Korçë, Rama fton gratë të bëhen pjesë e ‘Rilindjes’

Jul 7, 2012 | 17:08
Rama gjate takimit në Korçë

KORÇE- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nga Korça ftoi gratë dhe vajzat e gjithë Shqipërisë që të bëhen pjesë e forumit të gruas socialiste. Rama kërkoi kontributin e tyre për një angazhim gjithëpërfshirës për realizmin e programit “Për një Rilindje Shqiptare”, si dhe premtoi mbështetje maksimale nga Partia Socialiste për angazhimin e grave dhe të vajzave në çdo nivel të shoqërisë, që ajo të mos ndjehet e pabarabartë.

“Sepse unë besoj me gjithë zemër që Shqipëria është këtu ku është, domethënë jo aty ku duhet të ishte për faj të burrave. Mund të shkojë aty ku duhet të shkojë për meritë të grave. Dhe nëse ka një rol që burrat duhet të luajnë në këtë fazë historike për zhvillimin e vendit është që t’u hapin rrugë sa më shumë grave dhe sa më shumë vajzave që të përfshihen në jetën shoqërore, në jetën publike dhe në jetën politike.”- tha Rama në fjalën e tij.

Më tej kryesocialisti tha se, problemet që hasin gratë dhe vajzat në Shqipëri, varfëria, papunësia, apo trafikimi mund të adresohen vetëm me kontributin e tyre në vendimmarrje dhe politik.

Qëllimi i këtij rrugëtimi  i cili  ka nisur me herët në qytetin e Durrësit dhe Shkodrës, ka të bëjë me angazhimin e PS që gratë dhe vajzat të zënë vendin që u takon në familjen e madhe politike socialiste.

© Panorama.al

Te lidhura