Konkurrenca, pakt për markat dhe patentat

Feb 8, 2012 | 11:21

Mbrojta e konkurrencës dhe të drejtat e “pronarëve” mbi patentat apo markat e caktuara ka bashkuar Autoritetin e Konkurrencës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave, që të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi mes dy institucioneve. Përmes kësaj nisme, të dy institucionet synojnë që të arrijnë një bashkëpunim ndërinstitucional për lehtësimin e kryerjes së funksioneve përkatëse të të dyja palëve. Drejtoresha e AK, Lindita Milo dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Patentave dhe Markave, Safet Sula, ishin edhe nënshkruesit e memorandumit. Përmes këtij të fundit “palët angazhohen që të përcaktojnë fushat dhe mënyrat e bashkëpunimit për vendosjen dhe garantimin e zbatimit të rregullave për të mbrojtur konkurrencën në rastet kur evidentohen forma të abuzimit me pozitën dominuese të një ose disa subjekteve në treg”. Nga ana tjetër, memorandumi garanton edhe bashkëpunimin në kuadër të konsultimit të çdo akti ligjor apo nënligjor, që propozohet për miratim nga palët dhe që lidhet me operatorët e sektorit. Konsultimi i të gjithë projekt-akteve që mund të sjellin kufizim apo pengim të konkurrencës dhe që hartohen nga institucione apo ente të veçanta shtetërore, është një pikë që Autoritetit të Konkurrencës ia garanton ligji mbi bazë të të cilit ai funksionon. Memorandumi i bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave në fakt nuk është i vetmi dhe se memorandume të ngjashme janë nënshkruar edhe me institucione, si Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike Postare apo Enti Rregullator i Energjisë.

© Panorama.al

Te lidhura