Ne kete shkrim nuk behet fjale per procesin e betimit te kryetareve e as per levizje votash ne keshillat e organeve te qeverisjes vendore. Pra jo per ngjarje qe perbejne lajm mediatiko-politik. Behet fjale per ndertimin ne menyren e duhur per të qenë funksionale dhe në shërbim të mirëqeverisjes së atyre strukturave që qëndrojnë apo duhet të qëndrojnë midis komunitetit të qytetarëve dhe organeve të qeverisjes vendore. Për të ilustruar praktikën e deritanishme dhe atë çka advokojmë për ndryshim, po sjell dy shembuj. Më ka ndodhur këto ditë të dëgjoj biseda militantësh që kanë ndihmuar kandidatin për kryetar te njësisë bashkiake për emra individësh që do të emërohen nga kryetari i zgjedhur i njësisë si “kryepleq” apo në terminologjinë e kohës “ndërlidhës komunitar”apo “organizues komuniteti”. E gjitha kjo për të ndarë kompensime për kontribute politike të individëve të ndryshëm që i bien gjoksit se i kanë dhënë kandidatit një grusht më shumë votash. E kështu, siç ka ndodhur për vite të tëra në Tirane apo në Shkodër disa njerëz do të paguhen nga 5 mijë lekë të rinj çdo muaj, dhe do t’i bëjnë fresk kryetarit të njësisë apo Bashkisë për katër vjet me radhë. Për të konkretizuar edhe më tej, mbaj mend se edhe në shtyp është bërë zallamahi e madhe në kombinat në vitin 2007, kur drejtimi i Njësise Bashkiake Nr.6 kaloi nga PS tek LSI (atëherë në koalicion) dhe u ndërruan kryepleqtë nga të majtë të PS në të majtë të LSI. Sensibiliteti, të cilin tentojmë ta nxitim tek autoritetet vendimmarrëse për të ndryshuar këtë praktikë dhe advokimi të cilit i jemi përkushtuarsynon të shtrihet në të gjithë vendin. Bëhet fjalë për të sensibilizuar dhe për të dëshmuar vëmendjen e nevojshme nga organet përgjegjëse qofte në nivel vendor, qoftë ato në nivel kombëtar (Ministria e Brendshme) për t’u investuar me vullnet e vizion, për të orientuar dhe siguruar zbatimin e ligjit ne mbi gjysmën e territorit të Republikës, pra në rreth 3000 fshatrat e vendit. Zgjedhja e kryesisë dhe kryetarit të fshatit, sipas ligjit, me pëlqimin e mbi gjysmës së banorëve me të drejtë vote, përmban teknikisht por edhe thelbësisht, gjithçka të duhur për të siguruar individë me integritet që gëzojnë respektin dhe kanë autoritetin publik për të realizuar të drejtat dhe detyrat që i ngarkon ligji. Nëse synohet një model i ri qeverisë, për një qeverisje te përgjegjshme dhe qytetare aktive në qeverisje është koha të veprohet tani. Kurrsesi ky proces i zgjedhjes apo emërimit të kryesisë së fshatit apo kryetarit te tij, apo (ndërlidhësve komunitarë në qytete) nuk mund t’i lihet as seksioneve të partive politike në fshat, as zgjidhjeve rastësore për të përmbyllur një proces. Kjo për arsye se çdo praktikë qeverisëse e çdo sektori lidhet me efikasitetin dhe autoritetin publik të këtyre individëve, qe jo rrallë në të kaluarën mund të kenë qenë edhe kontingjent i policisë apo shpërdoruesi i parë i detyrës në fshat.Për të mos u zgjatur më tej, pikërisht, përmirësimi i cilësisë së jetës në çdo fshat të vendit, mobilizimi i resurseve të brendshme të komunitetit vendor ka të bëjë mjaft me autoritetin publik dhe përkushtimin e individëve që me pëlqimin e banorëve zgjidhen për të realizuar këtë detyrë jo pak të rëndësishme. Po aq, në mos më shumë e rëndësishme, për shkak të heterogjenitetit demografik mbetet përzgjedhja e atyre kandidatëve të paktën në tre qytetet më të mëdha të vendit, ku kjo strukturë ekziston dhe konkretisht në Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Pa hyrë në teknikalitete (që kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e demokratizimit procedural në mënyrën e përzgjedhjes së këtyre individëve në qytetet tona që duhet të kaloje nga cilësitë individuale, tek autoriteti publik e deri ne emërimin nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore, e jo nga kryetari), do të doja të përqendrohem më shume tek vlerat në qeverisje përmes liderëve komunitarë për organizimin dhe fuqizimin e komuniteteve vendore, duke nxitur iniciativën dhe përgjegjësinë qytetare. Shume shembuj te transformimit pozitiv te cilësisë se jetës ne disa fshatra te vendit kane ardhur përmes organizimit te vullnetit dhe iniciativës së vet banorëve të fshatrave si për shembull ne Dajç të Shkodrës apo në fshatra të Kutallisë, Fierit e fshatra të tjera në jug te vendit. Po kështu, ka pasur përvoja të jashtëzakonshme komunitare deri së fundi në lagjen Gjuha Dol në Shkodër apo në mjedise të caktuara urbane në Tiranë, kur për shkak të investimit nga vetë banorët ekziston një mikromjedis mjaft cilësor jetese. Pikërisht në përafrimin e vlerave që vjen nga lidershipi komunitar, nga nevoja eminente për sinergji dhe bashkëveprim të qeverisjes me qytetarët dhe komunitetet vendore, nga qeverisja, për dhe me qytetarët, nga inputet që mund t’i vijnë shoqërisë nga komunitete vendore të organizuara dhe fuqizuara, qëndron nevoja përtej militantizmit apo klientelizmit në emërimin e kësaj strukture që nëse vazhdon si deri me sot, mbetet tërësisht formale, inekzistente apo shpesh edhe problematike. Për më tepër, gjithë dinamika e punëve që lidhet me komunitetet vendore dhe rolin e përgjegjësinë e tyre në qeverisje duhet vlerësuar gjithmonë e më shumë si një proces dinamik, një proces plotësisht krijues të mbështetur mbi nevojat prioritare vendore, që në thelb janë aq të ndryshueshme sa janë problematikat e komuniteteve vendore në të gjithë vendin, nga një zone në një tjetër, nga qendra në periferi të çdo qyteti apo të vetë kryeqytetit. Kështu, në një zonë të caktuar prioritet mund të jetë punësimi e mikrokreditimi për punësim social, kurse në një zonë tjetër një problematike e theksuar mjedisore, diku tjetër kriminaliteti, e të tjera e të tjera. Pra, çështja është te qeverisesh për qytetarët dhe me qytetarët. Tek promovimi i kësaj praktike qëndron kundërvënia me apatinë sociale, dëmi i hkaktuar nga qeverisja e gjatë e komunizmit, të priturit me gojë hapur se çfarë do të bëjë qeveria. Koha për qeverinë qendrore dhe vendore për të vepruar është tani, ne krye të mandatit të ri të qeverisjes vendore. Çdo mungesë iniciative për ndryshim është vonesë në ritmet e zhvillimit të shoqërisë dhe vendit.
© Panorama.al












