqësuesi i akuzës në proces, prokurori Gentian Osmani, i kërkoi gjykatës masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues.
SKEMA E RYSHFETI
Referuar dosjes së Prokurorisë, hetimi ndaj katër mësuesve të akuzuar për “korrupsion pasiv të personit që ushtron funksione publike”, ka filluar pas një kallëzimi të bërë në Drejtorinë e Policisë Tiranë, më 29 maj 2012. Sipas këtij kallëzimi, mësuese të shkollës së mesme të përgjithshme “Ibrahim Rugova” në Kamzë kërkonin para në këmbim të ndihmës në dhënien e provimeve. Në kallëzim “etiketohej” Nevila Hatibi, mësuesja e fizkulturës në këtë shkollë, si personi që merrej me këtë aferë. Në vijim është autorizuar përgjimi i bisedave ambientale në vende publike i shtetases Nevila Hatibi, si dhe përgjimi i komunikimeve telefonike të kësaj shtetaseje. “Është dokumentuar që në të tria provimet e zhvilluara, nxënëseve A.C. dhe F.K. iu janë dërguar përgjigjet e pyetjeve të provimit. Nxënëset kanë qenë të pajisura me celular në provime”, thuhej në materialet e Prokurorisë. Sipas hetimeve, shtetasja Nevila Hatibi, në bashkëpunim me mësueset e lëndëve, qëndronin në afërsi të ambienteve të shkollës por jashtë rrethimit, pasi nuk lejoheshin të qëndronin dhe u dërgonin përgjigjet e provimeve. Sipas akuzës, ndihma është dhënë kundrejt shpërblimit në lekë. “Për provimet e letërsisë dhe të matematikës janë paguar 20.000 lekë, ndërsa për provimin e historisë 25.000 lekë. Në provimet e letërsisë, matematikës dhe historisë të datës 2, 16 dhe 30 qershor, shtetasja Nevila Hatibi ka bashkëpunuar me shtetaset Fatbardha Mahmutaj, Klodjana Kryemadhi dhe Arjana Metaliaj për zgjidhjen e testit. Për dërgimin e përgjigjeve ajo ka marrë para, të cilat i ka ndarë me mësueset e lëndëve përkatëse”, ka rezultuar nga hetimet.            ar.ba

Mësueset e akuzuara
• Nevila Fiku,
47 vjeçe, mësuese e Fizkulturës

• Klodiana Kryemadhi, 33 vjeçe, mësuese e Gjuhë-Letërsisë

• Fatbardha Mahmutaj, 49 vjeçe, mësuese e Gjuhë-Letërsisë

• Arjana Metaliaj,
32 vjeçe, mësuese e Histori-Gjeografisë

Të gjitha në shkollën “Ibrahim Rugova”

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura