
“Nuk ka shkelje në tregun e ilaçeve, miellit e ushqimeve”
Pozita dominuese e disa subjekteve në tregje të caktuara është bërë shkak për nisjen e hetimeve dhe dhënien e një sërë rekomandimeve nga Autoriteti i Konkurrencës. Në raportin vjetor të vitit të kaluar, ky institucion bën një përmbledhje të plotë të të gjitha rasteve për të cilat ka marrë edhe masat e duhura në favor të zgjidhjes së problematikës. Me pozitën dominuese, sipas Autoritetit të Konkurrencës, përgjatë vitit të kaluar kanë abuzuar aktorë në tregun e ngarkim-shkarkim gazit në Porto Romano, aktorë në tregun e ofrimit të kartave me parapagesë apo edhe në tregun e linjave të shitjes me shumicë dhe pakicë të eksesit për operatorët e telekomunikacioneve dhe përdoruesve fundorë. Për të tria këto raste, autoriteti ka dalë në përfundimin se zotërimi i shumicës së aksit të tregut ka sjellë edhe probleme për më të vegjlit, dhe mbi bazë të kësaj ka bërë rekomandimet përkatëse. Një tjetër hetim që u hap lidhur me abuzimin me pozitën dominuese ishte ai për tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të produktit oriz, sheqer, dhe në tregun e importit dhe prodhimit të vajti vegjetal. Ndryshe nga hetimet e tjera, ky treg rezultoi të mos kishte abuzim. “Në përfundim të procedurave hetimore, bazuar në sjelljen e firmave në tregjet respektive, dinamika e çmimeve, hyrjet në tregje, si dhe bazuar në analizën e kanaleve të shpërndarjes, u konkludua se në tregjet objekt-hetimi nuk u evidentuan shenja të kufizimit të konkurrencës për marrëveshje apo praktikë të bashkërenduar“, thuhet në raportin e Konkurrencës. Një tjetër rast i përfshirë në raport është ai i monitorimit në tregun farmaceutik, ku sërish gjykohet se nuk ka elementë të abuzimit me të drejtën e tregtimit të barnave nga ndërmarrjet prodhuese. Në raportin vjetor, AK sjell në vëmendje edhe rastin e marrëveshjes së prodhuesve të bukës në Vlorë, për të cilët urdhëroi gjobitje, apo edhe rastin e Shoqatës së Bankave, për kufizimin që bëhej nga Ministria e Arsimit për bankat ku duhet të paguhej tarifa e regjistrimit në universitete.











