KOPI KYÇYKU
Kur shoferi shtyp një njeri, edhe pse pa dashje, ndëshkohet. Natyrisht, më pak nga sa do të dënohej po ta kishte bërë një krim të tillë me paramendim apo me keqdashje. Gjatë intervistës që pata nderin t’i jepja para disa vitesh shkrimtarit Hiqmet Meçaj, një pyetjes së tij i dhashë këtë përgjigje, që, për kursim vendi, po e riprodhoj të përmbledhur: “… Paralelisht me rusishten mësoja edhe italishten. Kisha gjetur një metodë të thjeshtë. Vademecum quhej, botuar qysh në kohën e pushtimit fashist. Një ditë metodën e pata marrë me vete edhe në shkollë. Sapo kisha filluar vitin e dytë të gjimnazit. Kur po nxirja fletoren e ushtrimeve të rusishtes, më ra përtokë edhe Vademecum-i. Mësimdhënësit të rusishtes, Pandi Gëllçi, i tërhoqi vëmendjen e ma rrëmbeu si ndonjë shpend grabitqar… Vazhdimi: mbledhje urgjente e këshillit pedagogjik me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të partisë, të pushtetit, të Sigurimit… Në atë mbledhje, Pandi Gëllçi nguli këmbë që unë, nxënësi katërmbëdhjetëvjeçar, të përjashtohesha nga shkolla dhe bashkë me prindërit (edhe ata mbanin përgjegjësi!) t’u kalonim për kompetencë organeve të diktaturës së proletariatit! Vërtet isha nxënës i dalluar, ama isha treguar pasues besnik i tim ungji, që pati punuar gjatë luftës pranë një inxhinieri italian dhe ishte vrarë aksidentalisht në ditën e kapitullimit të Italisë. Ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç. Gjer në ato çaste ishte cilësuar thjesht viktimë e luftës. Këtej e tutje duhej parë edhe puna e tij…”. (Kopi Kyçyku, Zinxhiri i anktheve – radiografi e çiltër për vete e për të tjerë, shtëpia botuese “Globus”, Tiranë, 2008, botimi i dytë, f. 74-75).
Atë që më ndodhi me metodën e italishtes e shfrytëzoi Sigurimi i Shtetit. Pas një trysnie të tmerrshme të shoqëruar me kërcënime e frikësime, nënshkrova një deklaratë bashkëpunimi e, për një kohë të shkurtër, dhashë raporte për gjëra që i quaja e që në fakt ishin pa rëndësi e pa zarar, të llojit: “Në aksh mbledhje të klasës nuk pati sa duhet entuziazëm, duartrokitje e parulla për partinë”. Për të gjitha këto kam folur konkretisht në librin e lartpërmendur.
Gjithsesi, spiun u bëra! Dhe nuk mund ta anashkaloj. Natyrisht, meqenëse pa dashje, mendoj që kam një rrethanë lehtësuese. Po ata që dilnin vullnetarë në këtë palo punë, si bie fjala, denoncuesit e Hysenil Dumes, këtij intelektuali të hollë e poliedrik për të cilin bëhet fjalë në shkrimin “Kongoli: S’ndihem fajtor për Hysenilin, por për djemtë e tij”? (“Panorama”, 30 qershor 2011, f. 20). Edhe këtu, romancieri i mirënjohur, F. Kongoli, bën letërsi. Një ngjarje të rëndë, të denjë për dramë të mirëfilltë, e shndërron në subjekt tragjikomedie dhe komedie, sido që mjeshtëria lë për të dëshiruar. Është i habitshëm, për të mos thënë i neveritshëm, pohimi se nuk futej në burg njeriu që kishte folur për Dostojevskin e Niçen, për zbrazësinë shpirtërore, për mungesën e lirive, për varfërinë e skajshme në Shqipëri dhe për jetën e begatë në Perëndim etj., etj.! Kulmi i cinizmit arrin kur, duke qenë përballë viktimës së vet, në mjediset e qelive të fëlliqura, “si vrima urithësh”, ku mezi e duroi erën për disa minuta dhe ku Hysenili do të dergjej për vite të tëra, Fatos Kongoli përsiat me fantazi pjellore se, mbase, Hysenili, me shpërfilljen që po shfaqte ndaj tij, mbase “deshi të më tregonte se ndjente keqardhje që ndodhesha atje për shkak të tij?” !!!
Që të shpëtonte nga miza në kësulë, Kongoli rrëfen për orvatjet që bëri për të mos u paraqitur si dëshmitar në gjyqin e Hysenilit. Tani, pasi viktima nuk jeton më, Kongoli nuk ndihet fajtor për vuajtjet që i shkaktoi, por vetëm “për djemtë e tij”, të cilëve, bashkë me nënën e tyre, dëshiron dhe u uron “të jenë mirë”. Pasi fajëson ekskluzivisht ish-hetuesit “persekutorë” – të cilët, dihet, do të mbeteshin “pa punë” po të mos kishin në duar “lëndën e parë” që ua servirnin me zell denoncuesit – dhe “rrufjanët… të cilët janë gjallë, shëndoshë e mirë, ecin krenarë e me kokat lart si dikur, pa iu futur gjemb në këmbë”, Kongoli e mbush kupën e helmit kur edhe pas tri dekadash guxon ta njollosë Hysenilin, këtë “tip enigmatik, përderisa kryente detyrën e shefit të kuadrit dhe mbante lidhje të rregullta me operativët e Sigurimit”. Mbetet “të saktësojë” se jo ai, shokët e kryeshoqja e tyre e denoncuan Hysenilin, por ky e mori më qafë Kongolin.
O Zot, fali se nuk dinë ç’flasin e ç’shkruajnë!











