Konsensusi i kënaqur dhe ultimatumi i frikshëm

May 30, 2012 | 12:16

NDRIÇIM KULLA

Eshtë dukur qartë gjatë gjithë këtyre muajve që qëndrimi i opozitës përballë çështjeve të reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare ka qenë i llojit maksimalist, d.m.th. propozime qartësisht në epërsi të interesit të saj dhe aspak të vetë përparimit të reformave. Megjithatë, diçka e tillë është brenda strategjive dhe të drejtave opozitare. Veçanërisht për zgjedhjen e Presidentit, qëndrimi i saj u shkallëzua dhe mori qasjen e skifterëve, që arriti deri në orvatjen (apo krijimin ende nuk e dimë), edhe të aleancave fluide, u tha kryesisht për të mirën e shoqërisë shqiptare dhe në përputhje me ndërkombëtarët, por u harrua të theksohej, kryesisht në optikën e zgjedhjeve dhe aleancave të ardhshme zgjedhore dhe marrjes së pushtetit me çdo kusht, edhe nën kurriz të moralit. Edhe kjo, deri diku mund të pranohet si një strategji, jo e pastër, jo e qartë, jo e moralshme për nga interesat, por gjithsesi opozita dihet tashmë se këtë rrugë ka zgjedhur për të fituar, atë të rrogozit dhe pazareve.
Gjatë gjithë këtyre muajve, velloja me të cilën mbuloheshin të gjitha këto shtrëngesa e veprime ishte i aq-prituri integrim i Shqipërisë. Por kur koha filloi të shtrëngohej dhe po arrin dita e votimit të parë të Presidentit, pavarësisht se kudo këshillohej konsensusi dhe integrimi valëvitej si flamur, mësojmë se ka dy javë që stërviten komisionerët dhe se objektivi i opozitës është rrëzimi i qeverisë. Një skenar ogurzi, sidomos për Shqipërinë dhe shqiptarët, aspak pse rrëzohet një qeveri, se qeveritë dhe politika e kanë për limfë jetësore rrotacionin, por sepse kërkon të “dhunohet” një mandat dhe një legjislaturë që Shqipërisë i nevojitet të shkojë deri në përfundimin e saj, sidomos në këto kushte të domosdoshmërive të saj historike.
Po nëse këtij dhunimi të pakuptimtë nga pikëpamja e interesave të shqiptarëve i shtohet edhe gjuha e drunjtë, shpirtngurtë dhe e frikshme prej vizionari të këqijash e editorialit të së dielës nga ana e kryetarit të opozitës, e ardhmja na bëhet e tmerrshme. E nisim të pyesim veten: a mund të rrinë bashkë britma të tilla sulmi e përmbysje qeverie me perspektivat europiane të shqiptarëve? Ç’përfitojnë vallë shqiptarët nga zgjedhjet e parakohshme? Veç gjëmën e prishjes së stabilitetit, sidomos ekonomik dhe financiar në kohë krize. Ah, harruam, sipas opozitës fitojnë edhe rrëzimin e qeverisë. Për këdo që e sheh politikën me një sy të tretë, kjo është vetëm destabilizim, mosmarrje statusi dhe sebep i paqenë për të mikluar fitoren e ambicies së sëmurë të një lideri opozite që ngatërron ultimatumet me shpresat, qindvjetorët e pavarësisë me gdhirje në greminën e krizave të panevojshme.
Kërkuam edhe para pak ditësh që të dyja palët të bënin hapa mbrapa në qëndrimet e tyre, ndryshe s’ka kurrfarë kuptimi të flitet për konsensus apo negociata. Arsyetuam se është koha e pëllumbave dhe jo e skifterëve, por besojmë se sinjalet më të mira i morëm nga maxhoranca, e cila tashmë shfaqet e gatshme edhe për një President dinjitoz, madje i zgjedhur dhe me 3/5. Mos vallë kjo e tërboi opozitën? Mos vallë nuk u dalin më pazaret dhe hesapet e pengesave dhe bllokimit? Ndryshe nuk mund të kuptohet ai editorial i së dielës. Fillonte me kremtimin e pavarësisë dhe e politizonte menjëherë atë. Është e drejta e opozitës të nxjerrë në pah problemin mbi festimin e 100-vjetorit të pavarsisë kombëtare, nga ku edhe unë e kam bërë të ditur vonesën në përgatitjet dhe fond-çeljet e aktiviteteve të saj, por politizimi dhe instrumentalizimi i teskajshëm i problemit e dëmton, madje e zhvlerëson dhe e bën të pavend ngritjen e tij në një kontekst herezish politike, morale, intelektuale dhe njerëzore. E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, sikur kjo të qe veç një ëndërr e keqe e kryetarit të opozitës, vjen kushtëzimi imperativ i zgjedhjes së Presidentit me 4 kushte të tjera. Ç’lidhje kanë vallë çështje e debate teknike juristësh që vazhdojnë prej muajsh me prioritetin madhor të Shqipërisë, zgjedhjen e Presidentit? Ç’dobi mund t’i sjellë procesit një tryezë fiktive kryetarësh, kur ata që bëjnë punën kryesore janë grupet teknike dhe ato parlamentare? Nëse s’është kortezi takimi, le të bëhet, por nëse është sajesa e radhës, le të mendohen këto katër pika të ngatërruara më së keqi, si një koagulim i padobi dhe i kotë gjaku në trupin e detyrave tona që duhen plotësuar për integrimin, me qëllimin e vetëm për të krijuar trombe që të lëvizin gjatë në gjakun e saj e që mund t’i shkaktojnë një hemorragji e goditje të pakthyeshme gjithë procesit të integrimit.
Ja, me një gjendje të tillë shëndetësore mund të krahasohet edhe trupi i Shqipërisë me të parathënat zgjedhje që pa gdhirë dita e saj e madhe e qindvjetorit. Nuk ka besoj gëzim më të madh për opozitën, po për Shqipërinë dhe njerëzit e saj, ç’do të afrojë vallë ky përvjetor, a është menduar ndonjëherë?  Le t’i thërrasim edhe njëherë arsyes së bashkëpunimit dhe dorështrirjes, për hir të një tjetër kremtimi të madh që ne presim këtë nëntor: integrimin. E kush s’mund ta kuptojë se një kremtim i tillë do të qe medalja më e bukur që maxhoranca do të varte në gjoks të vet? Atëherë përse vallë ajo duhet ta prishë festën me duart e veta? Duhet patjetër të lëshojë, medoemos, çdo fitore e ka një çmim. Mos vallë çmimi i shtrëngesave, kleçkave dhe propozimeve që bën opozita është kaq i madh e kaq cak-kaluar, sa nuk ka barrë në të ardhmen që mund ta shlyejë këtë fitore? Ndryshe nuk ka si shpjegohet i gjithë ky ngërç marrëdhëniesh, tashmë kur gjithçka është drejt përfundimit. Gjithsesi, edhe qasja e maxhorancës nuk duhet të jetë e të njëjtit lloj si e opozitës. Nuk duhet t’i jepet asnjë alibi që ajo të mund ta përdorë si trumbetë, duhet të bëhet gjithçka ia lejon “barra” e fitores (edhe në lëshime), mjaft që qindvjetorit t’i përbrivihet integrimi. Nuk ka gjë që s’arrihet kur shpirti nuk është i vogël dhe i varfër, thotë një shkrimtar. Sot politika shqiptare ka më shumë mundësi se kurrë ta dëgjojë buçimën e kësaj shprehjeje.

© Panorama.al

Te lidhura