Korrupsioni, më i fortë se normaliteti

Apr 1, 2024 | 9:58
SHPËRNDAJE

NGA BEN ANDONI Ben Andoni1

Nuk ka ditë të mos lexosh apo dëgjosh për arrestime dhe akuza për korrupsion. Është kaq e tepruar kjo situatë, saqë të duket sikur jemi në një “Sodomë” korrupsioni. Kuptohet se shigjetat kryesore janë me të drejtë mbi mandatin e tretë të Ramës, por kur kujton ecurinë e paraardhësve të tij, shtuar me problemet e administratave të shumta deri në ditët e sotme, kupton se korrupsioni është i rrënjosur thellë. Dhe, kur di sesi funksionon legjislativi, njerëzit që i përfaqësojnë aty shqiptarët, pengesat që i nxjerrin autoritetet medias për të dhënat kupton se beteja ndaj korrupsionit do mbetet e vështirë. Të rinjtë që vinë me idealizëm, jo në pak raste ‘u pëlqen’ kjo lloj jete. Shumë nga emrat janë fare të panjohur, por të katapultuar frikshëm…

Gjithsesi, Shqipëria ka shënuar përmirësim të lehtë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023, referuar raportit të fundit të “Transparency International”. Vendi ynë tashmë vlerësohet me 37 pikë nga 36 pikë një vit më parë, duke u renditur i 98-ti mes 180 vendeve. Është nga të paktat momente që lemë pas Serbinë, kur flitet për indikacione, që tashmë i kanë mbetur vetëm 36 pikë dhe shtrëngon vendin e 104. Mali i Zi është kryesues në rajon, sepse është në vendin e 63 (46 pikë) dhe Maqedonia e Veriut në vendin e 76-të (42 pikë), madje të dyja vendet janë përmirësuar me një vit më parë, ndërsa Kosova mbeti në vend (në vendin e 83 me 41 pikë), por dukshëm shumë para Shqipërisë.

Ajo që të bën përshtypje është se me gjithë këto akuza, nuk funksion fare asnjë kallëzim? Të rinjve dhe fashave të ndryshme sociale nuk u bën fare përshtypje. Si ka mundësi që nuk funksionon struktura e bilbilfryrësve, që duhej të nxirrte problematika në institucione? Si ka mundësi që opozita bën zhurmë dhe nuk u thellua në tregimin e skemave të korrupsionit? Pse ndodh, që nuk ka frikë ndaj auditeve? Pse po ndodh kështu me pronat, kadastrën? Pse nuk ka frikë dhe si justifikohet e keqja? “Për këtë arsye kemi nevojë për një qasje të re për të luftuar korrupsionin sistematik, këtë korrupsionin endemik që është duke gërryer çdo qelizë të qeverisjes. Kemi nevojë për një mënyrë të re, për një qasje të re duke nisur nga ligjet bazë tek ato më specifike. Për të nisur nga fushat me prokurimet, tatimet, me koncesionet, me pronën dhe kadastrën, me të gjitha ato sektorë që ofrojnë shërbime dhe në qendër të kësaj lufte duhet vendosur parlamenti. Nuk kam asnjë besim që ato që sot shkojnë përditë tek SPAK mund ta luftojnë korrupsionin”, – ka shkruar në një prononcim të saj deputetja Tabaku.

Por, nëse ka lajm “të mirë” ose “ngushëllues” është se tashmë me korrupsionin nuk i kanë punët mirë as vendet më të përparuara demokratike. Pavarësisht se janë në pozicionin shumë më të mira sesa ne, disa demokraci të rangut të lartë, si Suedia (82), Holanda (79), Islanda (72) dhe Mbretëria e Bashkuar (71), identifikohen me rezultatet e tyre më të ulëta ndonjëherë në CPI prej kur ky raport botohet.

Me pak fjalë, korrupsioni është kudo i hidhur, por në rastin shqiptar është i tillë saqë trembesh nga anonimët që katapultohen me pasuritë e frikshme dhe që rriten përditë e për orë përballë syve tanë dhe që e kemi aq të vështirë t’i ndalim, kur mekanizmat e shtetit tonë nuk mjaftojnë t’i ndalin. Si shpërdorohet gjithçka e mirë në këtë vend? Ku ka mbetur kinse idealizmi? Pse shoqëria nuk ka mekanizma ta ndalë këtë makth?

Në një qasje më sociale, dikur Monteskie e përçonte këtë tek moshat e mëdha. “Nuk janë të rinjtë që degjenerojnë; ata nuk korruptohen derisa të shohin ata të moshës së pjekur që janë të zhytur tashmë në korrupsion”, – shprehej dikur ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura