Korçë, sot nis Festa e Birrës

Aug 11, 2011 | 13:10
Në festën e birrës “Korça” vitin e kaluar

Birra “Korça” do të jetë dominuesja në 4 netët e Festës së Birrës në qytetin juglindor.Kjo birrë, e lindur në këtë qytet, sa tradicionale dhe e veçantë, do të sjellë, ashtu sikundër vitet e kaluara, një sukses të padiskutueshëm në këtë festë. Prej së enjtes e deri mbrëmjen e së dielës, birra e parë në vend do të mbizotërojë në këtë festë, e cila numëron me mijëra qytetarë që festojnë dhe konsumojnë birrën unike të Korçës. Festa e birrës kulmon sezonin turistik të Bashkisë së Korçës falë tejkalimit që i ka bërë kufijve hapësinorë duke u afirmuar tashmë si një prej festave më të mëdha në vend. “Birra ‘Korça’ vihet këtë vit edhe më tepër në qendër të vëmendjes”, bën të ditur drejtoresha e Turizmit pranë Bashkisë së Korçës, Sofjola Kotelli. Sipas saj, birra “Korça” mund të quhet mbretëresha e festës së birrës, pasi ka edhe numrin më të madh të stendave ku do të ofrohet birrë për qytetarët, të cilët do të festojnë deri në orët e para të mëngjesit për 4 net rresht. “Për 4 vjet, Festa e Birrës ka promovuar vlera të vërteta për turizmin, jo vetëm për qytetin, por për gjithë rajonin e Korçës. Në këtë festë të traditës nuk ka se si të mungojë birra e traditës, siç është birra ‘Korça'”, u shpreh Kotelli. Prej edicionit të parë e deri në edicionin e katërt, birra “Korça” është konsumuar gjithnjë e më tepër. Numri i gotave të pira me këtë birrë ka kaluar në mbi 100 mijë, duke konfirmuar edhe njëherë

Përgatitjet për Festën e Birrës në Korçë

suksesin e kësaj birre, e cila ka konkurruar denjësisht mes gjithë birrave të tjera. Vetëm disa orë para startimit të kësaj feste pasditen e së enjtes, Bbashkia e Korçës është drejt përfundimit të skenës ku do të këndohet dhe kërcehet edhe më tepër sesa vitet e kaluara, ndërsa janë rritur së tepërmi të gjithë komponentët që e bëjnë këtë festë me pikanten e verës. Mes elementeve të veçanta të dekorimit nuk do të mungojnë edhe posterat e birrës, të cilat i kanë dhënë emrin kësaj feste. Pjesëmarrja pritet të jetë më e lartë se çdo vit, gjë që është parashikuar edhe në rritjen e kapacitetit të tavolinave që do të vendosen në dispozicion të qytetarëve. Mbi 10 mijë persona për çdo natë janë numëruar verën e kaluar, duke shënuar një shifër rekord të pjesëmarrjes, por edhe të konsumimit të birrës, shifër e cila është përllogaritur deri në 150 mijë gota gjatë gjithë netëve. Në festën, e cila nuk njeh moshë, duket se nuk do të mungojnë edhe pjesëmarrësit nga rrethinat, qytetet e tjera të Shqipërisë, por edhe jashtë vendit, të cilët prej kohësh duket se kanë rezervuar në hotelet e qytetit për t’u bërë pjesë e kënaqësisë që sjell kjo festë dhe për të shijuar kënaqësinë e birrës “Korça”, birrës së këtij qyteti. Programi i festës për këtë vit do të sjellë edhe disa prej ambasadorëve, si ai holandez, kinez, gjerman etj., të cilët do të përcjellin edhe impresionet e tyre për shijen unike të birrës “Korça”. Pjesë e axhendës së pushimeve për mijëra qytetarë është bërë kjo festë edhe përmes rrjeteve sociale ku konfirmimet për pjesëmarrje nuk kanë munguar. Bashkangjitur me to kanë ardhur edhe komentet për shijen e birrës “Korça”, e cila shumëfishohet nën efektin e festës dhe dëfrimit.

Investimi

Bashkia e Korçës për këtë vit ka shpenzuar vetëm 6 milionë lekë për organizimin e Festës së Birrës. Ndërkohë, nga drejtoresha e Turizmit, Sofjola Kotelli, është bërë e ditur se kostoja e vërtetë e saj është mbi 10-fish, por duket se mbështetjen kryesore në organizimin e kësaj feste e sjellin bizneset pjesëmarrëse, të cilat janë edhe financueset më të mëdha për këtë edicion.

 

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura