
Mbyllet në mënyrë madhështore Festa e Birrës në qytetin e Korçës. Mijëra të pranishëm kanë konfirmuar këtë fakt, duke qëndruar zgjuar deri në agim, në atmosferën festive.Jo vetëm qytetarë të thjeshtë nga Shqipëria dhe mbarë bota, por të gjithë diplomatët e akredituar me misione në Tiranë kanë qenë pjesë e festës gjigante që përmbylli mbrëmë natën finale të saj. Për 4 net rresht birra është derdhur lumë në këtë festë tradicionale tashmë për qytetin e serenatave. Jo vetëm organizatorët e festës, por dhe shijuesit e saj kanë pohuar njëzëri se qyteti dhe festa lidhen ngushtë me emrin e “Birra Korça”. Pija gati 1-shekullore, e cila u rikthye në tregun shqiptar dhe po konsumohet deri në kontinentin amerikan, falë investimit të kompanisë IHB Grup, ka korrur suksesin maksimal në këtë edicion të katërt të Festës së Birrës. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur mijëra gota, me birrë bionde dhe të zezë, kanë tërhequr dhjetëra mijëra persona. Mësohet se deri në mesnatën e mbrëmjes së fundit ishin konsumuar mbi 120 mijë gota me birrë. I pranishëm në natën e katërt të Festës së Birrës ka qenë edhe ambasadori kinez, Wang Junling. Ai është mahnitur nga atmosfera, duke u shprehur se do ta ndiente veten me fat nëse do të ishte pjesë e kësaj feste dhe në vitet e ardhshme. Grupit diplomatik të përzgjedhur për pjesëmarrjen në festën e veçantë nuk kishte si t’i mungonte edhe përfaqësuesi i shtetit kinez, duke bërë kështu që “Birra Korça” të shijohet edhe nga përfaqësues të kontinentit aziatik. Festa e birrës e parë nga këndvështrimi i ambasadorit është vlerësuar së tepërmi, ndërsa ka tejkaluar pritshmëritë e tij. “Kur kam marrë ftesën për t’u bërë pjesë e kësaj feste nuk kam menduar se do të kishte përmasa të tilla. Mund të them se jam i habitur nga pjesëmarrja, por edhe nga atmosfera”, u shpreh ai. I ulur nën stendën e “Birra Korça”, kreu i misionit diplomatik kinez në vendin tonë, ka shijuar edhe pijen e qytetit të cilën e ka komentuar tepër cilësore. “Jam i impresionuar nga kjo festë, nga mënyra e organizimit, por më tepër nga birra që po pi. Ka një shije vërtet të mirë dhe cilësi të lartë. Është hera e parë që unë vi në këtë festë, por do të lumturohesha nëse vitin e ardhshëm do të më vinte një ftesë. Mund të them që do të vija me kënaqësi”, pohoi ambasadori Junling, ndërsa trokiste gotat me birrë me kryebashkiakun e Korçës dhe të afërmit e tij. “Birra Korça”, e konsumuar në mënyrë rekord në 4 netët e fetës, së bashku me muzikën dhe surprizat e tjera të natës finale, ka çuar në këmbë të gjithë pjesëmarrësit. Mbrëmja e fundit ka vijuar deri në agim, pasi të gjithë kanë preferuar të shijojnë deri në fund Festën tradicionale të Birrës. Më e realizuara në këta 5 vjet, “Festa e Birrës ” u krijua në qytetin e traditës, së bashku me birrën e traditës e cila daton qysh në vitin 1928, duke u kthyer kështu në një festë të madhe që nuk njeh asnjë limit.
“S’i rezistoj tundimit per “Birra Korça”
E ardhur enkas nga Belgjika me familjen e saj Marlen Shahinas shprehet: “E di që më duhen edhe pak muaj para se të mbush 18-vjeç, por është e pamundur t’i rezistosh tundimit për të qenë pjesë e festës. Kur të gjithë pinë birrë edhe unë mund të pi pak. Prindërit më lejuan të pi vetëm ‘Birra Korça’. Tani e kuptoj pse është shumë e mirë dhe do të më pëlqente që ta pija gjithmonë vetëm atë.”
