Nëse ka një format televiziv tek i cili bashkohen në një zbulimi dhe promovimi i vlerave njerëzore e artistike, por edhe përthithja masive e audiencës falë mënyrës se si ky format është konceptuar, ai është “The voice”, i cili i parë në të gjithë komponentët e tij është një “Talent show” shumë më i avancuar nga ata që jemi mësuar të shohim deri tani në ekranet tona, por edhe ato botërore. Mbas sukseseve dhe interesit të teleshikueve për formate të tilla ku ata kanë mundësi të ndjekin hap pas hapi si zbulohet një talent dhe më pas si krijohet një yll i vërtetë i muzikës në të gjithë dimensionin e tij artistik, nga perëndimi na propozohet ky format i ri që nga kritikët është cilësuar si një hap përpara në botën e spektakleve të talenteve. “Top Channel” kërkoi menjëherë që ta kishte pjesë të tij duke arritur pas shumë vështirësish që të blejë patentën. Tashmë që pjesa burokratike e kontratave është mbyllur, ka nisur puna për materializimin e kësaj sipërmarrjeje gjigante, e cila mori jetë fillimisht në Holandë e SHBA dhe pritet që të startojë në të njëjtën kohë në 20 televizione të botës, si në Australi, Suedi, Portugali, Spanjë, Irlandë, Brazil, ndërkohë që një muaj më parë edhe BBC njoftoi se kishte blerë të drejtat e transmetimit të këtij formati për Britaninë e Madhe.
Si është ndërtuar formati
Rrugëtimi i pretendetëve për t’u bëjë yjet e nesërm të këngës, kalon në tri faza. Faza e parë është ajo e audicionit nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Deri tani vetëm aplikimet online kanë kaluar shifrën 600 për vetëm dy javë. Gjasat janë që ky format të rrëmbejë vëmendjen e shumë aspirantëve për t’u bërë këngëtarë, të cilët do të jenë nga mosha 16-35 vjeç.
Në fazën e dytë hyjnë në “lojë” anëtarët e jurisë. Në fakt, fjala lojë nuk është metaforë, sepse kësaj here do kemi mundësi të shohim një juri, me të vërtetë në lojë. Do të jenë katër profesionistë të këngës, të cilët nuk do kenë mundësi të shijojnë pozicionin komod të profesorit të rreptë që gjithnjë pretendon më shumë dhe me një të rënë të lapsit skualifikon ose hap rrugë për të vazhduar më tej. Kësaj here emocionet e konkurrentëve do bashkohen me ato të anëtarëve të jurisë, të cilët në këtë fazë do dëgjojnë, por nuk do t’i shikojnë kokurrentët teksa performojnë, duke u përqendruar vetëm tek vokali i tyre. Më pas, secili nga anëtarët zgjedh të preferuarit e tij dhe, nëse disa anëtarë jurie kanë zgjedhur të njëjtin konkurrent, është vetë konkurrenti që zgjedh anëtarin e jurisë, duke krijuar kështu katër skuadra rivale. Më pas, anëtarët e jurisë do t’i shohim si trajnerë të të rinjve të cilët do punojnë me ta, duke u dhënë këshilla e duke ndarë sekretet e suksesit të tyre. Kjo pa dyshim do të jetë edhe pjesa më interesante, sepse do shohim një version të ri, luftarak dhe ambicioz të disa figurave të rëndësishme të muzikës. Ka të ngjarë që kësaj here, nga fati i rrugëtimit të skuadrës së tyre, nga përzgjedhjet, kritikat apo lëvdatat që ata do të bëjnë, të ridimensionohet edhe simpatia e “juristëve” në publik. Në fazën e tretë dhe të fundit do shohim tashmë garën e fortë të katër konkurrentëve që janë edhe më të preferuarit e secilit anëtar jurie, ku më në fund do zgjidhet dhe ylli i “The voice of Albania” me votat e publikut. Duhet theksuar se performancat e këngëtarëve do të jenë live dhe të shoqëruara nga një orkestër, e cila gjithashtu do të luajë live.
