Pas lajmeve për mundësinë e rritjes së çmimeve dhe pasigurisë nga situata ndërkombëtare, ka dalë rasti i parë i dukshëm në një furre në qytetin e Korçës që ka rritur çmimin e bukës me pretendimin se është shtrenjtuar çmimi i miellit.
Por, pas një verifikimi të News24 në pikat e tregtimit të miellit në qytet, tregtarët mohuan çdo rritje të çmimit. Aktualisht, mielli shitet me 52 lekë/kg dhe çmimi nuk ka ndryshuar për dy vjet.
Vëzhgimi në terren tregoi se furrat e tjera në Korçë nuk e kanë rritur çmimin e bukës. Pamjet e siguruara tregojnë se shumica e furrave mbajnë çmime të pandryshuara.
Gazetarja e News24 bleu dy bukë me të njëjtën madhësi dhe përbërje në dy furra të ndryshme. Tek furra që ka rritur çmimet, bukët shiteshin 150 lekë, ndërsa tek furra tjetër çmimi ishte 120 lekë, pa ndryshim.
Situata tregon se vetëm një furrë në qytet ka aplikuar rritje, duke pretenduar si shkak shtrenjtimin e miellit, pavarësisht se tregu dhe furnitorët konfirmojnë se çmimi i tij nuk ka ndryshuar.
© Panorama.al














