Kongresi Arsimor dhe Normalja në Elbasan përballë shpërfytyrimit! Shmangia e të ashtuquajturit “boshti ideologjik”

Sep 5, 2024 | 14:12
SHPËRNDAJE

HYQMET ZANE/ Sa herë afrohet fillimi i vitit të ri shkollor në vendin tonë, si mësues në profesion mendja më shkon tek gjendja e arsimit. U rritëm dhe u burrëruam derisa dolëm në pension me hallet e arsimit, me merakun e mbarëvajtjes së tij, me gjendjen në të cilën ndodhet sot arsimi ynë kombëtar dhe kontributin sado të vogël që mund të vendosja unë dhe kolegët e mi.

images (2)

Dhe duke jetuar në Elbasan bëj gjithnjë krahasimin me nivelin e arsimit të kohës së Mbretërisë kur Normalja shkëlqeu dhe u bë modeli i arsimit që u përhap në të gjitha trojet shqiptare me shkuarjen e 400 normalistëve që hapën shkolla shqipe dhe ushtruan mësimin e gjuhës amtare. Nuk do të përjashtoja as faktin se si arsimi edhe në kohën e diktaturës ishte arsim serioz dhe me përgjegjshmëri, po të shmangësh atë të ashtuquajturin “boshti ideologjik” që u bë shoqërues pa vlerë, por një formalitet i imponuar për shkak të “fillit të kuq të partisë”. Edhe ne dolëm nga auditoret e mësuesisë në universitetet shqiptare me nivele të larta.

Tradita e Normales ishte prezente dhe mësuesit dhe pedagogët tanë ishin profesionistë të mësimdhënies dhe edukimit dhe një pjesë e tyre shkencëtar të disiplinave të ndryshme. Në fillimet e demokracisë u ruajt struktura e së shkuarës dhe u bënë përpjekje për sjelljen në kohë dhe në hapësirë e modeleve më të arritura të Normales ekselente që ishin për sjelljen e kësaj shkolle nga eksperiencat europiane. Por vit pas viti, qeverisje pas qeverisje të djathta e të majta, arsimi filloi të pësojë një krisje të përmbajtjes dhe shtimit të formave të marrura shablone nga shtete që nuk kanë ngjashmëri me strukturën shoqërore dhe përvojat tona kombëtare. Plagjiaturat u bënë si modë dhe ndërkohë filloi një konfliktualitet me metodat e vjetra dhe ato që kërkoheshin të implementoheshin. Por që nga arsimi fillor e më pas ai parauniversitar dhe universitar pësuan n jë metamorfozë që po lë për të dëshiruar.

Ministrja aktuale mblodhi një ditë inspektorët e vjetër të arsimit për të biseduar për fillimvitin e ri shkollor. Çfarëdo gjëje që të mund të kenë biseduar, është për t’u thënë një fakt se gjendja në të cilën është katandisur arsimi fillor, ai 9 vjeçar dhe i mesëm kanë pësuar një degjenerim në përmbajtje si në nivelin e nxënësve, më shumë akoma në nivelin e mësimdhënies nga mësuesit që manifestojnë sjellje dhe mendësi aspak të pranueshme për arsimin tonë kombëtar me të cilën u rritëm dhe u mësuam dhe që kemi pasur sukses në punën tonë mësimdhënës.

PËRSE E GJITHË KJO SITUATË?

Përgjigja e parë është se papërgjegjshmëria e atyre që drejtojnë arsimin me ministra pa praktika arsimore dhe pa strategji kombëtare në orientimin për arsimin të mbështetur në tabanin e arritjeve më të mira ndër vite. Po ashtu edhe moskonsiderimi i specialistëve me përvoja të spikatura nga drejtues arsimi që më shumë duan njerëz tip patronazhistë që u binden verbërisht eprorëve se sa dinë të zbatojnë praktika arsimore në funksione me cilësi të sektorit arsimor. Por edhe zbatimi i programeve arsimore të huazuara ose të sjella nga miq të kryeministrit si Toni Bler që nuk kanë lidhje me traditën arsimore të suksesshme në shekullin e kaluar, e kanë hedhur poshtë traditën.

Më tej do të thosha si njeri që e kam eksperiencën e duhur në vlerësimin e programeve arsimore që të them se të lënë për të dëshiruar a thua i shërbejnë arsimit apo interesave të një lobimi për hatër të një kryeministri apo ministri që e shikon arsimin me syrin diktatit se “kështu them unë” ose këshilltarët e tyre janë jashtë standardeve të asaj çfarë kërkon arsimi kombëtar shqiptar. Nëse në një kohë të shkuar arsimi ishte baza mbi të cilin ngrihej e gjithë struktura shkencore në lëmi të ndryshme, sot akademikët kanë rënë në vetëkënaqësi dhe kanë harruar se Akademia e Shkencave është institucioni më i lartë që thur politika shkencore për të gjithë jetën publike në funksion të zhvillimit të vendit. Ditë pas dite dëgjoj në tavolina kolegësh se na duhen plotësuar letrat në një kohë që askush nuk pyet për nivelin e mësimdhënies dhe të të nxënit të fëmijëve në klasat mësimore, kjo është një dalje dhe largim nga realiteti ynë saqë sot nxënësit deri në klasat e 9- ta nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë, a thua kanë shkuar në shkollë apo me dhi.

NË SHËRBIM TË KUJTESËS

115 vjet më parë u mbajt Kongresi Arsimor në Elbasan nga 2 deri më 9 shtator 1909 dhe pas tre muajsh u hap edhe Normalja më 1 dhjetor 1909, bëhet e dukshme se as ministria dhe as ata, që pretendojnë se kanë merita dhe njohin historinë kombëtare, nuk thanë një fjalë, nuk nderuar askënd nga ata që ishin dishepujt e arsimit kombëtar. Ai kongres arsimor që hodhi bazat e arsimit shqiptar mbi të cilën u ngritën më pas institucionet arsimore, u mbajt në Elbasan në zemër të lagjes Kala, është nderi i gjithë kombit se përcaktoi detyrat për zhvillimin e arsimit dhe hapjen e shkollës Normale që sot është “Nderi i Kombit”, universiteti i parë shqiptar. Kush nuk e di se sa akademikë e studiues dolën nga shkolla e Kalasë dhe nga Normalja që u bënë krenari kombëtare me profesorë që studiuan në Lindje dhe në Perëndim dhe ishin krenari për vendin? Si mund të anashkalohet ai Kongres Arsimor që la gjurmë dhe hodhi bazat e arsimit? Para së gjithash ky është një turp që bëjnë institucionet arsimore qendrore dhe lokale. Në kohën e Mbretërisë sipas kujtimeve të Rudolf Delianës ish-kryetari i Shoqatës “Normalisti” (edhe mësuesi imi gjimnazit) “shkolla Normale rrezatoi dije dhe dinjitet dhe u bë shembulli i një shkolle tip europiane me ekselencën e saj.”

Ishte pikërisht ai nivel i lartë arsimor dhe shumatorja e mësuesve që prodhoi ai gjigand i arsimit që do ta vlerësonte me madhështinë e merituar ministri i Arsimit të Shqipërisë Ernest Koliqi dhe që me iniciativën e tij bëri atë hap gjigand për çuarjen e rreth 400 normalistëve për hapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe në të gjitha trojet shqiptare. Ishte kjo pavarësia e dytë e Shqipërisë pas asaj të 1912- ës. Ishte shtatori 1941 që u bë promotore e vlerave të mëdha kombëtare në lëmin e arsimit. Kanë mbetur me emër të skalitur mësuesit elbasanas që shkuan në Kosovë dhe Maqedoni, në Mal të Zi dhe që hapën shkolla shqipe dhe kryetari i veteranëve të atij arsimi normalist në Kosovë ishte pikërisht një elbasanas Mehmet Gjevori që edhe jetën e tij familjare e lidhi në mesin e kosovarëve dhe mbeti si emër i madh që duhet kujtuar. Përse kjo haresë e madhe? E qëllimshme? Po godina e Kongresit Arsimor e di ministrja apo të tjerë ata që kanë detyrime ndaj kujtesës arsimore në historinë kombëtare.

Nëse sot Shqipëria ka Akademi Shkencash, dikur këtë Akademi e kanë drejtuar ata që dolën nga kjo Normale dhe në atë Akademi frynte fllad Elbasani thuhej, sepse bazat e arsimit tonë kombëtar nisën pikërisht këtu në Elbasan. Të harrosh Kongresin e Elbasanit dhe vlerat arsimore të Normales ky është injorim për të ardhmen e një vendi që shkollën e ka katandisur si një gjë pa vlerë. Kur këto vlera historike nuk i respektojnë ose nuk i dinë drejtuesit e lartë të arsimit, mendo se çfarë mund të dinë nxënësit që nuk njohin të shkruarit dhe të lexuarit dhe jo më historinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura