BELSH – Një sherr i vjetër për pak desh ka përfunduar në tragjedi në qytezën e vogël të Belshit. Emigranti Nardi Shabani me banim në këtë qytet, por rezident në Greqi, mëngjesin e së martës, ka përplasur me mjetin e tij tip “Ford” dy bashkëqytetarët e tij. Ngjarja e etiketuar si me paramendim nga policia ka ndodhur mëngjesin e së martës në hyrje të qytetit të Belshit, rreth 40 kilometra larg Elbasanit. Policia, e cila pasi ka marrë informacionin ka shkuar në vendin e ngjarjes nëpërmjet zëdhënëses Valbona begu deklaron se “mjeti tip Ford me targë GR 1005 B me drejtues shtetasin Nardi Shabani 25 vjeç, për motive banale, ka përplasur me dashje me mjetin e tij dy shtetas. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se dy shtetasit me iniciale AZ 34 vjeç dhe Q.B 35 vjeç që të dy me banim në Belësh, në momentin e përplasjes kanë qenë me motorin e tyre të ndaluar buzë rrugës, dhe duke biseduar me njëri-tjetrin. Ka qenë shumë i shpejtë veprimi i 25-vjeçarit i cili i përplasi me makinë. Si pasojë e përplasjes dy shtetasit kanë marrë plagë, por pa pasoja për jetën. Ata janë dërguar në spitalin Kirurgjik të Elbasanit, ku edhe po marrin ndihmën e duhur mjekësore, ndërsa policia ka arrestuar shtetasin Nardi Shabani, pasi akuzohet për veprën penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Mësohet se autori dhe dy shtetasit e aksidentuar kanë pasur një konflikt të vjetër në shtetin fqinj Greqinë, konflikt që ka nisur për motive banale. m.s











