A do të pranojë Rama vazhdimin e dialogut me maxhorancën, apo do të gjejë shteg që marrëveshja të prishet, e kështu të vijojë axhendën e tij politike me synim vetëm zgjedhjet e ardhshme? Kjo duket një dilemë jo e lehtë për t’u zgjidhur nga ana e kreut të PS-së, i cili, edhe pse ka ende në fuqi një marrëveshje me PD-në për disa reforma, përfshirë edhe atë zgjedhore, duket se është më i prirë ta prishë atë sa më parë, për t’i hapur rrugën një përplasjeje deri në zgjedhjet e ardhshme.
Por cilat janë ato pika që e kthejnë vëmendjen te një ritensionim, që ka synim fushatën e ardhshme zgjedhore?
Nisur nga gjuha e përdorur së fundi, duke nxjerrë në dritë gjithë morinë e sekretarëve dhe figurave historike të PS-së dhe duke u munduar të ritheksojë një çështje kah dëgjesës ndërkombëtare, siç është hetimi i së ashtuquajturës “21 janari”, Edi Rama po mendon për përgatitjen e një konflikti të ri në prag të fushatës zgjedhore të vitit të ardhshëm, ku gjithçka duhet të jetë sa më konfliktuale.
Aktivitetet e tij të fundit jashtë Shqipërisë duket se po testojnë pikërisht një ritensionim, duke synuar kështu fajësimin e maxhorancës si të paaftë për të ndërtuar shtetin ligjor. Në këtë ridimensionim të konfliktit duket i pavlerë edhe debati për Presidentin, debat të cilin opozita do ta përdorë për të shtuar konfliktin, që sipas gjasave, do të vijë nga mosrënia dakord për të diskutuar një emër në tryezë.
Në fakt, opozita duket se nuk dëshiron kompromisin për Presidentin, por dëshiron më shumë kundërshtimin e kompromisit, i cili në atë mënyrë mund të vulosë edhe qëndrimin e hapur të opozitës kundër çdo marrëveshjeje të mëtejshme me PD.
Kjo rrugë, në fakt, e ka një fund të dukshëm: shtyrjen sërish të marrjes së statusit si vend kandidat në BE të Shqipërisë. Kjo, edhe pse mund të ketë përpara publikut peshën e mospërfshirjes së opozitës në marrëveshje, do të jetë një minus jo i vogël për maxhorancën aktuale, e cila është votuar nga shqiptarët pikërisht për prioritetet që ka paraqitur gjatë fushatës së shkuar, një ndër të cilat është marrja e statusit kandidat në BE.
E vetmja gjë e pallogaritur në këtë “axhendë konfliktuale të opozitës” është mungesa e llogarive të lëvizjeve “të minutës së fundit” të Berishës, i cili ka treguar këto vite se ka qenë i aftë të fusë në lojë kreun e opozitës, duke bërë marrëveshje në tryeza, që Ramës më vonë nuk i kanë vlejtur, siç kanë qenë rastet e marrëveshjes për ndryshimet kushtetuese apo për reformën zgjedhore.
Një tjetër defekt i Ramës në betejën me kreun e maxhorancës duket pamundësia e tij për të qenë i hapur me aleatët. Vetë Berisha, i cili po ndjek një politikë të sigurisë së aleatëve aktualë, po tenton afrimin edhe të të larguarve prej tij, siç është rasti i Ndokës, i cili po duket gjithnjë e më shumë larg PS-së. Aq më shumë mund të jetë afër PD-së edhe një parti e mundshme e Topit, i cili nuk do të mbijetonte nëse do t’u afrohej të majtëve, pasi do të ishte krejtësisht i pabesueshëm për çdo deklaratë të derisotme. Të mos harrojmë këtu që një pjesë e atyre që e mbështesin Topin do të ktheheshin në PD me thirrjen më të parë, pikërisht siç ka ndodhur edhe në të shkuarën me disa të larguar nga PD-ja.
Por Rama ka kundër në këtë rrugë konfliktuale të shkuarën e rezultateve zgjedhore të atyre që kanë promovuar konfliktin, ose që kanë premtuar ndryshime rrënjësore të asaj që është aktualisht. Të frikësuar për shkak të ndryshimeve të thella që sjell një konflikt i ashpër, qytetarët kanë treguar se janë më shumë të prirë drejt një vazhdimi të brishtë, sesa drejt një tërmeti ndryshimesh që do t’i çonte në një rrugë me të panjohura.
Megjithatë, Rama duket i vendosur të vijojë me këmbëngulje një politikë përplasjeje, tashmë duke u bazuar në brishtësinë e vendosjes së shtetit ligjor. Ky nuk është një argument i dobët për një opozitë. Madje në përpjekjet për të vendosur shtetin e së drejtës, kjo është thelbësore, pasi mjafton edhe humbja e jetës së një njeriu të pafajshëm. Por kjo kauzë do të ishte e mjaftueshme nëse bëhej fjalë për zgjedhje të parakohshme, apo për zgjedhje brenda këtij viti. Mirëpo drejt zgjedhjeve na duhen edhe rreth 16-17 muaj, ndaj dhe Ramës do t’i duhet të kalojë drejt konfliktit të gjatë. Kjo është e dëmshme për shqiptarët, pasi rrezikon ekonominë e brishtë, rrezikon integrimin, pra të ardhmen e të gjithëve. Dhe me këtë kosto, Edi Rama ka zgjedhur një rrugë të rëndë për të ardhur në pushtet, pasi deri tani ka ofruar vetë dy modele – shmangien e konkurrencës në parti dhe ofrimin e konfliktit në vend të marrëveshjeve.
© Panorama.al