Intervista/ Flet Rezart Aga, autor i “Big Brother” dhe “Albania’s got talent”, tani vjen me “The voice of Albania”
“Ju premtojmë një show emocionues”

Ai vjen pas një eksperience të gjatë në disa formate televizive në “TCh”, të cilat ashtu siç i kemi ndjekur, kanë rezultuar një sukses i padiskutueshëm. Të gjithë ata që e njohin stilin e punës së tij, thonë që Rezarti është një maniak i perfeksionit, ai bën autorin e programit, por prek me dorën e tij çdo gjë deri kur të bindet se është bërë maksimumi. Kjo është arsyeja pse ne ndjekim me ëndje formatet e këtij talent show si “Albania’s Got Talent”, por jemi të paduruar deri në startimin e edicionit të ri të “Big Brother”, si formati me audiencën më të lartë të të gjitha kohërave. Meqenëse filozofia e gjithë këtyre programeve është të bërit publik dikë duke e nxjerrë atë nga anonimati, puna nuk është aspak e lehtë, sepse ky individ mund të ketë disa aftësi, por problemi është se si mund të përshtaten ato me ekranin, në mënyrë që publiku që të ndjek, të vlerësojë zgjedhjen e bërë. Mirëpo, Rezarti ka rezultuar i suksesshëm në intuitën e tij në përzgjedhje, sepse më pas edhe publiku ka rënë në një mendje me të, duke reaguar pozitivisht. Ja çfarë na tregon ai për aventurën më të re televizive, “The voice of Albania”.
Pse zgjodhët pikërisht këtë format ‘talent show’, në mes të një numri jo të vogël formatesh të ngjashme që po aplikohen sot në botë?
E pëlqeva menjëherë sapo e pashë, ishin edicionet në Hollandë dhe Amerikë ato që më bindën se ky format ka disa avantazhe më shumë në krahasim me të tjerët. Në thelb, të gjithë kanë të njëjtin mision, zbulimin e talenteve, diferenca bëhet nga rrugëtimi që këta individë bëjnë dhe natyrisht të gjithë elementët e spektaklit, të cilat ju siguroj, që edhe në versionin shqiptar do të jenë shumë të arrira.
Çfarë kriteresh duhet të plotësojë një konkurrent?
Janë kriteret e moshës dhe më pas nuk ka ndonjë kufizim tjetër, çdo individ që mendon se di të këndojë, është i lirë të bëhet pjesë e këtij kompeticioni, në çdo trevë ku jetojnë shqiptarë.
Faza e parë, ajo e audicioneve ku do provohen disa qindra të rinj, duket ajo më impenjativja. Si mendoni ju, si do të jenë prurjet?
Unë kam bërë audicione edhe për programet “Ti vlen” apo “Albania’s got Talent” dhe nuk diskutohet që të kënduarit ishte një pjesë e rëndësishme e këtyre garave. Mirëpo, krahas prurjeve të shumta, kishte prej atyre që me të drejtë e kërkonin pjesëmarrjen në një format të mirëfilltë të talenteve të këngës. Pra, mbas kësaj eksperience dhe duke parë aplikimet e shumta, unë di se çfarë na pret në këto audicone. Kjo gjë më gëzon sepse, pavarësisht punës që ne bëjmë për të sjellë një program shumë cilësor, në fund të fundit spektaklin e bëjnë konkurrentët, me talentin e tyre.
Formati parashikon një garë të ethshme edhe mes anëtarëve të jurisë. Jemi kuriozë të dimë kë keni përzgjedhur…
Pa dyshim që suksesi i këtij formati varet edhe nga impenjimi që do kenë të katër anëtarët e jurisë. të cilët i pret një punë shumë e madhe si vlerësues. por edhe si trajnerë. Jemi në fazën e përzgjedhjes dhe sapo të kemi emrat, do t’i bëjmë publikë. Po kështu edhe për prezantuesin.
Ju jeni “Vëllai i Madh” jo vetëm i “Big Brother”, por edhe i të gjitha programeve që bëni, pasi jeni truri i asaj që ne shohim në ekran. A është e vështirë të marrësh një personazh nga hiçi dhe ta bësh të famshëm?
Pa dyshim që është e vështirë, por dëshira për t’u marrë me këtë punë dhe eksperienca e gjatë, e bën gjithçka më të lehtë. “The voice of Albania” është një program që e kam nisur me një dëshirë shumë të madhe, sepse nuk ka më bukur sesa të marrësh një të ri të talentuar, ta ndihmosh që të përfeksionohet dhe t’ia bësh me dije gjithë publikut ekzistencën e talentit të tij. Ju premtojmë të gjithëve një spektakël të mrekullueshëm.
ERMIRA SHPETIMI
© Panorama.al











