
Skandal në Korçë, vidhet fondi i pikturave në Galerinë e Arteve Figurative. Rreth 60 piktura me vlera të mëdha kulturore, por edhe monetare, mungojnë nga fondi i galerisë së arteve figurative “Guri Madhi” në Korçë. Më shumë se gjysma e tyre janë vepra të të madhit Vangjush Mio, kryesisht peizazh dhe natyrë e qetë me vlerë nga 10-30 mijë dollarë. Asnjëra prej tyre nuk dihet se ku ka përfunduar, duke ia hequr qytetit të Korçës një pjesë të vlerave. Rasti është zbuluar gjatë një inventari dorëzues që ishte duke u kryer në këtë fond, pasi sipas të dhënave do të ndryshohej kujdestari aktual, Sotiraq Xega, piktori i cili përgjatë 10 viteve të fundit është kujdesur për fondin në mënyrë vullnetare. Sipas burimeve nga drejtues të galerisë Xega do të zëvendësohej me një tjetër punonjës të kësaj galerie nën argumentin e daljes në pension. Debati e ka zanafillën pikërisht te ky zëvendësim, pasi Xega ka refuzuar dorëzimin e fondit, pasi sipas tij personi të cilit do t’i dorëzohet nuk është i përshtatshëm për t’u kujdesur për këtë fond, sepse nuk gëzon njohuritë e duhura. Tymnaja e ngritur nga ky diskutim, i cili ka nisur rreth 3 muaj më parë, tashmë është mbuluar nga skandali i dalë sheshit, ku bëhet fjalë për piktura me vlerë disa miliona dollarë. Vladimir Topi, drejtori i galerisë së arteve figurative “Guri Madhi”, ka denoncuar rastin duke paraqitur konstatimin paraprak të vjedhjeve.
A janë vjedhur vepra arti nga fondi i galerisë?

Kemi konstatuar zhdukje të veprave të artit në këtë galeri. Nuk mund ta mohoj, por nuk mund të jap as shifra konkrete. Aktualisht ne jemi duke bërë një inventar dhe së bashku me komisionin gjithçka po verifikohet. Nga sa më është komunikuar, ende nuk janë gjetur rreth 60 vepra arti, por kjo shifër nuk është përfundimtare. Është e çuditshme, sepse pjesa më e madhe e tyre janë vepra të piktorit Vangjush Mio.
Si arritët në këtë zbulim?
Jemi duke bërë një inventar, pasi është larguar kujdestari i gjithë këtyre viteve. Punonjësi i ri, para se të marrë përsipër fondin, do të ketë gjithçka të inventarizuar dhe nga kjo situatë kanë dalë edhe mungesat e veprave. Inventari i fundit që kishim bërë i takon janarit të vitit 2011. Pas kësaj situate kemi ngritur urgjent një grup pune dhe po verifikojmë arkivat e veprave dhe vërehen mungesa. Mungojnë peizazhet e Mios, por edhe autorë të tjerë që janë të shekullit të fundit. Në fund të verifikimeve do saktësohen edhe emrat e tyre.
Ku bien këto dyshime? A ka pasur dhunime të ndërtesës?
Nuk kemi pasur grabitje, pasi edhe dera është në rregull. Situata duket e rëndë, por ne do dalim me një procesverbal në fund të verifikimeve. Veprat e Mios që mungojnë janë kryesisht peizazh dhe përgjegjësia natyrisht bie mbi kujdestarin e fondit që i ka mbajtur për më shumë se 10 vjet. Normalisht do të mbajë përgjegjësi ai që i ka vjedhur apo zhdukur veprat, në fund të verifikimeve.
Kujdestari: “Askush s’mund të hedhë baltë mbi mua”
Sotiraq Xega kishte marrë detyrën e kujdestarit të fondit prej vitit 2001 dhe kujdesej për të pa pagesë, siç shprehet edhe vetë.
Si janë zhdukur pikturat?
Nuk e di. Unë personalisht kam kartelizuar pjesën më të madhe të tyre. Gjithçka e kam fotografuar dhe shënuar me detajet përkatëse. Kur e kam marrë në dorëzim nuk kam bërë inventar, thjesht kam firmosur diku pa e ditur se çfarë do të merrja në dorëzim, por unë i kam ruajtur të gjitha me detaje.
A ka pasur përgjatë këtyre viteve vjedhje të fondit?
Unë e kam gjetur dy herë derën të shqyer dhe kam njoftuar drejtuesit e mi. Nuk e di se çfarë kanë bërë ata më tej.
Për çfarë pikturash bëhet fjalë?
Mungesa ka të emrave të njohur dhe të panjohur, por më shumë janë vjedhur veprat e Vangjush Mios. Është e turpshme sesi mund të përfundojnë në duart e të panjohurve vlera të tilla të cilat kushtojnë miliona dollarë.
Dyshimet më të shumta bien mbi ju si kujdestar i këtij fondi, si e konsideroni këtë akuzë?
Po pres rezultatet e inventarit që po bëhet. Ai do të zbardhë gjithë të vërtetën, por unë di vetëm kaq që dikush tjetër i ka lakmuar ato piktura. Peizazhi i Mios, penelatat e tij janë të pakrahasueshme dhe ky që ka ndodhur është një turp i madh, por askush nuk mund të hedhë baltë mbi mua, sepse të gjithë e dinë sesa mund kam hequr për t’i mbrojtur ato. Kam paguar edhe nga xhepi për t’i ruajtur, pasi janë vlera të Korçës.
E bija: E tronditur, vlerat duhen mbrojtur
Vajza e Vangjush Mios, Rozeta, përmes telefonit ka shprehur indinjatën e saj. Në një gjendje të rënduar emocionale pas marrjes së lajmit, e kushtëzuar edhe nga gjendja e saj shëndetësore, Rozeta Mio apelon për gjetjen e autorëve pasi kjo është hera e dytë që veprat e Mios përfundojnë kushedi se ku. “Për mua është ana morale shqetësimi më i madh. Ne ia kemi shitur shtetit ato piktura me një vlerë simbolike 400 deri në 500 lekë. Kemi dashur që të jenë pjesë e pasurisë së tij dhe jo të vidhen nga kushdo e të bëhet tregti me to”. Ajo tregon se një mikeshë e ka lajmëruar për atë që kishte ndodhur, pasi pa në televizor lajmin. “Herën e parë në vitin 1994 u vodhën disa piktura dhe asnjë gjurmë e tyre nuk doli. Kërkuam përmes Policisë, Interpolit, por nuk u zbulua asnjë autor. Këtë herë duhet me patjetër të vihen para përgjegjësisë personat që e kanë ndërmarrë këtë veprim. Jam tepër e tronditur, vlera të tilla nuk mund të vidhen, ato duhen mbrojtur”, u shpreh Rozeta Mio.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al