“’Birra Korça’, pjese e familjes sime”
Alma Bandilli nga qyteti i Korçës ka përgëzuar festën teksa ka qenë duke pirë një shishe “Birra Korça”. “Është viti i 5-të që unë bëhem pjesë e një eventi të tillë dhe them me bindje të plotë se esenca e çdo viti ka qenë ‘Birra Korça’. Për çdo vit më sjell një magji që tashmë është bërë pjesë e pandashme e imja. Unë Birra Korçën e kam vazhdimisht në tryezën e familjes sime, por këtu shija dhe kënaqësia që të fal ajo shumëfishohet”.
Peleshi: “Birra Korça”, në qendër të festës

Në përmbyllje të Festivalit të Birrës, në të cilin ka pasur dyndje masive të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi, është shprehur i kënaqur për arritjet e kësaj feste. Ai ka vlerësuar mbështetjen e biznesit, duke vlerësuar maksimalisht “Birra Korça”, si birra e qytetit, por e konfirmuar për cilësinë e saj edhe nga të huajt.
Festa e Birrës në qytetin e Korçës edhe për këtë edicion të pestë ka mbledhur me mijëra pjesëmarrës. Si e komentoni suksesin e saj?
Personalisht kam qenë i bindur prej fillimit që Festa e Birrës do të kthehej në një festë popullore mbarëshqiptare, por edhe që do të ngjallte interes të lartë për vizitorët dhe turistët e huaj, sepse nuk mund të ketë vend më të përshtatshëm sesa qyteti i Korçës për të organizuar një festë të tillë. Korça është qytet i cili prej mëse 18 vjetësh, shijimin e birrës dhe produkteve të tjera e ka një stil jete. Korça ka këngët e veta që e plotësojnë atmosferën, këngët dhe serenatat që tingëllojnë bukur për korçarët, shqiptarët dhe të huajt. Mbi këtë bazë ne kemi ngritur këtë event, duke sjellë idenë kreative ku çdo qytetar, me një kosto shumë të ulët mund të shijojë një atmosferë të mrekullueshme për orë të tëra.
Stafi organizativ ka përzgjedhur që çdo natë të sjellë nga një ambasador enkas për festen. Pse ky detaj sivjet?
Më duhet që të shpreh mirënjohje të thellë për grupin diplomatik. Vizita e tyre në festë nga ne lexohet si një dëshirë e tyre për t’u argëtuar, por edhe si mbështetje për bashkinë e qytetit e cila ka ditur që përmes këtij eventi të zhvillojë turizmin në qytet.
Sa ka shpenzuar Bashkia për të sjellë sërish këtë festë dhe sa është mbështetur ajo prej biznesit?
Më vjen mirë që më bëhet një pyetje e tillë. Ajo që mund të them është se bëhet fjalë për një shifër shumë domethënëse, pasi Bashkia arrin që me një investim shumë të vogël prej 600 mijë lekësh të mundësojë një event me përfitime kaq të mëdha. Për këtë duhet të falenderoj biznesin si shtylla kryesore në realizimin e kësaj feste. Dhe padyshim “Birra Korça” ka qenë dhe mbetet në qendër të eventit, sepse ajo jo vetëm është birra e qytetit, por edhe birra e parë shqiptare, cilësia e së cilës nuk mund të vihet në diskutim. Personalisht ndihem shumë mirë kur ka fjalë të mira dhe vlerësime për birrën tonë, jo vetëm nga qytetarët shqiptarë por edhe prej turistëve të huaj, gjë që mua më bën të mendoj se kjo birrë ashtu sikundër në Shqipëri duhet të zërë vendin e parë edhe në tregjet e huaja nëpërmjet eksportit të saj.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











