Korçë, zarfe me para për provime, hetohet pedagogia

Jun 6, 2012 | 14:52

KORÇE – Pedagogia detyronte studentët të paguanin për t’i kaluar në provime. Policia e Korçës ka nisur procedimin penal për pedagogen e Infermierisë, Elda Nuni, si dhe për nënën e saj të moshuar, në rolin e sekseres. Sipas burimeve të Policisë, studentët i çonin në shtëpi zarfet me lekë për të marrë provimin. Inicialet sipër zarfit dhe të paktën 5 mijë lekë në brendësi të tij. Kjo ishte mënyra e vetme që duhet të përmbushnin studentët e Fakultetit të Infermierisë për të marrë provimin e tyre. “Ndaj pedagoges Elda Nuni ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Penalisht në gjendje të lirë do të ndiqet edhe nëna e pedagoges, e cila ka qenë ndërmjetësuesja për realizimin e aferave që kryente vajza e saj”, bënë të ditur burime zyrtare të Policisë së Korçës. Në banesën e pedagoges 45-vjeçare janë gjetur rreth 11 zarfe dhe 46 mijë lekë në brendësi të tyre në shuma të ndryshme, si dhe me inicialet respektive përsipër. Mësohet se hetimi policor nisi pas sinjalizimeve të dhëna nga studentë të ndryshëm, të cilët nuk kishin mundësi financiare për të paguar provimin, kryesisht në lëndën e histologjisë. Policia ka marrë në pyetje deri më tani 13 studentë të degës së Infermierisë, të cilët kanë pohuar se kanë dhënë ryshfet për marrjen e provimeve. Pas skandalit të pedagoges, dje reagoi edhe rektori i universitetit “Fan Noli”. I kontaktuar në telefon, Gjergji Mero u shpreh se pasi ka marrë dijeni për rastin e pedagoges së Infermierisë, rektorati është në pritje të përfundimit të hetimeve.

© Panorama.al

Te lidhura