Korçë, ekzekutimi i Myderi Verdhës u krye me 75 plumba

Feb 2, 2012 | 12:04

Viktima Myderi Verdha, i ekzekutuar në pritë në rrugën nacionale Pogradec-Korçë. Majtas, makina e 50-vjeçarit e qëlluar me breshëri automatiku

Policia zbardh ekspertizën. Dyshohet vrasës me pagesë për 47-vjeçarin

I implikuari në të paktën 10 vrasje të ndodhura në qarqet kryesore të vendit dyshohet të jetë ekzekutuar për hakmarrje. Një ditë pas ekzekutimit të vrasësit me pagesë Myderi Verdha, policia ka ngritur edhe pistën kryesore të hetimit. Ekzekutimi mafioz i 47-vjeçarit ka vënë në lëvizje blutë e qarkut të Korçës, edhe pse ende nuk ka asnjë të dyshuar. Sipas burimeve policore, vetë veprimtaria e mëparshme e banorit të Leshnicës mund të ketë çuar në vrasjen e tij. Pas punës së kryer në vendngjarje dhe analizave të mëtejshme mes të cilave dhe autopsia, ekspertët kanë mundur të ndërtojnë skenën e krimit. Policia bëri të ditur se në vendin e krimit janë gjetur 75 gëzhoja automatiku, por ende nuk është përcaktuar nëse i përkasin së njëjtës armë. Pas analizave balistike do të jetë i mundur përcaktimi nëse kemi të bëjmë me të njëjtën armë dhe vetëm një ekzekutor, apo kjo është një ngjarje e organizuar nga disa persona. Sipas të dhënave nga këqyrja e kufomës ka rezultuar se në trupin e viktimës janë gjetur 12 plumba, dy prej të cilëve në pjesën e qafës dhe dhjetë të tjerë në organet jetësore të tij. Sipas Policisë, nuk dihet ende nëse personi që ka kryer këtë krim e ka vrarë për hakmarrje personale, apo është paguar nga të tjerë persona për të eliminuar Myderi Verdhën, apo kemi të bëjmë me një rast tjetër vrasje me pagesë nga persona të tjerë, të cilët mund të kenë urdhëruar ekzekutimin e Myderi Verdhës. Pas ngjarjes policia ka shoqëruar 20 persona, të cilët mendohet se mund të japin detaje rreth ngjarjes, por asnjë prej tyre nuk mendohet të jetë i implikuar në krim. Mundësia më e madhe, sipas burimeve të Policisë, është që kjo ngjarje të ketë lidhje me një krim të kryer nga viktima jashtë qarkut të Korçës. I vrarë në një prej kthesave të Qafë-Plloçës, Verdha është gjetur me armë në dorë pasi mendohet se e ka parë personin që do të qëllonte në drejtim të tij dhe ka tentuar të vetëmbrohet, por nuk ka arritur të qëllojë. I fshehur pas disa shkëmbinjve në krahun e djathtë të rrugës nacionale, ekzekutori mendohet se ka pasur dijeni për lëvizjen e viktimës dhe ka nisur të qëllojë në drejtim të tij pikërisht në momentin kur Verdha është afruar në kthesë dhe, për rrjedhojë, ka ulur shpejtësinë. Ky moment i ka shërbyer autorit për të qëlluar në drejtim të 47-vjeçarit. Sipas të dhënave të Policisë, ende nuk është gjetur asnjë dëshmitar për ngjarjen, kjo edhe për shkak se në momentin kur ka ndodhur krimi ka qenë duke u zhvilluar në stadiumin e qytetit të Pogradecit ndeshja Flamurtari-Skënderbeu, ndeshja e cila ka përqendruar vëmendjen e pjesës më të madhe të qytetarëve. Në përpjekje për të zbardhur krimin policia ka gjetur edhe të gjitha lëvizjet e kryera nga Verdha deri në momentin e ekzekutimit të tij.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura