
Gjashtë besimtarë myslimanë u shpallën dje fitues të konkursit të Kuranit, organizuar nga fondacioni “Albanian Qatar”, në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman i sponsorizuar e nën kujdesin e veçantë të Emirit të Qatarit. Në ambientet e fondacionit “Albanian Qatar” u zhvillua dje ceremonia e shpalljes së fituesve të edicionit të tretë të konkursit të Kuranit, të zhvilluar në datat 24-25 korrik. Në këtë edicion morën pjesë 61 konkurrentë, ndërkohë që në atë të parë 58, ndërsa në të dytin 44. Konkurrentët vinin nga e gjithë Shqipëria dhe u përkisnin të gjitha moshave. Kishte mes tyre fëmijë nga 6-7 vjeç, që këndonin plot dedikim suret e Kuranit, për të vijuar me të rinjtë më të dhënë pas mësimit e deri te të moshuarit. Ky konkurs, i cili u zhvillua në Muajin e Ramazanit, ka si qëllim nxitjen e besimtarëve që t’i afrohen sa më shumë fjalës së Zotit. Përmes një testimi, ata provojnë dituritë e tyre mbi librin e shenjtë. Për fituesit ka edhe çmime. Në edicionin e parë ishin 15 besimtarë, të cilët fituan të drejtën e një udhëtimi për haxh në Mekë. Në edicionin e dytë fituesit morën nga një

shpërblim monetar, ndërsa këtë vit, gjashtë fituesit do të shkojnë për haxh. Përveçse duhet ta meritonin këtë çmim falë njohurive të tyre, fituesit nuk duhet të kishin shkuar më parë në Mekë, duke u dhënë kështu edhe besimtarëve të tjerë të drejtën për të shkuar të paktën vetëm një herë në jetë në vendin e shenjtë. Nëse fituesi do të ishte fëmijë, atëherë e drejta për të ndërmarrë këtë udhëtim i kalonte automatikisht prindit të tij. Përveç 6 fituesve të sivjetshëm, Emiri i Qatarit ka sponsorizuar rrugëtimin edhe të 19 besimtarëve të tjerë shqiptarë (25 gjithsej). Në ceremoninë e zhvilluar dje, merrte pjesë edhe konsulli i Ambasadës së Qatarit, Awad Al-Habbabi dhe ambasadorja e Egjiptit, Amina Gomma. Për t’i falënderuar për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë, drejtori i AQF-së, Shawki Ashri, u dorëzoi konsullit të Qatarit dhe ambasadores egjiptiane një dekoratë mirënjohjeje.
“Albanina Qatar Foundation” është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 2002. Ndër misionet e këtij fondacioni janë zbutja e varfërisë përmes projekteve të ndryshme humanitare, sociale dhe zhvillimi i shoqërisë shqiptare, në veçanti të të rinjve përmes trajnimeve dhe aktiviteteve arsimore. Një kujdes të veçantë ky fonacion u kushton fëmijëve jetimë. Janë 2 mijë syresh që kanë gjetur përkrahje te ky fondacion, përmes pensionesh mujore dhe ndihmash të tjera.
© Panorama.alÇmimet
Fituesit që shkojnë në haxh
Jusuf Belshaku
Besnik Qoku
Bedri Çopa
Laurent Lumi
Nexhp Selmani
Xhemalije Gokovi
Fituesit e nivelit të dytë
Ismet Thaçi
Suada Kura
Alma Ternova
Ardit Istrefi
Klodian Greku











