
Ka arritur një marrëveshje paraprake me presidentin Valter Fushaj, por ende nuk ka firmosur për sezonin e ri. Bëhet fjalë për Vioresin Sinanin, teksa kontrata e tij varet nga ecuria e skuadrës në Ligën e Europës. Mund të duket e çuditshme, por këtë e ka konfirmuar pak ditë më parë për “Panorama Sport” edhe vetë presidenti Fushaj. “Nuk ka çështje ‘Sinani’ në klubin tonë, por ajo që unë mund të them është se me lojtarin kemi probleme që lidhen me marrëdhëniet financiare. Nëse nuk kalojmë turin e parë të Ligës së Europës, atëherë Sinanit do t’i bëj një ofertë më të ulët nga sezoni i kaluar. Por, në rast se ne e kalojmë këtë tur, Viori do të qëndrojë me të njëjtat parametra financiarë. Sinani është i ndërgjegjshëm për këtë dhe i di mirë gjërat, por unë besoj se do ta mbyllim shpejt kontratën”, ka thënë Fushaj. Ndërkohë, krijon paksa habi fakti që sulmuesi i shquar nuk është i sigurt nëse do të qëndrojë apo jo me Vllazninë. Kreu i klubit i ka vënë kushte për kontratën dhe kjo do të thotë se Sinani mund të refuzojë, gjithnjë nëse Vllaznia nuk arrin të kalojë turin. Gjithsesi, vetë Fushaj ka mohuar kategorikisht se me kapitenin ka kontradikta. Ai ka thënë hapur se paga e sulmuesit do të ulet, vetëm në rast se skuadra dështon në ndeshjet ndërkombëtare. Mësohet se Sinani ka përfituar 30 mijë euro në sezon, por kjo shifër nuk konfirmohet as nga klubi, dhe as nga lojtari. Nuk dihet se cila do të jetë oferta e Fushajt, por i sigurt është vetëm fakti që sulmuesi do të luajë për Vllazninë në Ligën e Europës.
Markoviç nxjerr blof Vllazninë
Vllado Markoviç zor se do të vishet më kuqeblu. Nga një lojtar që kërkohej “me qiri” nga Vllaznia, ai është kthyer në një të padëshirueshëm. Shkaku qëndron te moskorrektësia e këtij të fundit me drejtuesit e klubit shkodran. Sipas bisedimeve dhe programit të bërë, që ditë më parë ishte vendosur se lojtari duhej të paraqitej dje në Shkodër për të mbyllur tratativat me Vllazninë dhe për të firmosur me këtë skuadër për sezonin në vazhdim. Por, serbi nuk ka denjuar të marrë rrugën drejt Shkodrës, duke dërguar vetëm një mesazh në minutat e fundit për mosardhjen e tij në takim me drejtuesit e klubit dhe menaxherin e tij, Kosta Grillo. Sipas të dhënave, menaxheri i futbollistit kishte arritur akordin paraprak me klubin kuqeblu dhe kishte diskutuar edhe me Markoviçin për firmosjen e një kontrate të re në Superiore, por me ngjyrat e Vllaznisë (sezonin e fundit luajti për Skënderbeun).











