
KORÇE – Hetimet për vdekjen e 49-vjeçares Fatbardha Aliko në Maternitetin e Korçës kanë mbetur pezull si pasojë e mungesës së një rezultati të autopsisë që pritet nga kryeqyteti. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se është krijuar një ngërç për vijimin e hetimeve, ndërkohë që duhet të kishin një rezultat të kampioneve 14 ditë pas vdekjes së 49-vjeçares Aliko. Kur ka kaluar më shumë se 1 muaj nga vdekja e papritur në ambientet e Maternitetit të Korçës, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në mitër, familjarët e gruas shprehen të zhgënjyer nga zvarritjet për zbardhjen e vdekjes së saj. Vetë djali i viktimës, Algert Aliko, thotë se familja është duke u zhgënjyer nga Drejtësia për herë të dytë. “Pak kohë më parë humbëm babanë në një aksident rrugor dhe u zhgënjyem nga gjykata, pasi drejtuesi i mjetit nuk u dënua se doli i pafajshëm edhe pse e shtypi babanë tim duke i shkaktuar vdekjen. Është e dhimbshme sesi historia po përsëritet edhe me nënën tonë. Pse ekspertiza po vonohet kaq shumë kur dihet se duhen vetëm 2 javë maksimumi për të dhënë një rezultat? Unë do ta çoj deri në fund të vërtetën, pasi më kanë thënë që tromboza shërohet dhe për këtë mendoj se shkaku i vdekjes nuk ka qenë tromboza”, shprehet Algert Aliko. Edhe për nusen e të ndjerës nevoja për të ditur rezultatin është e madhe, pasi duket se të gjithë familjarët nuk mund të gjejnë qetësi. “Ne jemi duke pritur që të dimë shkakun e vdekjes së saj. Nuk e dimë ende arsyen e humbjes së Fatbardhës dhe kjo nuk na lë të qetë”, thotë Alma Aliko, pas vdekjes së 49-vjeçares. Në fillim të muajit qershor, Fatbardha Aliko kreu një ndërhyrje të suksesshme në Maternitetin e Korçës, duke hequr mitrën. Por, 10 ditë pas operimit, ajo ndërroi jetë papritur. Familjarët akuzuan mjekët për mjekim të pakujdesshëm, akuzë mbi të cilën po kryen hetimet Prokuroria. Pavarësisht mbrojtjes së mjekëve, pritet që autopsia të zbardhë dhe shkakun e saktë të vdekjes. dh.d











