Korçë, gjendet kufoma e gjymtuar

Aug 13, 2011 | 12:23
Policia në vendin ku u gjet trupi i copëtuar i gruas së paidentifikuar

E vret me thikë e më pas e shpërfytyron deri në gjymtim total të trupit.I gjithë vendi u trondit dje nga masakra e zbuluar fare rastësisht në vendgrumbullimin e mbeturinave të Korçës, pranë fshatit Ravonik. Askush nuk do të kishte mësuar për ngjarjen horror, parë vetëm nëpër filma, nëse kërkuesit e kanoçeve nuk do të dallonin shenjat e gjakut. Një grua rreth 30-35 vjeçe është viktima ende e paidentifikuar. Autori i masakrimit e gjymtimit të saj, i cili endet i lirë akoma, i ka shkaktuar vdekjen duke i prerë njërën pas tjetrës gjymtyrët, kokën, madje dhe organet gjenitale. Mungesa e kokës e ka bërë të paidentifikueshme për momentin kufomën, e cila mendohet se është bërë shënjestër e vrasësit vetëm pak orë para se të gjendej. Policia vuri mbrëmë në dispozicion 10 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm për këtë ngjarje. Copat e trupit u gjetën rreth orës 23:00 të së enjtes, në dy thasë plastmasi, në vendin e hedhjes së plehrave. Kanë qenë disa persona, të cilët e sigurojnë jetesën përmes seleksionimit të mbeturinave, ata që kanë konstatuar njërën prej qeseve ku ishin hedhur krahët. “Ne ishim duke punuar këtu, ashtu si çdo mbrëmje. Po mblidhnim kapaçka. Pasi punuam për rreth një orë, u mblodhëm të gjithë pranë zjarrit. Vetëm njëra prej grave ishte duke punuar kur na thirri të gjithëve, pasi kishte gjetur diçka. Sapo u afruam, pamë se ajo kishte hapur një qese plastmasi të zi, prej nga kishin dalë një dorë dhe një këmbë. Në fillim kujtuam se ishin plastike, por më tej vumë re gjakun dhe nisëm t’i ngacmonim me shkopinj. Vetëm atëherë e kuptuam se ishin pjesë të ndonjë trupi njerëzor. Unë u nisa menjëherë në drejtim të komisariatit, ku njoftova policinë për këto pjesë që kishim gjetur. Sapo mbërritën, drejtori i policisë dhe të tjerë nisën të kërkonin kur njëri prej oficerëve shkeli një qese nga ku dolën gjymtyrë të tjera. As nëpër filma nuk e kam parë një gjë të tillë. Kur gjetëm trupin, ai ishte i zhveshur, ndërsa rrobat i kërkuam deri vonë, por vetëm në mëngjes u gjetën”, tregon Guri S. Nga verifikimi i pjesëve të trupit, grupi hetimor konfirmoi faktin se bëhej fjalë për një femër. Ajo ishte pa kokë, duar e këmbë të prera, si dhe trup të përgjysmuar. Me gjithë kërkimet intensive të policisë, nuk është gjetur koka e kufomës. Policia tha se pas këqyrjes së kufomës ka rezultuar se ajo është goditur me dhjetëra herë me thikë dhe më tej është copëtuar me mjete të mprehta. Sipas drejtuesve të Komisariatit të Policisë së Korçës, për vrasjen e gruas është përdorur një thikë, ndërsa për gjymtimin dhe copëtimin e saj, një sëpatë. Ngjarja tronditëse është zbuluar pak para mesnatës së të enjtes. Skena makabër ka tronditur edhe vetë blutë e Korçës, të cilët, pavarësisht tentativave për ngritjen e ndonjë piste, vijojnë të mos kenë as identitetin e viktimës, dhe asnjë të dyshuar për autorësinë e kësaj ngjarjeje. Deri në mbrëmje nuk ka pasur asnjë familjar të denoncojë person të zhdukur.

Karakteristikat

Seksi – femër

Gjatësia – 160-162 cm

Mosha – 30-35 vjeçe

Veshja: Një palë tuta sportive, material sintetik, me ngjyre blu dhe me shiritat anash rozë dhe jeshile, si dhe një kanotierë bojë qielli me mbishkrimin
“AC ORIGINAL”

Vrasja, dyshime për motive xhelozie

Edhe pse nga specialistë të hetimit pohohet se mungesa e kokës e bën thuajse të pamundur identifikimin e gruas, baza kryesore do të mbështetet te shenjat e tjera dhe ndoshta te një denoncim. Nga burime të tjera të policisë bëhet e ditur se prerja e organeve gjenitale të viktimës ngre dyshimet për një motiv xhelozie, duke bërë që autori të dyshohet si një person, i cili ka pasur lidhje me viktimën. Veshja me rroba shtëpie e saj ngre mundësinë që ajo të jetë nga qyteti i Korçës apo rrethinat, dhe se mund të ketë dalë nga banesa për pak kohë dhe të jetë takuar me një person me të cilin ka pasur njohje. Trupi mendohet se pas masakrimit të jetë hedhur në kontejnerët e mbeturinave e më tej është transportuar drejt vendgrumbullimit në dalje të qytetit. Policia ka vënë në dispozicion për çdo lloj informacioni numrat e telefonit të saj: 129, 0694106891 dhe 0694103550.

Precedenti i viktimës në Lezhë

Një 25-vjeçare nga Fieri u gjet e masakruar në pyll, në afërsi të plazhit të Shëngjinit. Anisa Opingari, nënë e dy fëmijëve të mitur ishte qëlluar mbi 20 herë me thikë në trup. Trupi ishte në gjendje dekompozimi, pasi krimi kishte ndodhur rreth 1 javë para se kufoma të pikasej nga kalimtarë të rastit. Ende nuk ka asnjë person të ndaluar për këtë krim makabër ndaj nënës së re, ndërsa hetimet po kryhen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

 

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura