Rritja e ndërgjegjësimit për kontracepsionin modern dhe për kujdesin që duhet treguar kanë qenë fokusi i trajnimeve që Fondacioni NESMARK po zhvillon së bashku me UNFPA në Shqipëri. Pjesë e këtyre trajnimeve janë bërë personeli shëndetësor në rrethe si dhe gratë në moshë riprodhuese, në mënyrë që informacioni të shkojë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek individët e interesuar. Fieri ka qenë qyteti i radhës ku është zhvilluar seri e dytë e trajnimeve, pas Elbasanit, ndërkohë që të tjera qytete në radhë pritet që të përfshihen në projekt. Të tilla janë Vlora, Tirana dhe Mati. Synimi i takimeve, sikurse bën me dije dhe fondacioni NESMARK, është në shërbim të informimit. Në këto takime diskutohet mbi rëndësinë e metodave moderne të kontracepsionit, si pilulat kontraceptive, injeksionet, implantet, dispozitivet intrauterine, pilulat kontraceptive të emergjencës, diafragmat, kapat spermicidet dhe sigurisht prezervativët. Për secilën nga këto metoda, trajnuesit e NESMARK shpjegojnë mënyrat e funksionimit, efektet në organizëm, përftimet dhe kujdesin që duhet treguar. Kjo bëhet për arsye që çdo pjesëmarrës të kuptojë më qartë anët pozitive të përdorimit të këtyre metodave, që më pas të jetë në gjendje të zgjedhë metodën e cila i përshtatet. Trajnimet në fazën e parë janë informuese, ndërkohë që të gjithë pjesëmarrësit i nënshtrohen një forme testi mbi njohuritë paraprake dhe më pas i njëjti test përsëritet në fund për të bërë diferencimin në materialin e nevojshëm që është përvetësuar.











